Lulzim Basha takim me Donald Trump në SHBA

Kreu i PD-së, Lulzim Basha gjatë vizitës në SHBA është takuar me Presidentin Donald Trump. Fotoja e takimit është postuar nga kreu i PD-së në rrjetin social Facebook. Basha ka folur dhe se çfarë ka diskutuar me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Takim i jashtëzakonshëm me Presidentin Donald Trump! Vizioni dhe kauza e tij janë frymëzim dhe inkurajim kolosal për lëvizjen tonë për një Republikë të qytetarëve, me ekonomi të fortë dhe të nesërme të sigurt për të gjithë shqiptarët. Sapo mbylla një vizitë dy ditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë Javës së Shtëpisë së Bardhë për Zhvillimin e Fuqisë Punëtore ku po diskutohen iniciativat e administratës Trump mbi uljen e taksave, trajnimin profesional, stazhet e punës dhe financimin e studimeve. Mirënjohje të pakufishme Presidentit Trump dhe SHBA për mbështetjen për Shqipërinë dhe shqiptarët!”,- shkruan Basha.

Ky është takimi i parë i një politikani të lartë shqiptar me Donald Trump pas zgjedhjes së tij si President i SHBA-ve. Edhe pse një foto e tillë ka qëllim për tu përdorur gjatë fushatës elektorale, takimet të tilla të politikanëve shqiptarë, jashtë kontekstit personal, vlejnë dhe për raportet mes dy vendeve.

Pavarësisht kësaj, kjo foto e Bashës me presidentin amerikan në kulm të fushatës elektorale do të jetë në qendër të aktivitetit politik të opozitës gjatë ditëve të mbetura deri në zgjedhjet e 25 qershorit.

SHKARKO APP