Kush janë banorët e Big Brother 8?
Aventura 100-ditore e këtij spektakli këtë vit vjen me një sërë risish, duke filluar nga prezantuesi, Ledion Liço, opinioniste poeten Mimoza Ahmeti, etj.
Por risia më e madhe është fakti se këtë herë banorët do të marrin udhëzime direkte nga zëri i “Vëllait të Madh”, i cili do të jetë i pranishëm si në ambjentet e shtëpisë, edhe në studio.
Transmetimet 24 orë të këtij reality do të ndiqen në dy kanale të dedikuara në platformën Digitalb.
Ndërkohë, ditën e diel adhuruesit e spektaklit do të mund të ndjekin programin Big Brother Fans Club, që sikurse herët e tjera do të prezantohet nga Albana Osmani dhe opinionisti Olti Curri.
Banorët e parë të shtëpisë:
Zaida. 35 vjeç, nga Delvina. Ka tre fëmijë dhe mban një lidhje shumë të fortë me familjen e saj. Nuk ka pasur një jetë të thjeshtë dhe peripecitë që ka kaluar e kanë bërë një grua të fortë, që di të përballojë vetë sfida dhe vështirësi. Nga BB kërkon vetëm një gjë: Çmimin e Madh.
Edison. 33 vjeç, lindur në Dibër, jeton në Tiranë. Është larguar herët nga Peshkopia dhe për shumë vite ka bërë jetën tipike të një emigranti në Greqi dhe Itali. Është kthyer para pak kohësh dhe tani është në përshtatje me Tiranën, në kërkim të një pune dhe sistemimi të përhershëm. Është marrë me boks, por krejt ndryshe nga sa duket së jashtmi ai është i qetë, i qeshur dhe adhuron kafshët.
Tea. 22 vjeç, jeton në Itali. Ka studiuar për Estetikë dhe ka punuar në disa qendra estetike në Itali. Është kthyer në Shqipëri për të parë edhe mundësitë për të pasur një qendër të sajën. Por para se të merret me biznes i duhet njohja dhe lidhjet e duhura. Ndaj edhe ka menduar të hyjë në shtëpinë e madhe në BB8.
Genci. 19 vjeç nga Tropoja. Ka mbaruar shkollën e mesme për hoteleri-turizëm, por punon si model dhe ka qenë pjesë reklamash e videoklipesh. I pëlqen fama dhe ekrani dhe kërkon me çdo kusht të tërheqë vëmendjen. Në të ardhmen dëshiron të jetë aktor. “Rolin” e parë do ta luajë në BB8.
Sokol. 32 vjeç nga Tirana, i diplomuar në Rusi si balerin. Punon solist në Teatrin e Operës dhe Baletit. Është i martuar dhe ka një djalë 3 vjeç. Edhe bashkëshortja e Sokolit është gjithashtu balerinë në TKOB. Është shumë i ndjeshëm ndaj fëmijëve, sidomos ndaj atyre me aftësi të kufizuara. Ka organizuar shpesh aktivitete në ndihmë të tyre dhe në BB8 synon të fitojë paratë për ta vazhduar këtë mision.
Xhensila. 26 vjeç, nga Pogradeci. Pas një konkursi bukurie e disa pjesëmarrjeve në spektakle të ndryshëm, ka përfaqësuar Shqipërinë në “Miss World 2014”. Shfaqet shpesh në revista dhe emisione televizive. Në jetë ka gjithçka që i duhet, por është në kërkim të famës dhe pushtetit, që shpreson t’i gjejë në BB8.
Marina. 25 vjeç, nga Hajdaraj i Kavajës. Marina bën një jetë tipike fshati. Nuk i ka pasur kurrë mundësitë për të bërë atë që ka dashur, por më në fund ka vendosur të guxojë: të hyjë në shtëpinë e BB8, duke thyer mentalitetin e jetës së mbyllur dhe kërkon t’i dalë për zot vetes.
Eleonora. 42 vjeç, ka lindur në Fier, por në Tiranë banon që nga koha kur erdhi të vazhdojë studimet e larta për Histori-Gjeografi. Ka dy fëmijë dhe punon si mësuese Gjeografie në një shkollë të mesme në Tiranë. Është ekstravagante dhe i pëlqen të jetë kundër rrymës. Eksperiencat di t’i shijojë deri në fund. Këtë ka ndër mend të bëjë edhe me ditët që do kalojë në BB8.
Banorët në fjalë kanë hyrë në shtëpinë e mbikëqyrur nga kamerat në çifte:
Zaida dhe Edison, që janë shpallur dhe të zotët e shtëpisë
Tea dhe Genci
Sokol dhe Xhensila
Marina dhe Eleonora