Lëreni të prehet i qetë Hysni Milloshin, nuk ka faj për djalin krimet e djalit
Nga Abdurahim Ashiku/Të gjitha gazetat, të gjithë kanalet televizive, të majtë dhe të djathtë, të tokës e të qiellin, kryefaqeve me germa të zeza e me ngjyra, e kryelajmeve me bujë, kishin të parë emrin e të ndjerit Hysni Milloshi; njeriut, shkrimtarit, poetit, dramaturgut, ish kryetar i Partisë Komuniste të Shqipërisë.
“Vrasja në lokal, në kërkim djali i Hysni Milloshit…”, refren që e gjen në të gjithë lajmet dhe në të gjitha gazetat e televizionet…
I dyshuari për vrasje nuk ka emër të vetin, nuk ka identitet të vetin, ka emrin dhe mbiemrin e babait (!)
Në zakonin e shqiptarit, në kulturën popullore shqiptare, në kanunet që e kanë mbajtur gjallë ndër shekuj, vlera që na bëjnë krenarë, i vdekuri nuk trazohet. Lihet i qetë të prehet në amshim. Madje për të në valle burrash e në kuvende nuk flitet për keq, përkundrazi, kur bie fjala, flitet vetëm për merita.
Prindi mban përgjegjësi për fëmijën sa është gjallë. Kur ikën nuk mban më përgjegjësi as për fëmijën, as për nipin e mbesën.
Hysni Milloshi ka vlerat e veta njerëzore, të punës e të përkushtimit qytetar, ka edhe vlerat e tij politike të lidhura me të qenit kryetar i Partisë Komuniste në një periudhë të kalimit të vendit nga diktatura në demokraci. Për të flet dhe do të flasë historia, për aq vend sa zë dhe do të zërë.
I biri nuk ka pse të përfolët për babanë, rutinë kjo e kohës së diktaturës. Ai mund të jetë shkencëtar për vlerat intelektuale të tij, mund të jetë edhe kriminel apo i dyshuar si kriminel në rastin në fjalë.
Sikur lajmi dhe ndodhia e përcjellë të ishte “rast i vetëm” mbase do të “kalohej” por citimet e prindërve, theksimet biografike për shkak të pasardhësve të tyre në hetime apo në vendime gjyqësore për krime të lehta apo rënda tashmë janë bërë një rutinë në lajme, një showmediatik bajat.
Leni prindërit të prehen të qetë në botën tjetër. Mos ua trazoni kockat atje ku janë. Ata nuk duhet të përfolën e të merren nëpër këmbë për shkak të fëmijëve të tyre.