Kush e riktheu Sali Berishën?

 

Nga Sokol Balla*

Kjo fushatë ishte e “thatë dhe e bardhë”, deri para një jave. Të gjithë ne, duket se ishim të lumtur me këtë. Duke filluar nga gazetarët që gogësinin në vapë, ndërsa mernin me përtesë emailet apo kasetat, për t’i montuar. Sfida e vetme: respektimi i minutazheve sipas një parimi idiot të par conditio-s, i cili po dëmton mediat dhe transparencën dhe llogaridhënien e kandidatëve në këto zgjedhje.

Kjo kishte bërë që fushatë të ishte e vakët dhe mediat kryesisht online, të merreshin për turpin e tyre, me fustanin e një gruaje, që ata mendonin se ishte kandidate për kryetare bashkie. Të gjitha sondazhet, vazhduan dhe dhanë një avantazh të thellë të së majtës dhe koalicionit të saj pragmatist, ndoshta e vetmja arsye e thellësisë së pashpjegueshme të avantazhit të qeverisë, që pas gati dy vitesh, duhet të ndjente disi erozionin e saj.

Ndaj, një rikthim i Sali Berishës, retorikës së tij të ashpër dhe akuzave konkrete, siç ndodhi javën e shkuar, duhet të ishte e pritshme, si një lëvizje e opozitës, që deri dje kishte luajtur me taktikën e kompanive guacka (shell companies): Basha fshihte Doktorin në fushatën kombëtare, Halim Kosova fshihte Bashën në fushatën në kryeqytet.

Basha po bën fushatë misionare, ashtu si në fakt i takon një kryetari opozite në çdo palë zgjedhje. Ai me të drejtë kishte shmangur Berishën, pasi në fund të fundit, ky ishte basti i tij i parë elektoral. Halim Kosova po bën atë quhet: të fshehë kryetarin në ikje të bashkisë, që është i partisë së tij, me një rekord të varfër pozitiv arritjesh në katër vitet e shkuara. Berisha gjithashtu megjithëse me zorr, po i respektonte këto pozicione.

Por a është rikthimi i Berishës pjesë e strategjisë së opozitës, për intensifikim të fushatës negative përmes një veprimi dinak me Berishën, i cili nuk ka se çfarë humb dhe luan me imazhin e të qenit “jashtë kontrollit” të lidershipit faktik të PD, apo një kërcim dëshpërues i vetë ish-kryeministrit, në një fushatë që reflekton vakët kryetarin e ri Basha? Kam frikë se më shumë se këto dy variante, Berishën në fushatë e ktheu vetë maxhoranca.

Dhe nuk e ktheu sepse Basha nuk po di si të ndezë pishtarin e turmave, as sepse si në çdo fushatë, java e tretë është java e sulmeve. Nëse sondazhet tregojnë të vërtetën, atëherë përse ishte e nevojshme, që kandidatët e saj, të nisnin patjetër një fushatë agresive? Nëse avantazhi është i thellë në Tiranë, përse duhej sulmuar kaq shumë dhe direkt kandidati Kosova, i cili sulmin më të ashpër e ka tek kafja që do të pijë patjetër me Ramën? Kur rekordi i arritjeve të Bashës në bashki ishte kaq i ulët dhe negativ, çfarë nevoje kishte të sulmohej ai personalisht për shtëpinë e tij?

Nëse sondazhet tregojnë të vërtetën, ky lloj nervozizmi ishte i panevojshëm. Fushatat negative, janë një mjet efikas, por përdoren vetëm kur sondazhet tregojnë se kandidatët janë afër, ose avantazhi nuk është i sigurt. Kam frikë se Luanin nga strofkulla, me dosje dhe zarfa plot akuza që deri dje, nuk po i përdorte dot, i nxorri kjo lëvizje e gabuar taktike e të majtës në pushtet, kryesisht PS. Nga gjuha e ashpër nuk përfiton askush. Bile as Berisha. Por aty luan në territor të tij, dhe nëse ai nuk shënon pikë për vete,e sigurt është që dëmton kundërshtarin.

Unë nuk vë dot bast patjetër se javën e ardhshme, sondazhet do të tregojnë një zbritje të kuotave të PS dhe rritje të PD, por jam shumë i sigurt se sulmet negative, në shumicën e rasteve i shtojnë pikë kundërshtarit tënd. Fotot e Ramës i betonuan atij fitoren, ndërsa reklama Basha Transformers në 2011, konsolidoi votën e të djathtës për benianimin e Berishës. Jo sepse i bindi, por sepse u bindën se vota kundër tij, do të ishte vota kundër Berishës. Ashtu si edhe sivjet, e majta atëherë, e trullosur nga gjetja grafike, harroi të llogariste mire efektin.

Dhe tani Berisha nuk ndalet me. Ne parlament, emisione, facebook, kudo. Ai do jetë tashmë sërish në rolin e lokomotivës së fushatës. Të majtë e të djathtë, në këtë garë ku rezultati dihet, tani do presin me kërshëri gallatën e radhës në ekran.

Dhe kam Frikë jo vetëm se Shqipëria humbi një shans, për një fushatë të “bardhë dhe të thatë” si në perëndim, por për me keq, se ndoshta nuk mund ta ketë kurrë atë. Mikrobi i sherrit qenka ngjitës. Atë e merrke, së bashku me pushtetin.

*Javanews.al

SHKARKO APP