Landfildi i padive penale
Nga Irfan Rama
Jo shumë kohë pas mesditës të së shtunës po qëndroja në një lokal të kryeqytetit me një mik timin dhe si në çdo lokal, që ka një apo shumë televizorë, syri e veshët jo në të rrallë vrapojnë rrëmbimthi drejt faktorit impresionues të shqisave tona. Dhe tashmë që kanalet televizive janë joshur së shumti pas “breaking- news”-ve, që shumë shpesh as nuk bëhet fjalë për to pasi edhe një lopë që prodhon qumësht para deputetit, ministrit apo.. përbën ndalesë apo ndërprerje të emisioneve, ne të dy u beftuam nga një lajm që na u përduk “sensacional”, sepse kishte të bënte për një emër VIP shqiptar të politikës e pushtetit lokal, për shkelje ligji, ndërtim banesash, penalitete, inukëra, shefa, drejtuesa, specialista… Në “hartën kontur” të lajmeve dëgjuam si fillesë dëgjese sensacionale rrokëzimin Lulzim Basha dhe padinë penale. “Aq e pati, – thamë të dy, – edhe Lul Basha paska diçka për vaki. Pas Saliut – ndërmendësova – që “pritet” të futet në burg, edhe shefi i opozitës po shkon drejt qelisë. Shefja e INUK-ut shqiptar mori ekranin e plotë dhe lexoi si e përzënë në faj “pretencën” ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha e dy vartësve të tij apo tre. INUK ka paditur në prokurori të Tiranës, Bashën për dhënien e një leje ndërtimi në mënyrë të paligjshme në X vend, që “rrethohet” nga kjo e ajo banesë. Padi penale! Për një ndërtim! “A thua futet në burg Lulëzim Basha për dhënien e të vetmes leje ndërtimi të jashtëligjshme për afro katër vjet? Vetëm njëckë ngrehinë pa leje paska dhënë Luli për një mandat?-pyeste miku im dhe vijonte: “Po ai nuk u fut në burg për qindra milionë dollarë për Durrës- Kukës- Morinë e kushedi sa qindra metër letër padira e hetime u përdoren e pasi “mbaroi” koha me rërë u mbyll çështja”. Si është e mundur thashë me vete që për një leje banimi të dhënë për dikë tjetër, jo për veten e tij, të bëhet një padi penale, kur e gjithë Shqipëria është në informalitet, kur mijëra e mijëra e mijëra “tapi” tokash të zëna, ngrehina një, dy, tre e shumë dimensionale, hotele të mëdhenj e të vegjël në bregdet, det, male, alpe, servise, stalla droge e lopësh e shumëçgjë tjetër po jepen me ceremoni e me gaz e hare. E shumë mirë që po jepen se do të fillonte Lufta e Katërt Botërore, e gjallë askërkush me meca e me fëmijë nuk do të dilte nga ato qindra mijëra ngrehinasa të fshatit e qytetit. Po ç’ne thash me vehte rishtazi, si nuk kanë mundur t’i gjejnë nja dy apo tri gjëra të tjera kryetarit e shefit të Bashkisë e OPOZITES dhe t’a rrasin taman në burg tok me Berishën se i bëjnë “nder” opozitës dhe atëherë fillon grushti e shqelmi në opozitë kush përmerr pushtetin e partisë. E pastaj, Opozita “futet” tamam në zgjedhje! “Po tallen me ne më duket,- artikuloi si me nerva miku im,- institucionet e shtetit bëjnë sikur po punojnë, madje përgatisin edhe një mal me letra, me padi penale nga më të ndryshmet. Futen në burg vetëm ca “Homos jomikus” apo “banorë të steresë” së shpëlarë se oficerët, komandantët e gjeneralët nuk i mbërrijnë hekurat e pangjyrosur. Ai i bashkisë së Vlorës dhe i Kamzës shpëtuan nga hekurat me demonstrata socialiste e demokratike. Më duket se këto të pozitës e kanë sa për ta trembur Bashën, se e dinë fort mirë se askush nga prokurorët shqiptarë nuk mund t’ja shtërngojnë vidhat e hekurave. Edhe po e hetuan do ta nxjerrin të pafajshëm”. “Shumë padi penale, – vijova unë, – janë bërë këto 23 vjet në Shqipëri për shkelje të ligjit dhe një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë shkuar në koshat e kazanët e plehrave. Përsa i përket politikanëve, vetëm Fatos Nano e ndonjë tjetër është futur në burg, për të tjerët gjithçka është mbyllur. E kush ka qenë dallgëthyesit ose cfratët për zbatimin e ligjit? Gjithherë politika dhe drejtësia. “S’ka landfild që i përmbledh tonelatat e letrave me padi penale që janë shpenzuar e do të harxhohen ashtu kot së koti”,- tha miku miku im.