Le courrier d’Espagne: Përjashtimi nga taksat për hotelet me 5 yje, Shqipëria kërkon vendin e saj në turizmin e luksit

Përjashtimit nga taksat për 10 vite për hotelet me 5 yje, si një iniciativë e deklaruar nga Kryeministri Rama, duket se i është dhënë jehonë edhe në mediat e huaja të cilat e shohin këtë si një përpjekje të Shqipërisë për të nxitur turizmin e luksit.

Le courrier d’Espagne, gazeta e parë spanjolle në frëngjisht, nënvizon se kjo duket si një konkurrencë për fqinjët si Greqia, Kroacia, Italia madje edhe përtej fqinjëve deri tek Spanja, për t’i marrë tregun.

Më poshtë artikulli i plotë i publikuar nga kjo media

“Shqipëria po kërkon vendin e saj në turizmin e luksit. Qeveria e Edi Ramës njoftoi këtë verë një sërë masash për të nxitur turizmin dhe rritjen e tij. Këto masa konsistojnë në : përjashtimin nga taksat për 10 vjet për të gjitha hotelet me 5 yje, por kjo është një masë që mund të shtrihet edhe tek ato me 4 yje dhe që kategorizohen si luksoze por që janë të rrallë.

Me këtë paketë nxitëse Shqipëria Shpreson të zerë një vend në skenën e turizmit ndërkombëtar duke hyrë në konkurrencë të drejtpërdrejtë me Greqinë, Kroacinë, Italinë por edhe Spanjën. Situata duket e favorshme për vendin. Të dhënat nga Banka Botërore tregojnë për një bum të vërtetë turistik në Shqipëri. Kurba e numrit të vizitorëve pothuajse nuk ka pushuar së rrituri që nga viti 2000 (me përjashtim të 2012-2013). Ndërsa vendi priti 317 mijë turistë ne vitin 2000 arriti të kalonte në 4.13 milionë në vitin 2015. Kjo do të thotë një rritje me më shumë se 13 herë në numrin e vizitorëve ndërkombëtarë në vetëm 15 vjet.

Gjithsesi bilanci duket të jetë me më pak ngjyra nëse në vlerësim marrim flukset hyrëse të parasë në raport me rritjen që ka provuar turizmi. Shpenzimet e turistëve ndërkombëtare (transport, të mira materiale apo shërbime kanë shënuar një rritje të konsiderueshme në fillim të viteve 2000 megjithatë ato duket se kulmin e tyre e kanë pasur në vitin 2009 (2 miliardë dollarë) dhe që nga ajo kohë janë përfshirë në një spirale në rënie duke arritur në 1.6 miliardë dollarë në vitin 2015.

Kështu, ndërsa Shqipëria po kërkon të vazhdojë rritjen e saj, stimujt reflektojnë gjithashtu vendosmërinë për ta mbështetur këtë rritje”./monitor.

 

 

SHKARKO APP