Lamtumirë solar, ja ilaçi që “imiton” dritën e diellit

Shkencëtarët kanë arritur të krijojnë një medikament të ri, i cili premton të revolucionarizojë mënyrën e nxirjes së trupit. Ilaçi imiton dritën e diellit, duke e nxitur lëkurën të prodhojë pigmentin melaninë, që jep efektin e nxirjes në plazh pa dëmtimin e rrezeve ultravioletë.

Aktualisht janë kryer një sërë testesh te minjtë dhe në kampione lëkure. Ekipi i ekspertëve të spitalit “Massachusetts General Hospital” mendon se mjekimi do të funksionojë edhe te kuqot, që zakonisht vetëm skuqen kur dalin në diell, pa mundur të nxihen siç duhet.

Ai praktikisht nxit një zinxhir reaksionesh kimike, të cilat çojnë në prodhimin e melaninës mbrojtëse të shtresave të brendshme të lëkurës. Ilaçi fërkohet në lëkurë, e në këtë mënyrë procesi merr udhë.

Doktori David Fisher i tha BBC-së se, efekti nxirës është mjaft i fuqishëm. Kjo përbën një qasje krejt të re sipas tij ndaj “nxirjes së rreme”, e premton të anashkalojë nevojën e solarit dhe ekspozimit të madh ndaj rrezeve të dëmshme të diellit.

Kërkuesit e kanë bërë të qartë se qëllimi i tyre nuk është krijimi i një produkti kozmetik. Ideja lindi nga mungesa e progresit në raport me kancerin e lëkurës, ndaj dhe kërkojnë që krijimi i tyre të shihet si ilaç, duke qenë se melanina e prodhuar prej tij arrin t’i bllokojë rrezet e dëmshme ultravioletë.

SHKARKO APP