Kuvendi: Të hetohen privatizimet e Berishës dhe Nanos

Të gjitha privatizimet dhe kontratat e rëndësishme koncesionare, të firmosura gjatë 25 viteve të pluralizmit, do t’i nënshtrohen auditimit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Kjo është detyra kryesore që Kuvendi i Shqipërisë i ka lënë Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Ky institucion do të ketë tre vjet afat për të kaluar në sitën e ligjshmërisë dhe kostos financiare të gjitha koncesionet dhe privatizimet kryesore në 25 vitet e fundit. Shkeljet, sipas rëndësisë dhe pasojave, me shumë gjasa, do të referohen në institucionet e reja të drejtësisë, në Prokurorinë e Posaçme dhe Gjykatat Speciale.

Kambanat bien për qeveritë e drejtuara nga Sali Berisha dhe Fatos Nano, pasi koncesionet kryesore të tre viteve të fundit, nën drejtimin e qeverisë “Rama”, kanë qenë objekt kontrolli nga KLSH.

“KLSH­-ja nxitet që për 3 vjet të auditojë të gjitha privatizimet dhe kontratat koncesionare të realizuara në sektorët strategjikë në 25 vitet e fundit, për të vlerësuar ligjshmërinë, efektivitetin dhe ndikimin e tyre në Buxhetin e Shtetit dhe te publiku”, thuhet në rezolutën e Kuvendit për KLSH.

Privatizimet dhe koncesionet që do hetohen  Po cilat janë koncesionet dhe privatizimet strategjike, të realizuara gjatë kohës së qeverisë “Nano” dhe qeverisë “Berisha”, mbi të cilat ka një mal me dyshime dhe indicie për organin e akuzës? Dy privatizimet më të rëndësishme, por të dështuara të qeverisë “Berisha”, me kosto të rëndë financiare për buxhetin e shqiptarëve, janë privatizimi i ARMO­s dhe OSHE.

Të dy privatizimet strategjike sot konsiderohen të dështuara dhe të pa hetuara. Po ashtu, Berisha tentoi të privatizonte edhe Albpetrolin, por dështoi në fillim të procesit, për shkak se nuk u pagua garancia, pra 10 përqindëshi i ofertës, 85 milionë euro. Po ashtu, qeveria “Berisha” dha me koncesion katër hidrocentrale të fuqisë së mesme, konkretisht; Ulëz, Shkopet, Bistrica 1, Bistrica 2. Deri më sot, askush nuk është veshur me përgjegjësi penale për abuzimin me pasuritë më të rëndësishme publike.

Ndërkaq, në kohën e qeverisë “Nano”, u privatizuan Albtelekomi dhe AMC, për të cilat Berisha ka artikuluar një lumë akuzash. Po ashtu, gjatë qeverisjes së “Nanos” u privatizua Banka Kombëtare Tregtare, një aset i rëndësishëm, e cila u ble nga turqit.

U privatizua edhe Banka e Kursimeve, ndërsa u dha me koncesion Aeroporti Nenë Tereza, koncesion i cili sot po u kushton shtrenjt shqiptarëve.

SHKARKO APP