La në fuqi pezullimin e zëvendëskryeministres Balluku, Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin e plotë

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur të plotë vendimin për rastin e Belinda Ballukut të marrë më 6 shkurt, ku gjyqtarët u ndanë 4 me 4 dhe për shkak se nuk u arrit shumica, ankimi i kryeministrit Edi Rama u rrëzua dhe u kthye në fuqi masa e pezullimit nga detyra.

Pjesë nga vendimi i Kushtetueses për Belinda Ballukun

Kërkuesi ka pretenduar se midis tij dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe GJKKO-së së Shkallës së Parë, nga ana tjetër, ka lindur një mosmarrëveshje kompetence, sipas shkronjës “ç” të pikës 1 të nenit 131 të Kushtetutës, pasi pezullimi i zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë cenon veprimtarinë e Këshillit të Ministrave në disa nga fushat e përgjegjësisë së tij, si dhe ndërhyn në kompetencat e Kryeministrit, si organ kushtetues, duke sjellë shkarkimin de facto të ministres. Sipas kërkuesit, GJKKO-ja e Shkallës së Parë ka ndërhyrë në diskrecionin që Kushtetuta dhe jurisprudenca e Gjykatës i ka njohur Kryeministrit për të propozuar ministrat dhe në pushtetin ekzekutiv, pasi anëtari i Këshillit të Ministrave gëzon imunitetin e deputetit. Kërkuesi ka pretenduar edhe se GJKKO-ja e Shkallës së Parë nuk ka juridiksion për çështjet që kanë të bëjnë me mandatin e ministrit, deputetit ose të funksionarëve të tjerë të lartë kushtetues, pasi ata nuk janë organe administrative të zakonshme, por organe kushtetuese, për rrjedhojë mandati i tyre përbën çështje të së drejtës kushtetuese. Sipas tij, në rast se do të lejohej pezullimi nga detyra i një funksionari kushtetues, siç është ministri, do të duhej që Kushtetuta ta parashikonte shprehimisht këtë mundësi dhe organin kompetent për të vendosur pezullimin. Për sa kohë nuk ka një parashikim të tillë për ministrin në Kushtetutë, pezullimi i tij nuk mund të kryhet. Për këtë shkak lind nevoja për interpretimin e nenit 103, pika 3, të Kushtetutës, i cili ka parashikuar se anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Subjekti i interesuar, Kuvendi, ka mbështetur qëndrimin e kërkuesit, duke parashtruar se ndërhyrja gjyqësore në përbërjen e Këshillit të Ministrave, që Kuvendi e ka miratuar, përbën cenim të drejtpërdrejtë të kompetencave kushtetuese. Pezullimi i një ministri krijon një situatë ku pushteti gjyqësor ndërhyn drejtpërdrejt në funksionalitetin e organit më të lartë ekzekutiv kushtetues, si dhe në aftësinë e tij për të marrë vendime në fushën e përgjegjësisë së ministrit të pezulluar, duke krijuar një pamundësi faktike për ushtrimin e kompetencave kushtetuese të Këshillit të Ministrave. Sipas subjektit të interesuar, vendimi i GJKKO-së së Shkallës së Parë krijon një situatë juridike që bie në kundërshtim me kompetencat që Kushtetuta i ka njohur Kuvendit në procesin e formimit dhe funksionimit të Këshillit të Ministrave, pasi krijon një gjendje faktike që është në kundërshtim me vendimin e Kuvendit për dhënien e votëbesimit. Po kështu, sipas Kuvendit, pezullimi krijon një situatë të paparashikuar kushtetuese, që ndikon drejtpërdrejt në marrëdhënien funksionale ndërmjet tij dhe Këshillit të Ministrave.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?