Lajme nga Stambolli

Nga Ilir Levonja/Minutë pas minute, lajmet që vijnë nga Turqia flasin për rritjen e numrit të të arrestuarve dhe të viktimave. Ndërkohë një dalldi e madhe njerëzore po flirton fort me mbrojtjen e demokracisë në vend, gati të ekzaltuar. Fotot në webet e botës janë një dëshmi e ftohtë. Ushtarë të gjunjëzuar dhe njerëz të irrituar përsipër. Tanke të braktisur ku hokorija ka vetëm një emër, fitore. Ata janë kryesisht mbështetës të fortë të Erdoganit. Që sipas të gjitha të dhënave rreth përkrahësve të tij, vijnë nga zonat rurale të Turqisë. Andej nga buron dhe sundon pushteti në vend, apo diktati modern i Rexhep Taip Erdoganit. Një ekstazë që po aludon, për kthimin e dënimit me vdekje. Nga ana tjetër janë edhe njerëz të thjesht që sigurisht nuk duan që vendi i tyre të përfshihet nga kaosi dhe anarkia.

Kjo e gjitha për shkak të të ashtuquajturit grusht shteti, që në Turqi janë një histori normale. Sidomos pas shtetit laik, që krijoi Qemal Ataturku, njeriu reformator dhe krenaria e aktuale e vendit.

Mirëpo është grushti më pak i rezistueshëm, në raport me traditën. Me ato që kanë ndodhur midis shtabit të ushtrisë dhe qeverive. Nga kjo aludohet madje dhe akuzohet drejtpërdrejtë Erdogani si një ideator. Ndërkohë që vet qeveria e ka shenjuar menjëherë Fetullah Gylenin dhe lëvizjen me emrin e tij si autor. Kur ky i fundit, nga Amerika njofton se dënon ashpër çdo përpjekje apo inisiativë të marrjes së pushtetit përmes  një grushti shteti.

Çfarë është pra e gjitha? Ka me dhjetëra arsyetime. Megjithatë pika më e nxehtë është

rreziku i rënies së sekularizmit shtetëror. Pra që shtetit turk nga një shtet laik, po kthehet në një shtet fetar. Kjo kryekëput në kundërshtim me amanetin kushtetues të Qemal Ataturkut.

Dhe tjetra kapja e javashtë, por me hapa të sigurtë e pushtetit absolut prej Erdoganit. Ai vjen nga një parti e rrëzuar njëherë kësisoj. Dhe kjo i jep të drejtën klanit sekular të mendojnë se rreziku nuk ka mbaruar. Kapja e tij, tashmë, është realitet. Ajo që në dukje po bëhet ne votë. Por faktet thonë se është një votë e fituar përmes dhunës, dëbimeve, burgosjeve që sigurisht nuk janë mjete të demokracisë së vërtetë. Eshtë një votë që po përdorë besimin fetar për interesa të pushtetit personal. Një praktikë e mbështetur në shtresat e ulta, shtresa të cilat, pavarsisht forcës perandorake të shtetit turk, janë një botë e dytë shumë e shumë më poshtë nga niveli i luksit të pallatave presidenciale. Dhe në historinë e njerëzimit dihet se revolucionet, qofshin të buta apo ato të natyrës me ekstazë, pankarta, marshime, dominohen prej prurjesh nga ky soj.

Nisur edhe nga situata në rajon, shteti islamik, Siria në luftë civile prej kaq vitesh. Iraku, Libia etj…, ku përvoja tregoi se rrëzimi dhe ekzekutimi i diktatorëve si Sadam Huseini, apo Momar Gedafi, rezultoi fatal në prishjen e paqes në rajon. Dhe se vendet e lindjes, nuk e kanë akoma të qartë konceptin e demokracisë. Në një apo tjetër mënyrë, duan të bëjnë demokraci me ligjet patriarkale. Luftrat e brëndshme fetare në vendet arabe, që janë në buzë shpërthimi. Shto edhe prag falimentimin e Greqisë etj…, i japin Erdoganit shancin e artë. Ndaj sot njerëzit e shohin si babain e paqes. Ndofta komoditetin e një lloj Putini në Bosfor.  Megjithatë, përpos sa e sa të vërtetave. Më e hidhura është situata në Stamboll. Kaosi, anarkia dhe viktimat. Njerëz që mendojnë se i shërbejnë demokracisë, që vriten në emër të saj, pa e kuptuar asnjëherë se kanë ngritur në qiell, një tjetër diktator.

Po ne shqiptarët çfarë lidhje kemi me realitetin turk? E para kemi qënë pjesë e Turqisë kur jemi pushtuar prej saj. Dhe e kemi ndihmuar atë të pushtojmë vetveten. Të pushtojmë edhe të tjerët. Kjo është edhe epoka e pashallarëve që ne i shohim akoma me adhurim.

E dyta kemi përfituar besim fetar prej saj. Dhe e kemi ndihmuar atë në fetarizimin tonë.

E treta jemi justifikuar me ‘të si një mbrojtëse e jona për shkak të dyndjes së sllavizmit. Duke përdorur metodat e saj në pushtime territoresh, për të sunduar keq vetveten. Jo si shqiptarë, jo si raca më vjetër. Por herë si turq të rinj, herë si sllavë, herë si grek. E katërta, po e imtiojmë atë…, po i shërbejmë asaj. Në praktikat politike të Erdoganit. Në praktikat fetare të antisekularizmit shtetëror, duke vetmuar e hallakatur, dasuar shqiptarin e fustanellës. Me atë të çallmave dhe ferexheve.

Kjo po ndodh përditë. Dhe ne përditë po vrasim veten tonë.

SHKARKO APP