Leskaj në Kroaci, diskuton për intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe
Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, zhvilloi një vizitë zyrtare në Zyrën Shtetërore të Auditimit të Republikës së Kroacisë.
Sipas zyrës së shtypit të KLSHsë, Leskaj u takua me homologun e tij kroat, Ivan Klesic, pranë selisë së Zyrës Shtetërore të Auditimit, ku kolegët patën rastin të diskutonin edhe më tej intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Asistent-Audituesi i Përgjithshëm dhe drejtuesit e departamenteve të SAI-t Kroat, paraqitën disa prezantime në lidhje me karakteristikat dhe veçoritë e Zyrës Shtetërore të Auditimit, si edhe kontekstin ligjor dhe rregullator ku ajo vepron.
Në përfundim, Leskaj, i ftuar nga homologu kroat Klesic pati rastin të shkruante disa fjalë në librin e përshtypjeve të insititucionit. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka instaluar tashmë një marrëdhënie të konsoliduar me SAI-n e Kroacisë që prej vitit 2012, kur Kryetari i KLSH nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Ivan Klesic, Audituesi i Përgjithshëm i SAI-t Kroat.
Një nga produktet konkrete të këtij bashkëpunimi është pjesëmarrja e SAI-t kroat, së bashku me SAI-n e Polonisë, në zbatimin e Projektit IPA, i cili do të fillojë së shpejti implementimin në përfitim të audituesve të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Në vijim të kësaj vizite të shkurtër delegacioni shqiptar, i shoqëruar nga Audituesi i Përgjithshëm i SAI-t Kroat dhe Lidia Prenar, vizitoi selinë e Parlamentit kroat ku edhe u njohën me praktikat e punës, komunikimit e raportimit ndërinstitucional.
Në këtë takim, Leskaj shoqërohej nga drejtues dhe auditues të Kontrollit të Lartë të Shtetit, të cilët do ta vizitojnë sërish SAI-n kroat në Shtator të këtij viti, tashmë në kuadrin e një programi intensiv trajnimi me një pjesëmarrje më të gjerë të stafit të KLSH-së.