Lehtësira për klientët e Fondit BESA
Fondi BESA sh.a si një institucion lider në tregun mikrofinanciar shqiptar e vlerëson në mënyrë të qëndrueshme përmirësimin dhe konsolidimin e marrëdhënieve me klientelën e saj, si një ndër arritjet që duhet ruajtur dhe madje perfeksionuar. Për këtë qëllim Fondi BESA dhe Posta Shqiptare nënshkruan dje një marrëveshje bashkëpunimi, për pagesën e kësteve të kredisë në postë për klientët e Fondit. Marrëveshja parashikon që thjeshtimin e procedurave dhe lehtësira praktike për klientët, kundrejt një komisioni më të lirë në krahasim me bankat. Gjatë aktivitetit të organizuar me rastin e firmosjes së marrëveshjes, Drejtori Ekzekutiv i Fondit BESA, Bajram Muçaj, theksoi se nga ky bashkëpunim përfitojnë rreth 30 mijë klientët e Fondit BESA, të cilëve do t’u ofrohet shërbimi atje ku banojnë. “Ky bashkëpunim nuk do të rrisë vetëm cilësinë e shërbimit, por edhe cilësinë dhe shtrirjen e shërbimit në të gjitha zonat që ne mbulojmë. Sot klientët e Fondit BESA, rreth 30 mijë klientë, kanë një alternative të re. E inkurajoj këtë marrëveshje dhe mendoj se ky bashkëpunim do të vijë gjithmonë në një bashkëpunim të frytshëm për postën, Fondin BESA dhe klientin, i cili përfiton më shumë, pasi i ofrohet shërbimi atje ku banon”,- deklaroi Muçaj.
Ndërsa drejtori i Postës Shqiptare, Majlind Lazimi u shpreh i bindur se kjo marrëveshje do të jetë një histori suksesi. “Aseti më i madh i Postës Shqiptare është shtrirja më e madhe në të gjithë Shqipërinë. Kemi integruar sistemet tona elektronike dhe informatike në mënyrë që çdo klient i Fondit BESA të bëjë pagesën e kredisë në postë, kundrejt një komisioni shumë më të lirë se sa ai që ofrojnë bankat. Ambicia jonë kryesore është krijimi i një Poste Bankë. Besojmë që kjo marrëveshje do të jetë një histori suksesi, konfirmimi i një vullneti për tu qasur të gjitha institucioneve, kompanive publike apo private që e shikojnë Postën Shqiptare si partner të shërbimeve financiare dhe bankare”- deklaroi Lazimi.
Nënshkrimi i marrëveshjes së djeshme u mundëson klientëve të Fondit BESA të paguajnë këstet e kredisë jo vetëm në sportelet e bankave, por edhe pranë zyrave të postës, në të gjitha rrethet ku operon ky fond. Fondi Besa sh.a, me një eksperiencë 15 vjeçare kreditimi të biznesit të vogël dhe të mesëm, është i shtrirë pothuajse në të gjithë Shqipërinë, dhe ka një klientelë prej rreth 29,000 klientë aktivë, me një portofol kredie prej 5.8 miliardë lekë, ose e thënë ndryshe në dhënien e rreth 44 miliardë lekësh ose 130,000 kredive që prej fillimit te aktivitetit. Posta shqiptare ka një infrastrukturë të shtrirë në të gjithë vendin dhe është i vetmi rrjet me mbi 80 shërbime, 553 zyra në të gjithë vendin që ofrojnë shërbimin e tyre cilësor në çdo ditë të javës. Synimet e shërbimit postar shqiptar janë të qarta dhe kuptimplotë drejt integrimit evropian, mbështetur në teknologjitë e reja, për të qenë sa më afër përdoruesve të saj, me çmime konkurruese në treg, në mbrojtje të përdoruesve të shërbimit.
Tashmë me 70 Zyra në të gjithë territorin e vendit dhe me një staf prej më shumë se 400 punonjësish, Fondi BESA sh.a. e shikon perspektiven e saj përmes konsolidimit të marrëdhënieve të qëndrueshme dhe përmirësimit të vazhdueshëm me klientët, si një institucion lider në mikrofinancën shqiptare. Në objektivat e saj tre vjeçare 2015-2017 për të disbursuar rreth 22 miliardë lekë me një numër total prej 80,000 kredish përmirësimi dhe konsolidimi në vazhdimësi i marrëdhënieve me klientelën si përmes ofrimit të produkteve apo shërbimeve, të reja vlerësohet si kyçi i suksesit të këtij institucioni në vijimësi.
BOX
Aktiviteti i Fondit BESA
Fondi BESA është një prej kompanive me një eksperiencë 15-vjeçare në tregun vendas të kreditimit të biznesit të vogël dhe të mesëm. Aktiviteti i Fondi BESA është i shtrirë në të gjithë vendin dhe ka një klientelë prej rreth 30 mijë klientë aktivë, me një portofol kredie prej 5.8 miliardë lekë. Fondi BESAështë një ndër institucionet më të mëdha mikrofinanciare dhe lider në Shqipëri, i cili u ofron individëve kredi mikro, të vogla dhe të mesme për të hapur, zgjeruar dhe zhvilluar aktivitete fitimprurëse. Përqendrimi i kredidhënies, së fondit Besa nuk është i përfshirë vetëm në prefekturat Tiranë, Durrës dhe Elbasan, por një numër mjaft i madh i klientëve të saj janë edhe në zonat e Hasi në Kukës, Peshkopi, Malësi e Madhe e deri në Himarë, Sarandë, Devoll etj. Fondi BESA është ndër institucionet financiare kryesore që krediton biznesin e vogël dhe të mesëm me procedurat më përfituese, në krahasim me institucionet. Falë mbështetjes së Fondit BESA janë kredituar mijëra bizneset me pakicë në tregti dhe shërbime, ku përfshihen edhe artizanët dhe zejtarët. Tjetër aspekt i kreditimi më qëllim investimet janë bujqësia, blegtoria, industrinë e fasonëve, ajo ushqimore etj. Me marrëveshjen e arritur dje me Postën Shqiptare synohet që të përmirësohet shërbimi për klientët e kompanisë pikërisht në këto zona, duke ua bërë më të lehtë procedurat. Drejtori Ekzekutiv i Fondit BESA, Bajram Muçaj, tha dje se prioritet i këtij institucioni është shërbimi ndaj klientëve dhe rritja e kapaciteteve për të qenë sa ma afër tyre.
SHIFRA
30 mijë
Klientë aktivë rezulton të këtë në Fondi BESA, me një aktivitet mikrofinanciar që është i shtrirë në të gjithë vendin.
5.8 miliardë lekë
Është portofoli i kredisë së Fondit BESA. Eksperienca mbi 15-vjeçare e në tregun mikrofinanciar në Shqipëri, Fondit BESA cilësohet si një nga kompanitë lider në këtë sektor.
Produktet që Fondi BESA ofron për klientët:
•“Kredi Biznesi” ka si qëllim të financojë çdo lloj biznesi të vogël apo mikro që gjeneron të ardhura si tregti dhe shërbime, aktivitete prodhuese dhe përpunuese, turizëm familjar, ndërtim dhe riparime, transport etj. Këto janë kredi individuale.
•“Kredia për rininë” – një produkt specifik për rininë, që ka si qëllim t’u japë të rinjve një mundësi për integrimin e tyre në shoqëri nëpërmjet mundësisë për t’u vetëpunësuar.
•Kredi konsumatore – ka si qëllim financimin për qëllime konsumatore.
•“Kredi për efiçencën e energjisë” që kanë si qëllim promovimin e investimeve në biznese që inkurajojnë përdorimin efiçent dhe kursimin e elektricitetit.