Kuvendi në Kushtetuese: Ministrat gëzojnë imunitetin e deputetit, pezullimi i njëjtë me shkarkimin
Drejtoresha juridike e Kuvendit, Mimoza Arbi, ka paraqitur në Gjykatën Kushtetuese argumentet e Kuvendit lidhur me çështjen e pezullimit nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku.
Edhe Kuvendi thotë se vendimi i GJKKO-së për pezullimin e Ballukut nga detyra është një ndërhyrje e pushtetit gjyqësor tek pushteti ekzekutiv. Drejtoresha juridike e Kuvendit, Mimoza Arbi thotë se pezullimi i një anëtari të Këshillit të Ministrave krijon bllokadë institucionale.
“Deputeti gëzon imunitet, nuk mund të pengohet në ushtrimin e detyrave, nuk mund të kontrollohet, ndiqet penalisht pa pëlqimin e Kuvendit. Anëtari i KM përgjigjet penalisht, ndjekja penale bëhet me miratim të Kuvendit. Këto garanci i gjejmë edhe te Kushtetuta, në pikën 3 neni 103. Mbrojtja e deputetit është përfshirë në gjithë legjislacionin procedural penal. Pezullimi i tij nga detyra do cenonte pavarësinë e pushtetit, e njëjta logjikë zbatohet edhe për ministrin. Ndonëse ministri nuk zgjidhet nga populli, merr legjitimitet nga kuvendi.
Ministrat përfitojnë legjitimitetin nga Kuvendi. Kur kushtetutëbërësit kanë vendosur që ministrat të gëzojnë imunitetin e deputetit, kanë synuar të sigurojnë mbrojtje të barabartë institucionale. Imuniteti nuk është privilegj personal, por synon të mbrojë pavarësinë dhe funksionin normal të organeve. Pezullimi i ministrit nuk prek vetëm atë, por edhe Këshillin e Ministrave si organ kolegjial kushtetues. Ndalimi i pezullimit nga detyra zbatohet edhe për personat e zgjedhur, edhe për ministrat. Pushteti gjyqësor ndërhyn drejtpërdrejtë në ekzekutiv. Pezullimi i një anëtari krijon bllokadë institucionale. Vendimi i GJKKO de facto barazohet me vendimin për shkarkimin e një ministri, vendimi i pezullimit është de facto një shkarkim. Nëpërmjet pezullimit ndalohet pjesëmarrja e funksionarit në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ku merren vendime kyçe, ndalimin e ushtrim të detyrë në fushën e ministrisë”, tha drejtoresha juridike, Mimoza Arbi.
KOHA JONË SONDAZH

