Lefter Koka: Rama-Basha, një komedi ku flitet vetëm për ndarje pushtetesh
Kandidati kryesues i LSI Qarku Durrës, Lefter Koka, ka zhvilluar një takim entuziast me banorë të lagjes 18. Koka ka sqaruar para banorëve pozicionin e LSI në 4 vite qeverisje me socialistët, duke u shprehur se: – “Ajo çka është kthyer sot në një komedi, është pikërisht qasja e Kryeministrit për ta quajtur këtë punë kaq të madhe të bërë nga njerëzit e LSI. Pabesia miqtë e mi, kudo quhet pabesi! Mosmirënjohja kudo e ka emrin mosmirënjohje! Partia Socialiste, pati vetëm 64 mandate në 2013, dhe sigurisht ,mund të ishte në opozitë dhe i vetmi gabim që ne bëmë, është që i dhamë mundësinë PS dhe Kryeministrit Rama të drejtojë qeverinë për 4 vjet! Bëmë dhe të dytën në 2015, që zgjodhëm Vangjush Dakon kryetar të Bashkisë Durrësit. Po cili do të jetë faji ynë pas 4 vitesh? Sepse e zgjodhëm por betonin spo e hedhim ne. Dhe kur kemi kërkuar nëpërmjet Këshillit Bashkiak ti dalim kundër vendimeve absurde ka patur një aleat tjetër, atë që ka dhe sot, Lulzim Bashën, përfaqësuesit e PD në Këshillin Bashkiak, kanë votuar për ato vendime që e kanë dëmtuar Durrësin, për dëme të parikuperushme. Ne jemi sot në Durrës dhe po shohim atë çka vetëm natyra dhe zoti mund ta bëjë! Dëmtime të cilat janë të parikuperushme!”
Më tej, në fjalën e tij Koka tha: -“ Kam qenë në shumë lagje të Durrësit që, nuk mund t’i quash periferi, të cilat janë në skamje dhe shkatërrim total infrastrukutror. Por, paratë nuk kanë munguar, qeveria qendore dhe vendore kanë qenë në unison për të shpenzuar para, por jo për të rregulluar situatën në qytetin e Durrësit”
Lefter Koka u ndal dhe në faktin se 2 partitë tradicionale nuk kanë program konkret për 4-vjeçarin e ardhshëm: – “Sot, gjendemi në pikun e fushatës dhe qoftë liderat e PD apo PS akoma nuk flasin për një program çdo të bëhet në 4 vitet e ardhshme. Është një komedi ku flasin vetëm për ndarje pushtetesh. A mund të më thoni dot kush e ka drejtuar në Durrës Spitalin? Ujësjellësin? Bashkinë? Po si mundemi të themi nesër që kemi dhe disa fajtore, kemi dhe LSI që e bëri kryetar bashkie?”
Ai përsëritui akuzat për bandat prezent në Durrës, akuza publike që i hodhi edhe në Janar 2017: – “Jeni prezent vetë edhe në lagjen tuaj kur bandat shoqëroheshin nga policia për ti ruajtur nga qytetarët, jo policia nga bandat, por cili ishte mëkati ynë pse deklaruam një gjë të vërtetë?
Kush ishte mëkati ynë? Se denoncuam që gjithë Shqipëria ishte gjelbëruar me hashash? Të heshtnim përgjegjësia morale do të ishte më e madhe, ndaj sot jemi ballë lartë, për tju thënë që ne as kemi qenë as do të jemi qoftë në qeverisje qoftë në koalicion për të heshtur dhe keqeverisur, qytetin dhe vendin në tërësi.”
Ndërkohë, Ministri Koka u ndal dhe në një plagë aktuale të shoqërisë shqiptare, atë të largimit masiv nga vendi për shkaqe sociale dhe ekonomike: “ Është me të vërtete dramatike ta mendosh që mbi 50% e shqipëtarëve mendojnë të largohen nga Shqipëria. Nuk është vetëm ekonomia ajo që bën njerëzit, por është dhe shpresa dhe ajo që shoh në Shqipëri është që njerëzit po bëhen të pashpresë. Dhe njerëzit shpresojnë të vendi kur të kesh rend, arsim shëndetësi. Jam i bindur që qytetarët shqiptarë janë njerëzit më me ambicie, njerëzit që dinë, të ndërtojnë jetën e tyre dhe familjen e tyre, mjafton që politika të gjejë instrumentat e nevojshëm, nëpërmjet taksave, politikave sociale për të ndihmuar qytetarët e saj dhe kjo ka një filozofi shumë të thjeshtë, të dëgjosh dhe bashkëpunosh me ta”.