Kush do ta fitojë Nobelin për Paqen? Ja profilet e kandidatëve

Një aktiviste yazidi e mbajtur peng nga Shteti Islamik është një ndër pretendentet për Çmimin Nobel për Paqen. Nadia Murad Taha, një 23-vjeçare irakene, e cila i përket besimit Yazid, arriti t’i shpëtonte rrëmbimit nga Shteti Islamik pas tre muajsh, dhe që prej asaj kohe, ajo ka mbrojtur fushatën për zhdukjen e trafikimit të qenieve njerëzore. Pasi u arratis në 2014, Taha përshkroi eksperiencën e saj të torturave dhe përdhunimit për Kombet e Bashkuara, teksa i kërkoi këshillit prej 15 anëtarësh të zhdukte grupin militant. Taha tregoi se si ajo u rrëmbye në gusht të 2014 nga fshati i saj në veri të Irakut dhe u dërgua me një autobuz në Mosul, ku mijëra gra e fëmijë yazidi i jepeshin burrave si dhurata.

Vetëm pak ditë pas mbërritjes në Mosul, për Taha-n filloi tortura. Edhe pse ajo u përpoq t’ia mbathte, rojat kishin arritur ta kapnin. Disa prej vëllezërve të saj ishin vrarë më parë nga militantë të Shtetit Islamik. 23-vjeçarja tashmë jeton në Gjermani. Anëtarë të Këshillit të Sigurimit të OKB e vlerësuan atë për kurajën me të cilët ajo ndau historinë e saj të trishtë me ta.

Militantët e Shtetit Islamik i konsiderojnë Yazidët të jenë adhurues të djallit. Ky besim ka elemente të krishtërimit, islamit dhe zoroastrianizmit. Shumica e popullsisë yazide, rreth gjysmë milioni, mbetet e zhvendosur në kampe brenda Kurdistanit, entitetit autonom brenda pjesës veriore të Irakut.

Sipas Kombeve të Bashkuara, militantët sunni kanë skllavëruar rreth 7.000 gra e vazja në 2014, ndërkohë që vazhdojnë të mbajnë rreth gjysmën e tyre. Në dhjetor 2015, Taha u takua me presidentin grek Prokopis Pavlopoulos në Athinë, para se t’i drejtohej kampit Idomeni, ku mijëra emigrantë ishin mbledhur në zonën kufitare me Maqedoninë, në një përpjekje për t’u arratisur nga konfliktet e vendeve të tyre. Ajo nxiti refugjatët të zhvendoseshin në kampe formale të ngritura nga qeveria greke në mënyrë që të vazhdonin me kërkesat e tyre për azil.

“Jam këtu për shkak të krizës së refugjatëve. Duhet të gjejmë një zgjidhje për ta. Greqia nuk është ajo që po bllokon kurifin.”

Në shtator 2016, Taha u caktua ambasadore e dinjitetit për të mbijetuarit e trafikimit të qenieve njerëzore nga Zyra e Drogës dhe Krimit e Kombeve të Bashkuara.

Gjinekologu Denis Mukwege është kandidati i rradhës për Çmimin Nobel për Paqen, për punën e tij me viktimat e përdhunimit në Republikën Demokratike të Kongos. Mukwege është drejtor i spitalit Panzi në Bukavu, ku ofrohen trajtime fizike dhe emocionale për rreth qindra gra të cilat përdhunohen çdo vit në rajon. Nuk ka ende një numër të saktë mbi viktimat, por ekspertët thonë se bëhet fjalë për një shkallë të madhe. Margot Wallstrom, ish-përfaqësuesja e Kombeve të Bashkuar për konfliktet e dhunës seksuale, e ka quajtur Kongon si kryeqytetin e përdhunimit në botë.

Në tetor 2012, burra të armatosur u përpoqën të vrisnin Mukwege-n, duke e detyruar atë të arratisej nga vendi. Një anëtar i stafit të tij u vra gjatë sulmit në shtëpinë e tij, por gjinekologu ia doli të shpëtonte i padëmtuar. Disa media dyshonin se sulmi mund të ketë patur ngjyrime politike. Në janar 2013, Mukwege u kthye për të vazhduar punën e tij në spital.

Në maj 2011, ai mori çmimin ndërkombëtar të zhvillimit King Baudouin për punën e tij. Në 2014, ai gjithashtu fitoi çmimin Sakharov, çmimin më të lartë europian, si dhe çmimin Hillary Rodham Clinton për progresin e grave në paqe dhe siguri.

Për dekada të tëra, republika demokratike e Kongos ka qenë pre e luftës dhe kaosit, viktima të të cilës janë më së shumti gratë. Edhe pse konflikti ka mbaruar zyrtarish në 2003, dhuna mes trupave qeveritare dhe rebelëve, ende vazhdon, dhe përdhunimi është përdorur si armë në këtë luftë. Spitali i Mukwege-s është kujdesurp ër më shumë se 46.000 gra e vazja me dëmtime gjinekologjike, gjysma e të cilave ishin viktima të dhunës seksuale.

Aktivistja ruse për të drejtat e njeriut dhe bashkëthemeluesja e Memorial, Svetlana Gannushkina është kandidatja e rradhës për Çmimin Nobel për Paqen. E lindur në Moskë, në 6 mars 1942, Gannushkina ka qenë mësuese e matematikës për mëse 30 vjet në universitetin e Moskës, para se të ndihmonte grupin “Ndihma Qytetare” në fushatën për të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e refugjatëve dhe emigrantëve në shoqërinë ruse. Ajo më pas themeloi Memorial, një organizatë dedikuar përkujtimit të viktimave të shtypjes sovjetike, si dhe Rrjetit për të Drejtat e Emigrantëve, që siguron ndihmë ligjore për refugjatët. E njohur dhe e vlerësuar me disa çmime botërisht, Gannushkina tha në 2011, se shumë persona në Rusi, e konsideronin Memorial si një grup të pavlerë dhe armik.

Në 2006, ajo u shpërblye me çmimin Homo Homini nga organizata e Personave në Nevojë, për promovimin e të drejtave njerëzore dhe zgjidhjeve demokratike dhe jo të dhunshme. Organizatorët thanë se Gannushkina kishte mbrojtur vazhdueshmërisht të drejtat themelore të njeriut dhe se ishte treguar e guximshme në tërheqjen e vëmendjes për të drejtat e popullsisë civile të Çeçenisë.

Hetues të maskuar shtetërorë bastisën zyrat e Memorial në Shën Peterburg në tetor 2008, teksa anëtarë të stafit thanë se ata kishin shkatërruar kompjuterët e tyre, duke i ndaluar të punonin. Një zëdhënës për shtyp i njësisë hetimore të prokurorit tha se kërkimi ishte pjesë e një hetimi për një artikull të një gazete lokale, por nuk u dhanë detaje të tjera.

Bastisje të mëtejshme gjatë marsit 2013, të kryerja nga zyrtarë të shërbimit të taksave dhe emigracionit, i kërkuan pasaportat punonjësve dhe vizitorëve të cilët nuk dukeshin si rusë. Bastisjet ishin ndër kërkimet e gjata në organizata të ndryshme jo-qeveritare, përfshirë edhe Human Rights Watch dhe Amnesty International.

Kohët e fundit, Gannushkina fitoi Çmimin Right Livelihood të cilën ajo e ndau me grupin e Mbrojtjes Civile Siriane të njohur si Helmetat e Bardha, feministen dhe aktivisten egjiptiane Mozn Hassan dhe gazetën e pavarur turke Cumhuriyet. Ky çmim njihet si çmimi alternativ Nobel. /Ora News/

SHKARKO APP