Larg “sindromës së institucionit”…
Nga Entela Binjaku
Në vendin tonë, ka një qasje skematike, konformiste të opinionit publik ndaj shtëpive të fëmijës, qëndrim i trashëguar por edhe i fituar me kalimin e kohës. Në opinionin e qytetarëve shqiptarë këto janë institucione të mbyllura, ku presupozohet keqardhja, ku ata që kalojnë jetën brenda tyre janë disa fatkeqë, për të cilët shoqëria nuk bën dot gjë për t’i ndihmuar etj. Psikika e shoqërisë sonë e cila nuk thellohet në analizën e njohjes së anëtarëve të saj si dhe mendësia e mbylljes së vetë këtyre institucioneve, nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë përforcuar këtë mendim stereotipizues. Ndërkohë edhe vizitat në dyert e tyre kryesisht apo vetëm në ditë festash, nga ana e aktorëve të politikës, ka bërë që ata edhe të shoqëruar me media, të kthejnë vektorin e vëmendjes në kahun e tyre, ndërkohë që do të duhej të ndodhte e kundërta. Pikërisht në këtë situatë, në mbështetje të qëllimit për njohjen e njerëzve në nevojë, dhe konkretisht të fëmijëve që jetojnë në këto institucione, Fondacioni “Harriet Martineau” ju drejtua me një lutje zyrtare Shërbimit Social Shtetëror. Në qendër të saj ishte dëshira për të kryer një vizitë në Shtëpinë e fëmijëve parashkollorë në Shkodër. Qëllimi ishte t’u ofronim fëmijëve shërbimin dentar duke ju dërguar pranë mjekun stomatolog, i cili do të bisedonte me ta, në mënyrë që të shpëtojnë “nga frika e zakonshme prej dentistit”. Ky qëllim shkon edhe në mbështetje të misionit të organizatës për edukimin, që duhet të nisë që në vogëli. Me marrjen e miratimit zyrtar, u kontaktua drejtuesja e këtij institucioni znj. Anjeze Gjeluci e cila tregoi një gatishmëri të admirueshme për të na mirëpritur. Në emër të Fondacionit ishin planifikuar disa dhurata simbolike, të grumbulluara falë vullnetit të miqve me ndjeshmëri ndaj kauzave sociale. Me sugjerimin ndihmës të drejtoreshës, këto u orientuan drejt nevojave që kishin vogëlushët. Për shkak se nuk kishim qenë asnjëherë në këtë institucion, shkuam në njërën prej shtëpive të shtëpisë së fëmijës që gjendet në këtë qytet, por siç mësuam, shtëpia që kërkonim, ishte diku tjetër. Për të na ndihmuar, u ofrua një djalë rreth të 15-tave i cili na shoqëroi me biçikletë, karakteristike në Shkodër, drejt e në destinacionin e kërkuar. Duke e falënderuar na tha “Se e kishte për detyrë..se edhe ai i shtëpisë së fëmijës ishte!”. Takimi me vogëlushët ishte gëzim më vete. 23 fëmijë, të gjithë të moshës 3- 6 vjecc. Sapo kishin ngrënë drekën, një pjesë u kthyen nga shëtitja në qytet, të cilën siç na tha drejtoreshë Anjeze “e programonin thuajse 3 herë në javë”. Në shoqërinë e punonjëses sociale, të edukatoreve dhe drejtoreshës ata vogëlushë u miqësuan shpejt me ne, na ndoqën me vëmendje dhe mezi ç’prisnin hapjen e dhuratave…si çdokush… Njëra nga edukatoret na tha se kishte 20 vjet që punonte në këtë institucion dhe se thuajse të gjithë për të cilët ishte kujdesur ktheheshin dhe e takonin hera-herës. Drejtoresha e kësaj shtëpie ndodhej në këtë detyrë që prej 1 viti e gjysëm. Në plot kuptimin e fjalës, ajo ishte një shembull për t’u marrë shembull. E përkushtuar, me ndjeshmëri të lartë, fëmijët e donin, njihte psikologjinë e tyre, e hapur dhe transparente për të gjithë që dëshironin të kontribuonin…Ashtu kishte vepruar edhe me ne.
Fëmijët që shkojnë të jetojnë në institucionet shtetërore të kujdesit janë fëmijë me situata specifike, ku mbizotëron varfëria dhe pamundësia e plotësimit të nevojave. Një pjesë e madhe e vogëlushëve të kësaj shtëpie ishin fëmijë të marrë nga rruga dhe kryesisht kishin lypur. Strehimi dhe kujdesi në këtë institucion ju krijoi jo vetëm kushte të ndryshme jetese por edhe një tjetër aspiratë për jetën. Edhe pse sot ata janë të vegjël së paku në kujtesën e tyre fëmijëria mund të kthehet në një fazë të bukur, ku njerëzit që i rrethojnë tregojnë vëmendje dhe respekt ndaj nevojave të tyre. Fëmijëve ju shpërndanë librat e dhuruar falë kontributit të miqve të cilët sapo mësuan për këtë nismë, treguan shumë gadishmëri. Pasi vizituam mjediset e saj, pasi u njohëm me ndryshimet e përmirësuara të kushteve, kuptuam se në këtë mjedis njerëz të dashur japin nga dashuria e tyre. Njohja e kontributit të individëve të organizuar në OJF-ra ose jo, që e shohin ndryshimin që synojnë, do ta ndihmonte shoqërinë të tregojë forcën ndikuese kur mbështet njerëzve në nevojë. Pasqyrimi i punës që kryhet në këto institucione, njohja me nevojat e fëmijëve, transparenca në përdorimin e kontributeve do t’i shërbente rritjes së ndërgjegjes shoqërore për t’u solidarizuar me qytetarët që jetojnë në vështirësi. Të tillë ka shumë në radhët e shoqërisë sonë..edhe nga ata që janë në nevojë, edhe nga ata që mund të ndihmojnë, por kur të gjithë sëbashku jetojnë me stereotipizimin, “sindroma e institucionit” vazhdon të mbetet e fortë dhe mbizotëruese. Për çrrënjosjen e saj shoqëria mund të nisë çdo ditë, me të gjitha mundësitë që ka dhe që mund të gjenerojë në radhët e saj…