Lajm i keq për punonjësit e shtetit/ Qeveria nuk do të rrisë pagat vitin e ardhshëm

Punonjësit e shtetit, të cilët me të drejtë kanë shpresuar për rritje pagash për të kompensuar rritjen e çmimeve do të duhet të zhgënjehen. Qeveria do të vazhdojë të mbajë të ngrira pagat e administratës edhe për vitin e ardhshëm duke mos bërë asnjë rritje.

Në draftin e buxhetit të shtetit 2018, fondi për politika të reja pagash është caktuar vetëm 1 miliardë lekë ose 10 herë më pak nga fondi që u përdor për rritjen me 7 për qind të pagave në vitin aktual.

Sipas burimeve nga qeveria, të vetmit që do të përfitojnë një rritje modeste pagash, gjatë këtij viti janë mësuesit, ndërsa pjesa tjetër e punonjësve të sektorit shtetëror do të vazhdojnë të kenë të njëjtin nivel pagash, edhe pse çmimet vazhdojnë të rriten.

Në mandatin e kaluar, qeveria  i mbajti të ngrira pagat, për tre nga katër vitet që qeverisi. Kjo çoi në përkeqësimin e ndjeshëm të standardit të jetesës për punonjësit e sektorit publik, pasi ndërsa pagat ishin të ngrira çmimet u rritën për tre vjet rresht.

Sipas INSTAT, për herë të parë vitin e kaluar, pagat reale në shtet u ulën për herë të parë në 27 vjet me 2.1 për qind, që do të thotë se punonjësit e shtetit u varfëruan.

Vetëm në vitin e fundit të mandatit qeveria alokoi gati 10 miliardë lekë nga buxheti për të rritur mesatarisht me 7 për qind pagat në sektorin publik, një rritje që nuk arriti të kompensonte as rritjen e çmimeve për katër vite.

Rritja e pagave në vitin e fundit të mandatit ishte e motivuar edhe nga qëllimet elektorale. Ajo hyri në fuqi në muajin mars, vetëm dy muaj para zgjedhjeve teksa qeveria e përdori për të fituar pikë në betejën elektorale. Por pasi i fitoi zgjedhjet, qeveria duket se do të vazhdojë politikën e saj të vjetër, atë të ngrirjes së pagave.

SHKARKO APP