Lajme të mira për bizneset

Iniciativa për të ndryshuar çdo situate kaotike në sistemin e inspektoriateve në vend, ka gëzuar pa masë bizneset dhe do t’i japë atyre impulse energji të reja dhe pozitive në tërësi.

Nga Zenel Çeliku

Një ditë më parë Kryeinspektori i Përgjithshëm, Shkëlqim Hajdari, deklaroi publikisht se bizneset duhet “të mos pranojnë më inspektor me laps e letër në dorë, pasi çdo kontroll mundet të behet online”. Në muajin shtator do të nisë puna për reformimin në të gjithë inspektoriatet duke i reduktuar, nga 16 inspektoriate që janë sot, në 6 apo 7, gjithnjë duke qenë nën varësinë e Inspektoratit Qendror. Kryeinspektori i Përgjithshëm, Hajdari, i cili është figura qendrore që do të bëjë këtë reformë në këtë institucion shumë të rëndësishëm, publikisht tha se do të marrë fund kalvari i stresit të bizneseve si pasojë e inspektimeve pa asnjë kriter. Si pasojë e kësaj reforme shumë interesante dhe shumë e mirëpritur nga bota e biznesit, Inspektoriati Qëndror do të ketë në varësi Inspektoriatet e Mjedisit, Shëndetësisë e Ushqimit, IKMT, Inspektoriatin e Teknikës, të Punës dhe atë të Transportit. Iniciativa e kësaj reforme në Inspektoriate, është në sinkronë me qëndrimin e Kryeministrit Rama, i cili para pak ditësh tha se do të reduktohet disa institucione që në vetvete janë qendra burokratike, por edhe korrupsioni. Shkëlqim Hajdari, i cili do të udhëheqë këtë reformë të rëndësishme në këtë sektor, deklaroi se reforma e ndryshimit të këtij sektori do të fillojë këtë Shtator dhe do të vijojë deri në 3 vjet. Qëllimi i kësaj reforme është që inspektoriatet që do të jenë ekzistente, të jenë eficente dhe të udhëhequr nga ligji dhe vetëm ligji, kështu do të zhduket edhe stresi i bizneseve, por edhe korrupsioni. Inspektorët mbas kësaj reforme duhet të kryejnë me ndershmëri detyrën që i ngarkon ligji, por duke mos e luftuar biznesin kur ato janë në rregull me Ligjin.

Ka me mijëra raste që biznesmenët kanë menduar që ti mbyllin bizneset e tyre sepse kontrolloheshin pa asnjë kriter, edhe pse i kishin shlyer të gjitha detyrimet ndaj shteti. Deri tani një biznes inspektohej nga tatim-taksat, nga tatimet e bashkisë, nga shëndetësia, nga inspektoriati i ndërtimit, nga inspektoriati i punës, nga peshëmatjet e të tjera inspektime që nuk i është dëgjuar emri ndonjë herë. Kryeinspektori Hajdari, bëri me dije publike që bizneset të mos pranojnë asnjë trupë inspektimi, bizneset nuk duhet të pranojnë asnjë Inspektoriat që ti bëjë inspektimet me blloqe në dorë në mënyrë klienteliste apo korruptive, sepse tashmë janë të gjitha mundësitë që çdo kontroll të kryhet online. Inspektorët duhet të përmbushin të gjithë detyrimin ligjor që kanë për ta bërë inspektimin si proces administrativ të ndershëm nëpërmjet dokumenteve standarde, me një procedurë të rregullt administrative dhe vetëm online. Marifetet korruptive të inspektorëve të ndryshëm të cilët thonë; “erdhëm sot për kontroll, por do të do të vijmë sërish nesër”, këto janë metoda mesjetare dhe korruptive-tha Hajdari. Pa dyshim ky qëndrim i Z.Hajdari është lajm shumë i mirë për mbarë bizneset të cilët kur hapnin bizneset e tyre në mëngjes, rrinin gjithë frikë sepse në një ditë vinin 3-4 inspektime të ndryshme të cilët prodhonin korrupsion, stres dhe dëmtimin e bizneseve.

Në tranzicionin e egër dhe të gjatë që po kalon Shqipëria, biznesi pa asnjë diskutim ka kaluar dhe po kalon ditë të vështira për shumë e shumë arsye, por ja që “armikut” të biznesit i erdhi fundi. Iniciativa për të ndryshuar çdo situate kaotike në sistemin e inspektoriateve në vend, ka gëzuar pa masë bizneset dhe do t’i japë atyre impulse energji të reja dhe pozitive në tërësi. Të mos harrojmë se bizneset janë ato subjekte që mbajnë një peshë të madhe të punësimit të njerëzve, që do të thotë se biznesi duhej të konsiderohej nga inspektoriatet, si partner i çmuar, dhe jo si armik dhe si burim korrupsioni. Është shumë e vërtetë se marrëdhëniet biznes-ispektoriate, kanë qenë dhe janë marrëdhënia gati, gati-gati armiqësore. Kaq mjafton që Kryeministri dhe më pas Kryeinspektori i Përgjithshëm, të kuptojnë se kjo situate nuk mundet të shkojë më tej, çdo gjë duhet të ndryshojë që biznesi të marrë frymë lirisht, por nga ana tjetër edhe të shlyej të gjitha detyrimet ndaj shteti.

Në gjykimin tim, në krye të kësaj reforme shumë të rëndësishme, është gjetur njeriu i duhur-juristi i njohur Shkëlqim Hajdari, i aftë, serioz, njohës i perfekt i ligjeve dhe këmbëngulës në detyrën që Ai merr përsipër. Taksat e biznesit në nivelin zero apo shumë te ulëta, dhe kjo reformë e cila është shumë e rëndësishme, është jetike për biznesin edhe për faktin se kështu i hapet dritë jeshile edhe shumë njerëzve të cilët hezitonin të hapin biznese të reja, vetëm e vetëm nga stresi dhe korrupsioni që mbillnin inspektoret e lloj-lloj inspektoriateve.

 Koha e mirë duket që herët-thotë populli, ndaj me besimin që ky fillim është ajo që duhej bërë shumë kohë më parë, nesër kjo iniciative e shkëlqyer do ti hapë rrugë shumë njerëzve që të hapin edhe më shumë biznese, që do të thotë edhe më shumë vënde pune për shqiptarët.

SHKARKO APP