Kuvendi nis procedurën e zgjedhjes së 2 anëtarëve të Autoritetit të Konkurrencës! Afati për kandidaturat, 17 nëntori

Komisioni parlamentar për Ekonominë dhe Financat njofton për fillimin e procedurave parlamentare për  propozimin dhe zgjedhjen nga Kuvendi të dy anëtarëve të rinj të Autoritetit të Konkurrencës. Dy vendet vakante në Autoritetin i Konkurrencës janë të krijuara që në prill 2017, si pasojë e përfundimit të mandatit të dy anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi znj.Iva Zajmi dhe Z.Koço Broka.

“Vetë Autoriteti ka njoftuar tre muaj përpara Kuvendin për mbarimin e mandatit të dy anëtarëve të tij. Komisioni për Ekonominë dhe Financat, në cilësinë e komisionit përgjegjës për këtë Institucion, bazuar në ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës si dhe nenin 111 të Rregullores së Kuvendit, duhet të marrë në shqyrtim propozimet e grupeve parlamentare me më shumë se 28 deputetë apo propozimet e 28 deputetëve të ndryshëm, të cilat duhet të paraqesin së paku dy kandidatura alternative për secilin vend vakant.( 2 kandidatë për një vend anëtari ).

Që të fillojë procedura parlamentare, ftohet çdo grupim deputetësh prej jo më pak se 28 deputetë t’i përcjellin propozimet e tyre Kryetarit të Kuvendit me kandidaturat alternative për secilin vend vakant. Kuvendi duhet të ketë së paku 4 kandidatura të vlefshme për plotësimin e dy vendeve vakante” njofton Kuvendi.

Kryetari i Kuvendit, referuar njoftimit zyrtar, sipas Rregullores së Kuvendit, e delegon më tej procedurën pranë komisionit përgjegjës për Ekonominë dhe Financat.

Kandidaturat e propozuara nga deputetët duhet të shoqërohen me një CV të kandidatit dhe me pëlqimin e tij për mbështetjen e kandidaturës së tij nga deputetët. Propozimi i kandidaturave alternative nga këto grupe deputetësh duhet të mbështetet bazuar në kriteret e nenit 20 të ligjit 9121/2003, i ndryshuar, si dhe në nenin 22 të këtij ligji për papajtueshmëritë. Gjithashtu kandidaturat e propozuara nga deputetët, duhet të zbatojnë edhe ligjin e dekriminalizimit, pra të plotësojnë formularin e dekriminalizimit i cili gjendet i publikuar në faqen e Kuvendit.  Në zbatim të ligjt nr nr.45/2015, “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish – Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, të gjithë kandidatët e propozuar nga deputetët, duhet të plotësojnë edhe formularin e miratuar me vendimin nr.3, datë 30.01.2017, nga Autoriteti për Informim mbi dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit i cili gjendet i publikuar në faqen e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit” vijon njoftimi i Kuvendit.

Afati për depozitimin e kandidaturave alternative pranë Kryetarit të Kuvendit, për secilin vend vakant është data 17 Nëntor 2017.

Në këto kushte, janë njoftuar të gjithë grupet parlamentare/grupimet e deputetëve që plotësojnë numrin prej jo më pak se 28 deputetësh që të paraqesin propozimet e tyre për dy vakancat e shpallura.

SHKARKO APP