Kur shkatërron natyrën dhe varros historinë
Nga Hyskë Borobojka
Fshati Zerec, një nga 36 fshatrat e krahinës malore të Oparit, të rrethit të Korçës, është i rrethuar me kodra e male shumë të bukura, aq sa po të dalësh në Qafën e Kumbullës, në Qafën e Gjarprit apo në Gurin e Prerë e sheh si në pëllëmbë të dorës. Një bukuri të veçantë i jep liqeni i bukur alpin në formën e një amfiteatri. Ky fshat nuk shquhet vetëm për bukurinë që i ka falur natyra, por edhe për historinë e tij të lashtë. Një shekull e një çerek më parë, në vitin 1900, “Mësuesi i Popullit”, patrioti, Nuçi Naçi, një muaj me radhë, i ra pashë më pashë Oparit, që nga Qafa e Martës në Jug, kufi me Skraparin deri në Qafën e Gjarprit në Veri, që ndan sinorin me rrethin e Gramshit. Atij i la aq mbresa të pashlyeshme kjo krahinë malore me bukuri të rralla, sa në shkrimin e tij “Një vështrim mbi Oparin” do të shkruante: “Nëpër malet, nëpër pyjet e nëpër stanet e Oparit pashë të vërtetën me sy vjershë të Naim Frashërit “Bagëti e Bujqësi” të gjallë, sikur është shkruar nga frymëlarti vjershëtor. Opari është si një lule e vërtetë, por e fishkur pak nga dimri që e ka mbuluar…”. Kur “Mësuesi i Popullit”, arriti në Zerec dhe pa në këtë fshat liqenin e bukur alpin, me ujë të ftohtë akull, ku në të nuk hynte as delte ndonjë rrëke apo përrua, i rrethuar me lloje të ndryshme pemësh, ku notonin peshqit dhe era ledhatare që frynte nga mali i Koshnicës e Mali i Butë, përkëdhelnin valëzat lozonjare. Në kujtimet e tij nga kjo krahinë, Nuçi Naçi do të shkruante: “Në do të shikosh Zvicrën eja e shiko Zerecin dhe bukuritë e liqenit të tij”. Opari, Zereci dhe liqeni i tij ishin një perlë e bukur natyrore e kurative sa ai do të thoshte: “Erdha në Opar i sëmurë dhe pas një muaji, kur u ktheva në Korçë i shëndoshë, aq sa miqtë nuk më njohën”.
Jo larg këtij fshati, gati lagje me të, është Bunga, kur dikur ndodhej kisha e Shën Mërisë. Në mjedisin e saj, sipas “Memories” të Gjon Muzakës, të botuar më 1510, ai thotë: “Gjin Muzaka, im atë, vdiq në Sereq të Bungës dhe u varros në kishën e Shën Mërisë, që ai vetë e kishte ndërtuar në Bungë dhe e kishte varrin jashtë saj nga ana e Jugut dhe kështu, Zonja Kiranë (Zonja Anë), gjyshja ime dhe nëna e tim eti, është varrosur në këtë kishë që thashë, nga ana e Perëndimit dhe e përmendura gjyshja ime, ngriti kishën e Shën Triadhës në Lavdar të Xerjes”. Gjon Muzaka në “Memorien e tij zë në gojë edhe disa nga fshatrat e Oparit, si Beçin (sot toponim) Marërrekën, Dusharin, Lavdarin, Marjanin, që të gjithë banoheshin nga shqiptarë.
Ky fshat përmendet edhe për trimin Shaban Marjanaku (Zereci) një nga pjesëmarrësit e kryengritjes së Fierit më 1935-n, që formoi çetën partizane “Gorë-Opar” në qershor të vitit 1942, çeta e parë në Qarkun e Korçës dhe e treta në Shqipëri, pas asaj të Pezës e Skraparit.
Po erdhi një ditë dhe “Partia-shtet” dha direktivën “T’u qepemi kodrave dhe maleve që t’i bëjmë pjellore si dhe fushat”, për të siguruar bukën në vend. Dhe kjo direktivë e “drejtë” (si drapri), pasi prishi kullotat dhe livadhet alpine nga Qafa e Martës, në Ostrovicë, Bofnjë e Lenie dhe mbollën në këto toka “të reja, grurë, thekër e misër”, por në vend të tyre u selitën gjembat sa një burrë i gjatë më këmbë, për të siguruar ushqim të preferuar për gomarët. Si s’dhanë prodhime e rendimente tokat e reja në kullotat e livadhet alpine sipër kodrave maleve, iu turrën edhe objekteve historike. Në fillim mbeturinave të kishës së Shën Mërisë në Bungë, aq sa aty, kur erdhi një arkeolog, me “Memorien” e Gjon Muzakës në dorë të bënte gërmime e studime për kishën e Shën Mërisë e për varret e gjyshit e gjyshes, sipas “Memorie”, nuk gjeti as një gur nga muret e objektit të shenjtë dhe as një shenjë për varret e gjyshit dhe gjyshes së Gjon Muzakës, që vërtetonin se kjo dinasti e madhe e kishte prejardhjen nga ky fshat.
Kishte mbetur në këmbë vetëm liqeni piktores me ujë të kulluar si pasqyre e të ftohtë akull. Një ditë të bukur qershori, kur filluan të kuqeshin e të nxiheshin qershitë dhe era e lehtë që frynte nga Koshenica dhe Mali i Butë përkëdhelte dhe loste me valëzat e liqenit, për ta çuar deri në fund “direktivën” e Partisë: “T’u qepemi kodrave dhe maleve që t’i bëjmë pjellore si dhe fushat, që parodia e saj do të ishte: “Tu qepemi objekteve historike, kullotave e livadheve alpine, të zhdukim nga to çdo gjurmë, të çrrënjosim në kullotat e livadhet trifilin e trëndelinën e t’i zëvendësojmë me gjemba, ferra e gurë. Disa thanë:
-Deri sa thamë kënetën e Maliqit e sa e sa këneta të tjera, duke çliruar nga uji disa qindra e mijëra hektarë tokë bujqësore, pse të rrimë duarkryq e të mbajmë sehir, pse të mos bonifikojmë e të thajmë edhe ne liqenin tonë, që të shtojmë sipërfaqen e tokave të reja me rreth dy hektarë!?
-Gurë-gurë ngrihet muri e bëhet kala, – vazhduan ata që kishin marrë përsipër, si besnikë të thekur të sloganeve të Partisë-shtet.
Puna për tharjen e liqenit filloi me vrull revolucionar, duke mobilizuar të gjitha mjetet rrethanore, që te kazmat, lopatat, belat, tezgat, karrocat, sëpatat, sharrat për të prerë e sharruar pemët rreth e rrotull tij. Por ç’e do, u ngeli sharra në gozhdë. Ai viran liqeni malor, ishte si legjenda e kalasë së Rozafatit në Shkodër. Edhe kur qëllonte që zbrazej ditën, në mëngjes ç’të shikonin, ishte përsëri ashtu si kishte qenë. Thonë se therën e bënë kurbane për të marrë me të mirë Kuçedrën e përrallës, që të zinte ujët që buronte nga poshtë, por pa dobi. Hapën vija, brazda e hendekë për të larguar ujin e sertë e të pabindur nga shtrati i liqenit e në vend të kallamave e sojeve të peshqve që rriteshin e jetonte në ‘të, të mbillej e të zhvillohej gruri me kallirin sa një zog dhe misri me dy-tre kallëpe, që të mos e korrje me drapër, por ta prisje me sëpatë.
E “rrahën” sa mundën, ia prenë pemët që pasqyroheshin në ujët e pastër qelibar, e “kafshuan” për t’i rrëmbyer ndonjë metër nga prona e tij. Por edhe pse i gjori liqen, mori plagë të rënda, nuk u dorëzua, por mbijetoi, për të mbajtur porosinë dhe amanetin (që s’e tret dheu) e patriotit të madh, “Mësuesit të Popullit” Nuçi Naçi, që porosiste njëqind e ca vjet më parë. Në do të shikosh Zvicrën shko në Zerec të Oparit dhe shiko natyrën e bukur dhe liqenin e tij.
.