Kuvendi i Lezhës, ngjarja me e rëndësishme në historinë e popullit shqiptar
Nga Mark Uci*
Kuvendi i Lezhës, me 2 mars 1444, është ngjarja më e rëndësishme në tërë historinë e popullit shqiptar. Me vendimet që mori ky Kuvend i Madh si dhe me rrjedhojat historike që ai krijoi, me epopenë skënderbegiane njëçerekshekullor, i vuri shqiparët në llogoren e parë të luftës antiosmane për mbrojtjen e atdheut dhe Evropës kristiane nga barbari osman.Çlirimi i vendit me Kryengritjen e vitit 1443, ishte një fitore historike e Skënderbeut që duhej mbrojtur me çdo kusht. Perandorisë Osmane, fuqisë ushtarake më të madhe të kohës, Skënderbeu ia njihte mirë forcën dhe e dinte fort mirë, se nuk mund t’i bëhej ballë pa bashkimin e forcave të brendshme politike, ushtarake dhe ekonomike, si dhe pa bashkëpunimin me vendet e tjera. Për zgjidhjen e këtyre detyrave ai gjykoi mbajtjen e një kuvendi të përgjithshëm, ku të përfaqësoheshin të gjithë fisnikët e vendit dhe zhvilloi paraprakisht takime me ta, si rrjedhojë e të cilave u vendos që të mbahej në Lezhë një kuvend i madh. Lezha kishte një pozitë gjeografike tepër të favorshme për mbajtjen e kuvendit. Ajo ndodhej në afërsi me zotërimet e pjesëmarrësve kryesorë të kuvendit, veçanërisht me ato të Dukagjinëve e Kastriotëve. Që me Gjonin, t’atin e Skënderbeut, qendra e gravitetit të Kastriotëve, kishte kaluar në trevën bregdetare të Bregamatit, Fushë-Kuqes e Shufadajës, e cila si në veri, (në Lezhë) ashtu edhe në jug të saj (Durrës) kishte zotërimet e Venedikut në Shqipëri. Porti i Shufadajës, si dhe Kruja kryeqyteti, për Skënderbeun, krijuan një pozitë shumë të përshtatshme gjeopolitike për lidhjen me Perëndimin antiosman.
Marin Barleti, në librin e tij “ Histori e Skënderbeut” vlerëson shumë këtë vendim të peshuar të Kastriotit për thirrjen e Kuvendit në Lezhë, për të cilin shkruan:
“Edhe në të zgjedhurit e vendit, Skënderbeu veproi me po atë urtësi e maturi. Kështu, që të mos i linte përshtypjen se kujdesej më fort për nderin e vet, se të të tjerëve dhe që të mos mbetej asnjë shteg për dyshime, nuk i thirri princërit në Krujë. Por ai nuk i thirri as në Apoloni, as në Denjë, as në Zhabjak, apo në ndonjë qytet tjetër të Epirit, me qëllim që t’mos linte për të tjerët ndonjë arsye zilie apo bishtimi, sepse ka njerëz që gjërat e veta i ngrejnë më shumë se të tjerëve; prandaj dhe ata, duke i çmuar vendet e veta jo më pak, por më tepër të denjat, me siguri që ose do të tërhiqeshin me zor në vendet e të tjerëve, ose nuk do të pranonin të vinin fare. Në një largësi prej pak më shumë se 22000 hapash nga Kruja dhe ndërmjet kësaj e Shkodrës, ndodhet qyteti i Lissos, të cilin me një emër më të zakonshëm e quajnë Alessumin ( Lezha). Këtu u pa e udhës që të bëhej mbledhje edhe për shkak se vendi ishte vetiu i përshtatshëm, edhe për arsye se ndodhej nën sundimin venedikas, që e pëlqenin dhe e kishin fort për zemër të gjithë princat.’’
Kuvendi i fisnikëve shqiptarë u mbajt me 2 mars 1444 në Katedralen e Shën Kollit në Lezhë. Në të morën pjesë udhëheqës të kryengritjeve të mëparshme antiosmane, si dhe pjestarë të tjerë të aristokracisë shqiptare. Midis tyre ishin; Skënderbeu, Gjergj Arianiti, Andrea Topia (bashkë me dy djemt, Kominin e Muzaken dhe të nipin Tanushin ), Gjergj Stres Balsha, Nikoll e Pal Dukagjinin, Pjetër Spani (bashkë me katër djemtë, Aleksin, Bozhidarin, Vruoan dhe Mirkon), Lekë Zaharia, Teodor Muzaka i Riu ( dhe pjestarë të tjerë të kësaj familjeje), Zahari Gropa, Lekë Dushmani me Pjetrin e fisnikë të tjerë fqinjë me ta, Stefan Gjurashi (Cernojeviçi) bashkë me bijt e tij, Gjergjin e Gjonin) etj. ‘’Të gjithë princat’’, sipas Barletit, ‘’erdhen duke vrapuar me një suitë të shënuar kalorësish e këmbësorësh.’’
Vendimi më i rëndësishëm i Kuvendit të fisnikëve shqiptarë që u mor në Lezhë, me 2 mars 1444 nga kuvendarët, ishte bashkimi i shqiptarëve në formën e një besëlidhjeje politike ndërmjet zotruesëve të lirë dhe fisnikëve të tjerë të vendit, që u njoh me emrin Beslidhja Shqiptare e Lezhës. Si kryetar i Lidhjes u zgjodh njëzëri me brohoritje Skendërbeu. Për këtë vendim, le të lëmë të flasë Barleti:
’Me t’i dhënë fund fjalës Skendërbeu, princërit të gjithë u drejtuan nga ai dhe duke ia miratuar njëgojë dhe me zë të qartë mendimin, po e lavdronin fort dhe po e ngrinin në qiell si shpëtimtarin e lirisë e të gjithë lavdisë. Dhe kështu, pasi ia lanë atij të gjithë me radhë e vullnet të lirë dhe ia kaluan gadi si me dorë pushtetin, popujt, ushtritë dhe pasi ia besuan drejtimin suprem të të gjithë gjendjes e kujdesin e luftës, e zgjodhen kryetar e kapedan të tyre të vetëm.’’(Bar.’’H. Skend.’’b. 2005 f.55)
Kuvendi i Lezhës, pasi zgjodhi kryetarin e Lidhjes së Lezhës, Skendërbeun, vendosi që institucioni më i lartë të bëhej Kuvendi i Anëtarëve të Besëlidhjes, (Parlamenti i shqiptarëve) i cili do të mblidhej herë pas here për çeshtje të rëndësishme të shtetit e të luftës. Kuvendi i princave shprehte bashkimin e shqiptarëve që u arrit në Lezhë. Një vendim tjetër shumë i rëndësishëm, që morën të beslidhurit e Lezhës, me 2 mars 1444, ishte krijimi i ushtrisë së përbashkët me komondant të përgjithshëm Skendërbeun dhe atij iu ngarkua detyra e organizimit të luftës antiosmane gjë që e kreu me sukses. Për këtë Barleti shtjellon: ‘’Por një gjë shumë e madhe, pas shumë zotimesh e blatimesh, qe edhe ajo e Arianitit….unë dëshiroj t’i kemë të përbashkta me ty të gjitha; ushtarët, armët, kuajt dhe çdo gjë tjetër që më shpëtoi nga armiku i mallkuar ose fati, ose trimëria këmbëngulse, por këtë ne ta caktojmë ty, o princ i pathyer i arbërve, që të quajmë kështu i pari me këtë emër dhe shpëtimtar i lirisë, pa bërë ndonjë dallim ndërmjet paqes e luftës. Ai pranoi. Pastaj shumë të tjerë e kush e kush më parë iu zotuan…për trupa e ndihmë vullnetare të paprerë.’’ (Barleti b. 2005 f.56)
Në fillim forcat ushtarake të Beslidhjes Shqiptare të Lezhës kishin karakter federal. Më vonë, me formimin e shtetit të bashkuar, u shkrinë në një ushtri unitare. Masa e luftetarëve vinte kryesisht nga fshatarsia, siç na thotë Barleti; Burrat me njëren dorë lëronin arët dhe me tjetrën mbanin shpatën.’’
Ushtria shqiptare përbëhej nga trupa të përhershme me rrogë dhe luftetarë vullnetarë që mobilizoheshin me në krye princat në kohë lufte. Trupat e përhershëm, sterviteshin dhe drejtoheshin nga Skenderbeu dhe pëbënin 8000 forca aktive kalorës e këmbësorë. Në brezin anësorë të mbrojtjes, për ruajtjen e kështjellave ishin 4000 forca tjera të përhershme nën komandën e Moisi Golemit.
Masen kryesore të ushtarake e përbente ushtria vullnetare që mobilizohej në kohë lufte e komandohej nga fisnikët dhe arrinte në 30 000 luftetarë, një ushtri e madhe kjo për kohën. Vetë Barleti na thotë se Lek Dukagjini siguronte 6000 luftetarë, kryesisht kalorës të pakarrocuar. Në ushtrinë shqiptare, Skendërbeu i jipte përparsi kalorësve që lëviznin me shpejtësi dhe këmbësorëve të armatosur lehtë. Në taktikë e strategji luftarake Skenderbeu u mbështet në traditen e popullit , luftë gurrile, aksione të befasishme si dhe ndeshje të hapura dhe luftë mbrojtëse në kështjella. Gjithnji duke ia përshtatur madhësisë së forcave të armikut. Për këtë analisti i Sulltan Muratit, që pati shoqëruar Padishahun në rrethimin e parë të Krujës (1450), Dursun Beu, shkruante me urrejtje: ‘’..Ata qafir të mallkuar, gjind të padukshëm të shejtanit, sulmonin nga malet e tyre të larta si rrufeja dhe u zbrapsnin si era duke u zhdukur nëpër pyjet e kreshtat e pa arritshme.’’
Një vendim tjetër, që Kuvendi i fisnikëve mori në Lezhë ishte krijimi i një arke të përbashkët pranë Skendërbeut. Kjo arkë përmbante kontributet vjetore të fisnikëve si dhe të ardhurat e tjera që do t’i shërbenin Skendërbeut për të përballuar shpenzimet për mbajtjen e ushtrisë, të armatimeve të saj si dhe për ndërtimin dhe fortifikimin e kështjellave. Fondet monetare kryesore të Arkës do të krijoheshin me ndihma në të holla nga secili anëtar i Beslidhjes, sipas kuotave të caktuara nga Kuvendi i Lezhës. Të ardhura të mëdha siguroheshin mga kriporja e Shën Kollit, që e kishin Kastriotët (sipas Barletit) pranë grykë-derdhjes së lumit Mat. Shuma të mëdha të ardhurash monetare erdhen nga kontributet e qyteteve italiane, ndihmat e Papës, të kishës e tregëtareve e fisnikëve evropian, që e kishin për nder të derdhin e të kontribonin për arken e Skenderbeut për të forcuar luften e shejtë për mbrojtjen e Evropës së krishterë nga barbari osman. Për gadishmerinë e princave shqiptarë për të kontribuar për thesarin e shtetit, në Kuvendin e Lezhës, Barleti na thotë se;
‘’Pastaj shumë të tjerë ( bëhet fjalë për dhuraten e majme në të hodha që dha Gjergj Arianiti) kush e kush më parë u zotuan për ndihma mjaft të mëdha, sipas gjendjes së tyre. Andrea Topia bashkë me të nipin, Tanushin, nuk mbeten prapa askujt në këtë zemergjërësi bujare. Kështu u sigurua një sasi e madhe në të hodha për nevojat e luftës. Nga kjo pastaj u përhap fjala se të ardhurat e Skendërbeut në Epir, i kalonin 200 000 para florini në vit.’’
Siç del, Beslidhja Shqiptare e Lezhës që u formua, me inisiativen e Skenderbeut, në Katedralen e Shën Nikollës në Lezhë mori vendime të mëdha. Ajo krijoi një arkë lufte për të mbajtur ushtrinë e përbashkët të Lidhjes, që do komandohej nga Skendërbeu. Me këto forca ushtarake komanda shqiptare me në krye Kastriotin, arriti të përballoi 25 beteja. Duke prapsur e thyer edhe forca kolosale të ushtrive perandorake të llogatura në mbi 100000 veta, të udhëhequra nga dy gjenralët më të shquar të perandorisë osmane, sulltan Murati i Dytë dhe Mehmeti i Dytë, për rethimin e Sfetigradit (1448) dhe të Krujes (1450, 1466, 1467)
Kuvendi i princave që u bë, me 2 mars 1444, shprehte bashkimin e shqiptarëve në një aleancë politiko-ushtarake, të cilën historianët e kanë quajtur Besëlidhja Shqiptare e Lezhës. Beslidhja Shqiptare e Lezhës, përbënte të parin bashkim të gjërë politik të shqiptarëve. Kjo besëlidhje me një evulucion të brendshëm, të diktuar nga lufta me turqit, u kthye në një aparat shtetëror, në një shtet të përqendruar që kishte si bazë zotrimet e Kastriotëve. Kryengritja fitimtare e vitit 1443 dhe Kuvendi i Përgjithshëm Shqiptar i 2 marsit 1444 shenuan një kthesë vedimtare në luften kundër pushtimit të huaj osman duke saksonuar epopenë më të lavdishme në Historinë e Popullit Shqiptarë, që historianët e kanë quajtur epoka Skenderbegiane. Kjo epokë, përbën ngjarjen më të rëndësishme e më kulmore të tërë historisë së popullit shqiptar, që la gjurmë të pashlyeshme në vetëdijen kombëtare të të gjithë shqiptarëve. Ajo u dha atyre traditën historike të luftës kundër pushtuesit osmanë dhe mbi këtë bazë ndjenjat e fuqishme kombëtare si dhe vetë ekzistencën e Kombit Shqiptarë.
*Studjues