Ky është Xhorxh Bushi nga Laçi

Do kishte qenë vërtet fantastike sikur këtu e 9 vjet më parë, në Fushë Krujë të takoheshin dy Xhorxh Bushër, ai nga Teksasi në krye të Shtëpisë së Bardhë, me atë nga katundi Shullaz aty afër. Por ja që nuk ndodhi dhe ky është pengu i 24-vjeçarit që gëzon një emër të vënë nga i ati në agun e lirisë dhe demokracisë, mu në kohën kur Xhorxh Bush plaku do bëhej i famshëm për sulmin e tij ndaj Irakut pas pushtimit prej këtij të fundit të Kuvajtit.

Pra quhet Xhorxh Bushi, është 24 vjeç, nga fshati Shullaz pranë qytetit të Laçit. Veç emrit, ngjashmëri tjetër me Xhorxhët e Amerikës, si të atin ashtu dhe të birin, ka kapelen e tij të tipit kaubojs që e vë herë pas here mbi kokë. Sa për të tjerat, si prirja për t’u marrë me politikë për t’u bërë dikushi në udhëheqje, nuk ekzistojnë tek ai.

Bushi prej Shullazi tashmë punon në një lavazh në Laç, pasi ka dhe dy fëmijë për të rritur, nga një martesë e shpejtë. Ai ndoshta do kishte qenë një futbollist me emër, por siç nuk qe e thënë që të takohej me adashin e tij amerikan këtu e 9 vite më parë, po ashtu nuk qe e thënë të vijonte rregullisht karrierën futbollistike si profesionist. Nga një dëmtim aksidental do të largohej nga futbolli tre vite më parë. Bushi i Laçit, si sulmues ka fituar disa trofe nga karriera e tij futbollistike dhe është krenar për atë që ka arritur, e tashmë kërkon të zotërojë pozicionin e trajnerit. Këtë dëshirë e ka dhe babai i tij, Nikolla që për të birin thotë se është punëtor i madh.

“Xhorxh Bushi, djali im do të vijojnte të luante sërish futboll, por pati plot dy operacione radhazi dhe nuk mund ta përballojë më lojën. Por kontributin e tij mund ta japë dhe si trajner”, thotë ai. E për t’ju kthyer sërish emrit të rrallë të tij; në fakt Xhorxh Bushi 24-vjeçari laçjan do të asistonte pranë Xhorxh Bushit presidentit amerikan, por pa mundor dot ta përqafonte. Ai tregon se ishte e kishte një dëshirë e madhe që t’i prezantohej duke i thënë: “Unë jam Xhorxh Bushi!” “Isha vetëm 15 vjeç atëherë. U përpoqa por nuk arrita të përshëndetësha me të, njeriun e madh të Amerikës, ku vetëm pak metra ndodhesha larg tij, dhe shërbimet policore nuk më lejuan të afrohesha më shumë. Për mua mbetet dita e shënuar, ndërsa shpresoj dhe të takoj nëse një ditë mund të udhëtoj në shtetin amerikan”, shprehet Xhorxh Bushi nga Laçi.– Tesheshi.com

SHKARKO APP