Letra e një biznesmeni, dua të formalizohem po s’më lejon ligji

Nga Bledi Shima/Është fakt i njohur tashmë, që dhjetëra e qindra biznese të vegjël dhe të mëdhenj, janë viktima të punës së papërgjegjshme të ish-administratës tatimore të kohës së Bodes. Sipas ligjit “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, një ndër detyrat parësore të administratës tatimore të këtij vendi, është edhe asistenca, këshillimet, njoftimet ndaj bizneseve, me qëllim të kujtesës së vazhdueshme për detyrimet  tatimore dhe të performancës së mirë të tyre. Por në kohën e administratës së Bodes , jo vetëm që këshillimet, asistenca, njoftimet nuk dukeshin gjëkundi, por edhe kur vinin për kafen e radhës dhe për zarfin e radhës, iknin dhe bënin sikur nuk i shikonin detyrimet e papaguara, deklaratat me vonesë apo kamatëvonesat ne sistem. Zarfin nën dorë, një buzëqeshje dhe një të rëne supeve. “Hajt mirë je, vazhdo kështu, se sa të jemi ne, nuk të futet gjemb në këmbë”. Kjo situatë mori fund me ardhjen në pushtet të qeverisë së re, e cila ndër prioritetet e saj kishte dhe ka formalizimin e biznesit dhe të administratës tatimore në veçanti. Për rrjedhojë qindra e qindra biznese i janë përgjigjur thirrjeve të ligjit dhe të administratës tatimore për formalizëm, vetëdeklarim etj. Shumë prej bizneseve të vegjël dhe të mëdhenj , ashtu si dhe unë shkruesi i kësaj letre, jemi viktima të ligjit të Ridvan Bodes, me numër 9920,datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën  e Shqipërisë” neni 44, pika 5 e tij.

Ç’farë thuhet ndër të tjera në ligjin e kusarit Bode: “Personat e tatueshëm që ( për këtë apo atë arsye) kanë kaluar në regjistër pasiv, në çdo kohë, kanë të drejtë dhe detyrim të kërkojnë, të kalojnë në regjistrin aktiv, nëse dëshirojnë të vazhdojnë aktivitetin, por pasi të kenë kryer të gjitha pagesat dhe detyrimet e mundshme tatimore të papaguara, përfshirë këtu edhe çdo gjobë apo kamatëvonesë!” Ky është ligji. Ky është Ridvan Bode i vitit 2008. Ti i dashur tatimpagues, ke vendosur të hedhesh pas krahëve kohën e keqe, të mosdeklarimit, të mosformalizmit, të mospagesës, dhe kërkon me të drejtë të vihesh në shinat e rregullit dhe të ligjit, por nuk mundesh! Sepse te del përpara si një kusar i zi, Ligji 9920,datë 19.05.2008 i hartuar nga Bode dhe i bekuar nga Partia e tij, që medemek i ka xhan, xhan bizneset dhe pronarët! Në neni 44 (5 ) të Ligjit 9920 shprehimisht thuhet se:“ Personat e tatueshëm të kaluar në regjistrin pasiv,(për këtë apo atë arsye) në çdo kohë kanë të drejtë dhe detyrim të kërkojnë të kalojnë në regjistrin aktiv, nëse do të vazhdojnë aktivitetin por pasi të jenë paguar më parë të gjitha detyrimet  e mundshme tatimore të papaguara (detyrimet ligjore bazë). Dhe kjo është normale, për këtë jemi të gjithë dakort. Por ligji i kusarit Ridvan-it nuk të lejon të ecësh përpara, nëse nuk paguan edhe çdo gjobe, kamatë-vonese, interesa etj, të cilat në rastin më të mirë, janë sa dyfishi apo trefishi i detyrimeve bazë!

Z.Ministër!

I kam paguar të gjitha detyrimet bazë që prej vitit 2010, me dëshirën dhe vullnetin e mirë për tu formalizuar por më ka dalë përpara ligji kusar i Bodes dhe më thotë: “Ti nuk do të ecësh përpara, nëse nuk do të më paguash gjobat, kamatëvonesat, interesat për mosdeklarim, për deklarata me vonesë etj, etj”. Ligji 9920 datë 19.05.2008 i Ridvanit më thotë: “Mos u formalizo, mos puno, mos ec përpara, mos e lufto korrupsionin, pa më shlyer mua gjobat, kamatëvonesat, interesat të cilat janë disa fish më shumë se detyrimi bazë! z.Ministër! Po si do të mundet ti shlyejë biznesi këto gjoba, këto kamatëvonesa, këto interesa (në fakt të paqena por të shpikura nga ligji i Bodes), në qoftë se për shkak të këtij ligji, nuk mund të aktivizohesh, pra nuk mundesh të punosh!? Biznesi im është i vogël. Por këtë hall e vuajnë të gjitha bizneset, të vegjël e të mëdhenj. Do të ishte lehtësi e madhe për tatimpaguesit dhe për vete shtetin që këto gjoba, kamatëvonesat dhe interesa, të ishin fjala vjen 10 %, apo 20 % e detyrimeve bazë. Do të ishte shumë e mundur pagesa e tyre në një kohë të shpejtë. Lehtësim për biznesin dhe për arkën e shtetit. Të veprohet ashtu siç u bë me uljen e përqindjeve për pasuritë e paluajtshme, që u bë 1% e shumës së transaksionit për një fare periudhe. Kështu të bëhet edhe për gjobat, kamatëvonesat, interesat e bizneseve. 10 % e detyrimeve bazë kush i paguan në CASH, deri në fund të vitit 2016, apo për një vit. Kjo do të ishte një frymëmarrje e madhe për të gjitha bizneset, të vegjël dhe të mëdhenj, të cilët ndodhen të penalizuar nga ky ligj i çuditshëm alla Ridvan Bode.

Mosdeklarimet, deklaratat me vonesë, mos mbledhja e taksave etj, kanë ardhur ndër vite edhe për mungesë asistence, këshillimesh dhe të njoftimeve të administratës së mëparshme tatimore. Për mos njohjen e thelluar të legjislacionit tatimor në Republikën e Shqipërisë, performancë e dobët ekonomike për shumë biznese,(pamundësia reale për pagesat) etj , etj. Është në guximin dhe kurajën tuaj z.Ministër, që ta ndryshoni këtë ligj vrastar, antikushtetues i cili bie ndesh me të drejtat e njeriut dhe Kushtetutën e Shqipërisë. Nëse biznesit i ndalohet të aktivizohet, të punojë ligjërisht, të gjenerojë të ardhura, ku do ti gjejë “Lekët” për të shlyer detyrimet bazë si dhe gjobat, kamatëvonesat ,interesat etj? Nëse biznesi nuk do të mundi ti shlyeje këto penalitete të shpikura made-in Ridvan Bode, çfarë do të bëhet me të? Do të shkojë ne burg.! Po pastaj, përsëri nuk do të mund ti shlyeje? Do ta vrasin, po pastaj çdo të bëhet me fëmijët e tij, familjen? Sigurisht, përsëri do ti vrasin edhe ata. Këtë e thotë Ligji nr.9920,datë 19.05.2008 i Bodes.

SHKARKO APP