Letër nga një grua shqiptare: Pres fëmijën e një zezaku, familja…
Unë gjithmonë kam qenë ajo që nuk bëja kurrë siç thonin të tjerët, si e kishte zakoni apo tradita. Njerëzit gjithmonë kishin diçka për të thënë dhe kur unë jua ktheja fjalën isha e pasjellshme. Sipas gjyshes time, kudo që do martohesha do e zija deren me ferra se nuk isha ajo kokëulura që verbërisht të bëja si e donte zakoni.
Kam lindur në një fshat të veriut në një familje jo shumë të madhe. U rrita në një shoqëri patriarkale ku femra vlerësohej pak ose aspak. Duke parë gjërat që ndodhnin rreth meje vendosa që unë nuk do bëhesha ajo femra e nënshtruar të cilës nuk i dëgjohej zëri. Prandaj dhe u përqëndrova te shkolla. Isha gjithmonë nxënësja më e mirë. Kur mbarova klasën e tetë fitova një konkurs në një shkollë në Tiranë.
Prindërit e mi donin të më çonin në shkollë, por familjarët filluan t´ju flisnin prindërve për “rreziqet” e të qenurit larg nga familja. Gocat që shkojnë në shkollë nuk bëhen goca të mira dhe se kjo mund të bënte qe unë të ngelja në derë, pasi askush nuk i merr gocat e shkollës sipas tyre. Mbaj mend që ju lutesha të shtëpisë që të mos më privonin dhe ishte babai im ai që vendosi që sido që të shkonin gjërat do më jepte shansin të shkoja në shkollë. Ka qenë një ndër ditët e mia më të lumtura.
U nisa drejt Tiranës me synime të qarta, nuk do lejoja asnjë dhe asgjë të më ndalonte të bëhesha dikushi. Gjatë kësaj kohe të afërmit e mi gjithmonë e hapnin temën që unë nuk isha e fejuar dhe unë gjithmonë jua ktheja dhe sipas tyre kjo goja e madhe do më linte në derë. Pasi mbarova edhe masterin me rezultate shumë të larta fillova punë shumë të mirë, ku kisha një post drejtimi. Pavarësisht se sipas njerëzve unë isha shumë mirë, prapë unë nuk ndihesha rehat, kështu që vendosa të nisem jashte shtetit.
Me shumë mundime arrita të stabilizohem. Gjatë kësaj kohe andej u njoha në kishë me një person të vecantë. Pati një tërheqje të dyanshme, por unë nuk isha e interesuar të nisja një lidhje andej pasi isha e zhgënjyer nga dikush me të cilin isha e fejuar në Shqipëri. Gjithkush që mund të lexojë këtë histori do thotë cfarë paska të veçantë kjo që po na tregon. Personi me të cilin unë u njoha ishte zezak.
Isha shumë skeptike në fillim pasi e dija se nëse unë do nisja diçka me këtë person do hasja kundërshtime të mëdha. E dija që të parët që do kundërshtonin do ishin familjarët e mi. Por unë kisha ndaluar me kohë së jetuari për të tjerët dhe nisa një lidhje me këtë person për veten time. Dhe kam marrë vendimin më të mirë. Ajo që më mundonte gjatë kësaj kohe ishte sesi do ia thoja familjarëve të mi pa krijuar të krisura në marrëdhënien tonë.
Ndërkohë që V. ishte pak skeptik edhe vetë pasi kishte dëgjuar se sa racistë janë shqiptarët. Madje më pyeste gjithmonë sesi mund të reagonin njerëzit e mi dhe nëse do vinte të vizitonte Shqipërinë: a do e ndalonte dikush në rrugë dhe ta shante apo ta qëllonte pse është i zi. Unë ndihesha keq kur mendonte ashtu dhe e siguroja edhe pse vete nuk isha e sigurtë që çdo gjë do të shkonte mirë.
Pak para se t’u tregoja të shtëpisë marr, vesh që jam edhe shtatzënë. Një përzjerje edhe më e madhe emocionesh. Por, në momentin që u thashë të shtëpisë, ata u lumturuan bashkë me mua. Me të vërtetë që nuk e prisja të tillë reagim duke dëgjuar se si komentonin ndonjëherë kur flisnin me miqtë e mi.
Ne jemi shumë të lumtur me njëri-tjetrin dhe të qenurit me të është ndër vendimet më të mira që kam marrë. Ai ka një marrëdhënie shumë të mirë me familjarët e mi, e madje më shumë mendon ai për ta ndonjëherë sesa unë. Ne jemi ai çifti që tërheqim vëmendje kudo pasi edhe në vendin ku jetojmë nuk ka shumë çifte ndërracore, dhe kjo më bën të ndihem edhe më e veçantë. Ne jemi të lumtur bashkë dhe mezi po presim për bebushin tonë. Njerëzit pranë meje thonë që s’ka gjë dhe që e rëndësishme është që unë jam e lumtur, po kur s’janë me mua çfarë nuk thonë. Nuk më intereson fare sepse ndihem shumë e lumtur vet. Madje kemi vendosur të bëjmë celebrimin në Shqipëri dhe ditët po afrojnë shumë shpejt.
E di që historia ime do të ngjallë ndjenja të ndryshme tek njerëzit dhe po e ndaj me ju më shumë për të përcjellë një mesazh. Zoti i ka bërë të gjithë njerëzit e barabartë dhe asnjë rracë nuk është superiore ndaj një rrace tjetër. Asnjë rracë nuk është 100% e pastër siç pretendojnë disa. Keni rastet kur njerëzit kanë bërë ADN-ë dhe askush nuk ka dalë 100% i një vendi të caktuar. Dhe kushdo që do të bëjë diçka, bëjeni sepse ajo ju bën juve të lumtur dhe jo për opinion. Le t’i japim fund arsyetimeve se çdo të thotë bota. Bota nuk do pushojë kurrë së foluri e përfoluri, po nëse ju jeni të lumtur me vendimet që merrni, atëherë kjo ka rëndësi. Le të mos ngelemi skllevër të opinionit. Bekime për të gjithë!
/Anabel/