Leku “ul” kredinë – Kursi i këmbimit tkurr portofolin

Veç kërkesës ende të zbehtë dhe ofertës së shtrënguar, kreditimi po frenohet edhe nga forcimi i lekut në kursin e këmbimit valutor. Sipas Bankës së Shqipërisë, në gjysmën e parë të këtij viti portofoli i kredisë për ekonominë është tkurrur me 8.7 miliardë lekë për efekt të kursit të këmbimit.

Në mungesë të efektit të kursit të këmbimit, Banka e Shqipërisë vlerëson se portofoli i kredisë në fund të gjashtëmujorit të parë do të ishte në rritje në kufijtë e 1%, ndërsa për shkak të kursit portofoli i kredisë, i konvertuar në lekë, ka pësuar rënie me 0.7%.

Rreth 60% e kredisë në sistemin bankar shqiptar është dhënë në monedhë të huaj dhe sidomos në euro. Shifrat e kreditimit të ekonomisë paraqiten të konvertuara në monedhën vendase në lekë dhe, rrjedhimisht, forcimi i lekut, sjell një rivlerësim në ulje të portofolit të kredisë në valutë.

Gjatë këtij viti, leku është forcuar ndjeshëm si ndaj euros, ashtu edhe ndaj dollarit amerikan. Euro ka prekur nivelin më të ulët që nga viti 2009 dhe në mesin e këtij viti, euro u zhvlerësua me rreth 3.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe më i thellë ishte zhvlerësimi i dollarit amerikan, që për të njëjtin interval kohor humbi 6.5% të vlerës kundrejt lekut.

/SCAN

SHKARKO APP