Letrat e Çërçillit për të ëmën

Ka qënë një grua, ajo që ka inkurajuar gjithnjë mëndjen dhe sedrën e  Winston Churchill(Uinston Çërçill). Një grua që nuk e linte asnjëherë të dorëzohej, dhe që e frymëzoi që kur ishte ende fëmi me lavdinë.

Ajo ishte nëna e tij. Janë të pafundme letrat e shkëmbyera mes tyre që tregojnë për një marrëdhënie, që do të ndikonte në atë çfarë më vonë do të ndodhte me jetën e djaloshit, I cili do të kthehej në një prej figurave më të rëndësishme të Britanisë së Madhe.

E ëma e Çërçillit, Lejdi Randolf ishte amerikane, vajza e një financieri të suksesshëm të Nju Jorkut dhe pronar i disa gazetave. Me të birin Uinston, që e kishte sjellë në jetë në 30 nëntorin e vitit 1874, kishte patur atë edukim tipik të aristokratëve, dalluar nga një përzierje e hollë midis autoritetit dhe konfidencialitetit, e cila nuk e kishte penguar të birin t’i shkruante vazhdimisht, qysh kur ishte në shkollë e pastaj edhe në politikë, letra të hollësishme mbi aktivitetet dhe opinionet e tij. Ishte një marrëdhënie e forcuar edhe nga vdekja e parakohshme e të atit, Lordit Randolf.

Ajo qe përpjekur më tepër se ndëshkuese, të ishte bindëse për të birin, të cilit kur ai ishte student në shkollën e mesme në kolegjin ushtarak në Harrou, do t’i shkruajë: “Shumë i dashuri Uinston, më bën të ndihem shumë e palumtur; kisha ushqyer kaq shpresa tek ty e ndihesha krenare dhe tani gjithçka ka humbur. Ngushëllimi im i vetëm është që ke një sjellje të mirë dhe je një fëmijë i dashur, por rezultatet e tua janë një fyerje për inteligjencën tënde.Dy vitet e ardhshme, mënyra si do i përdorësh, do të ndikojnë gjithë jetën tënde; reflekto përpara se të jetë tepër vonë”. Lejdi Randof, nuk kishte si të mos ishte pesimiste për të ardhmen e të birit të saj, nisur nga rezulatet tepër të dobëta, qysh prej vitit të parë të shkollës e deri në kolegj.

Rezultat e tij janë më të ulëtat nga të gjithë nxënësit e klasës e kjo, për pothuajse çdo semestër të viteve të shkollës. “Sa e urreja shkollën dhe sa jetë të ankthshme do të jetoja. Bëja fare pak përparime në mësime dhe aspak në lojëra”, shkruan Çërçilli në kujtimet e tij duke iu referuar viteve të para të shkollës. Në fillore, është i njëmbëdhjeti në njëmbëdhjetë nxënës. Në sporte,  nuk ka asnjë dëshirë për t’i mësuar dhe shëndeti i plogësht e bën edhe më dembel dhe të painteresuar.

Në moshën njëmbëdhjetë vjeçare, Uistoni sëmuret nga një pneumoni të rëndë, që për pak i merr jetën. Duke u rritur shëndeti i tij do të jetë i brishtë, ndaj për shkak të klimës, prindërit vendosën ta çonin në kolegjin Harrou, ku si në ata të mëparshmit, Sent Xhorxh e Brajton edhe këtu, jeton në konvikt. Asnjëherë nuk i mjaftojnë paratë edhe pse shuma e përmuajshme nuk ishte e vogël dhe do t’i shkruajë vazhdimisht prindërve për t’i dërguar para shtesë, kërkesa që jo gjithnjë gjejnë aprovimin e tyre. “ Për paratë je duarçpuar”, i shkruan e ëma. Edhe pse disa rezultate në histori, gjeografi e gjuhë u rritën djeshëm, Lordi Randolf nisur nga rezultatet, mendon mos ta dërgojë të birin në universitet, por të ndërmarrë karrierën ushtarake.

“Për vite kam besuar se im atë, me eksperiencën dhe intuitën e tij, kishte zbuluar tek mua cilësitë e një gjeniu ushtarak, por vite më pas mësova, se kishte arritur në përfundimin, që nuk isha aq inteligjent sa për të bërë avokatin”, kujton Çërçilli. Kur Uinstoni i ri humbi në një moçal, një orë të çmuar floriri, dhuruar nga i ati, ky i shkruan: “Nuk mund të arrij ta besoj sesi mund të jesh kaq budalla. Xheku është pambarimisht më i mirë se ty përsa i përket përkushtimit, vëmendjes për gjërat e tij dhe evitimit për të bërë budallallëqe”.

Nisur nga prapambjetja në mësime, vendosin që ta regjistronin në një nga kolegjet ushtarake, të cilat aplikonin një program mësimor, të ndryshëm nga kurikulumi universitar. Në provimin e hyrjes, Uinstoni arrin një rezultat të dobët duke mos patur mundësinë për të hyrë në radhët e kadetëve më të mirë, që diplomohen oficerë të artilierisë dhe të xhenios.

Pikët e marra do të mjaftonin për t’u regjistruar në degën e aspirantëve oficerë të këmbësorisë dhe të kalorësisë. Në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare, pasi nuk e kalon dy herë radhazi, do të japë për herë të tretë provimin e hyrjes. I befasuar, mëson se e ka kaluar këtë provimin me një rezultat, me të cilin nuk mund të regjistrohej në këmbësori, por të mjaftueshëm për t’u regjistruar në kolegjin ushtarak në degën e kalorësisë, ku shkonin më të dobëtit.

Këto rezultate, kishin shkaktuar zemërimin e Lordit Randolf, i cili në vitin 1893, i shkruan Uinstonit si vijon: “Nguliti për tërë jetën këto fjalë: nëse rezultatet e tua dhe veprimet e tua në Sandarst, do të jenë të ngjashme me ato që ke patur në shkollat e mëparshme, ku në mënyrë të kotë është përpjekur të të jepet njëfarë edukimi, atëhere përgjegjesia ime ndaj teje, do të jetë minimale… Jam i sigurt, se nëse nuk do dish të evitosh atë jetë dembele, të kotë e të zbrazët, që ke bërë gjatë ditëve të shkollës do të bëhesh, asgjë tjetër, veç një mbeturinë shoqërore, derisa të precipitosh në një ekzistencë meskine, të palumtur dhe të kotë”.

Megjithatë, Çërçilli në Sandarst e ndjen veten shumë mirë dhe kalorësia e apasiononte aq shumë, sa do të arrijë të bëhet një kalorës i shumë i mirë. Ekuitacioni do t’i hynte shumë në zemër, edhe pse i ati i tij, e quan nivel të ulët, atë çfarë aspironte i biri. “Do të bësh mirë që ta heqesh nga koka këtë ide, të paktën përsa të jem gjallë dhe të varesh prej meje”, i shkruan Lordi Randolf të birit, kur ky i shpreh dëshirën për të vazhduar karrierën ushtarake në kalorësi.

“Shpresoj akoma”, i shkruan Uinstoni të ëmës, “se kur të shikojë sesa shumë më pëlqen, nuk do të më detyrojë në kundërshtim, me atë çfarë më jepet më shumë”. Lord Randolf, vdes në janar të vitit 1895, nga sëmundja e sifilizit, prej të cilës kishte kohë që vunte duke e ditur veten se ishte i pashpresë, sëmundje për të cilën, Uinstoni nuk do të jetë dijeni deri në një moshë të pjekur. Qysh  i ri, Uinstoni do të ketë paranoinën se familja e tij nuk jeton gjatë, nisur nga vdekjet e parakohëshme të Çërçillëve, duke menduar se është një fakt gjenetik, të cilit as ai vetë nuk ka për t’i shpëtur. Jeta do të vërtetojë tërësisht të kundërtën.

Në 20 shkurt të vitit 1895, Uinstoni bëhet pjesë e trupave të kalorësisë duke i akorduar gradën e togerit të dytë, në garnizonin në Aldershot. Aktiviteti aty është shumë i qetë dhe vetëm një orë në ditë komandon një skuadër me tridhjetë ushtarë duke “vërejtur gjendjen e kuajve, larjen dhe ushqimin e tyre, pastërtinë e dhomave e ndonjë gjë tjetër të vogël”, shpjegon në kujtimet e tij.

Gjithë jeta aty sillej rreth kuajve. “Po kryejmë manovra të plota. Tetë orë në ditë duke kalëruar, pastaj dy orë në stallë dhe fund luajmë polo”, i shkruan nga kazerma të ëmës. Duke shpjeguar monotoninë e vazhdueshme, Uinstoni do t’i lutet të ëmës që të përdorë gjithë njohjet e saj të rëndësishme, përfshirë edhe mikun e saj, ministrin britanik të Luftës, që ta transferojnë në kolonitë britanike, atje ku konfliktet janë të ndezura. Dëshira e tij është për të shkuar në regjimentet e Egjyptit, por nuk i plotësohet.

Përfshihet në një situatë dëshpërimi si dhe nga frika se, do të mbetej gjatë gjithë shërbimit ushtarak, në monotoninë e mërzitshme të kazermës. Ai i shkruan të ëmës shumë herë: “E ke të kotë që më predikon mua ungjillin e durimit. Shumë të tjerë janë dërguar në misione e janë rritur në karrierë e çfarë shpresash kam unë për t’i arritur ata? Prandaj po të them, si e bardha mbi të zezë, se nuk duhet të lësh gjë pa bërë për të ndihmuar, me gjithë njohjet e shumta që ke. Nuk mund ta kuptosh sesa kjo jetë më është tmerrësisht e padurueshme, ndërkohë që ndodhin shumë gjëra në vende të tjera, ku anglezët ndodhen”.

Uinstoni njezetenjë vjeçar, më së fundi transferohet për në Indi, në shtator të vitit 1896, edhe pse nuk është pikërisht ai vendi që ai aspiron për t’u gjendur në ballë të frontit, por sigurisht është shumë herë më interesante, sesa kazerma e Aldershotit. Mbërrin në Bombej dhe prej aty sistemohet në lokalitetin e vogët Pona, ku do të bëjë një jetë të qetë ushtarake, mes komoditeteve dhe pa u përballur me armët.

Feston në Indi njëzetedyvjetorin e tij dhe i shkruan sërish të ëmës, që të ndërhyjë për ta transferuar prej aty, për në Egjypt. “Dy vjet ushtri në Egjypt duke marrë pjesë në një fushatë luftarake, do të më jepnin të drejtën për të zëvendësuar shpatën me dosjen me letra, për të marrë pjesë në mitingje”.

Është e habitshme përllogaritja e tij, e shprehur në disa momente, sesi duhet patjetër të bjerë në sy në ushtri, ndaj e kërkon dëshpërimisht konfliktin e armatosur për të treguar veten, dhe jo në emër të madhështisë së perandorisë britanike, por të ambicies së tij për pushtet. Pjesëmarrja në luftë, është një element thelbësor për të nisur një karrierë politike, të cilën ai e ëndërronte. Kërkon ta transferojnë në Kretë, ku po zhvillohen luftime midis ushtrisë turke që  ka pushtuar ishullin dhe grekërve, që përpiqen ta çlirojnë atë. Anglia është në krahun e turqve dhe pengon furnizimet e patriotëve kretenë nga Athina.

Sakaq, Turqia i deklaron luftë Greqisë dhe ai dëshiron të shkojë atje, si korrespodent i ndonjë gazete angleze. Çërçilli, i cili më parë është shprehur për një mbështetje ndaj grekërve dhe për një përbuzje ndaj Turqisë dhe islamit të saj, i drejtohet në një letër Lejdi Randolfit: “Nëse mund të më gjesh kredenciale të mira për turqit po shkoj nga ata; nëse arrin t’i gjesh për grekët, po shkoj nga ana e grekërve”. Deklaratat e tij dhe letrat, dëshmojnë qartë se nuk kishte aspak te djaloshi i ri, dëshirë për krenari të Anglisë, të atdheut, por dëshirë për t’u aventuruar, ku pak rëndësi ka, se cilën palë do të mbështesë. Mund të bëhej me të gjithë, mjafton që të realizojë fiksimin e tij, megjithatë, nuk arrin dot të shkojë në Kretë.

Qysh i vogël ka treguar një zell të ekzagjeruar për të shkruar letra të shumta. Do të shkruajë të tilla, të ëmës, të vëllait, të atit, të gjithë të njohurve dhe miqve të tij duke shpjeguar me hollësi, çdo detaj, qofshin edhe të mërzitshëm, si ditët e kota të kaluara në kolegj apo në regjiment, dëshmi e një grafomanie të theksuar, që do ta shoqërojë tërë jetën duke shkruar mijëra faqe e botuar shumë libra.

Letrat a gjata nuk rreshtin edhe nga India, nëpërmjet të cilave i kërkon të ëmës, që të bisedojë me mikun e saj, Lordin Rothçajlld, për ta lidhur me redaksinë e ndonjë gazete, për të cilën ai mund të shkruajë prej andej. Por edhe këtë kërkesë, Uinstoni nuk  e ka nga pasioni për gazetarinë, as nga dëshira për të bërë karrierë në publicistikë. Qëllimi i tij është më largpamës dhe dinak: nëpëmjet artikujve të publikuar do të bëhet i njohur në opinionin publik, ndihmesë bazike për t’u marrë me politikën.

Më vjeshtën e vitit 1897, Uinston Çërçill do të transferohet për në veri të Indisë britanike, në territoret që ndajnë këtë vend të madh me Afganistanin, ku konflikti është ndezur midis vendasve dhe forcave anglezo-indiane. Prej aty, i dërgon shkrime të përditshmes, “Daily Telegraph” duke përshkruar situatën komplekse dhe të rrezikshme, në kufirin verior të zotërimit britanik, shkrime të cilat botohen.

Të ëmës i shpreh mendimin se duhet t’i firmosë shkrimet me emrin e tij të vërtetë, sepse vetëm në këtë mënyrë, “do të jenë ndihmë në aspektin e prespektivës politike, për t’u paraqitur përpara opinionit publik”. Më pas ai dërgon të tjera shkrime, ku përshkruan me hollësi të detajuara ndodhitë, në të cilat vihet re edhe një talent për t’i letrarizuar, për t’i bërë më tronditëse, duke mos ngurruar të përshkruajë edhe detajet e vdekjes së oficerëve britanikë.

Natyrisht, artikuj të tillë, në Londrën e mijëra kilometrave larg, ku asgjë nuk merrej vesh se ç‘ndodhte në anën tjetër të botës, krijonin jo vetëm një efekt të madh, por edhe interes. Çërçilli, me një saktësi llogjike kalkuluese, e dinte efektin e shkrimeve të tij dhe ishte i bindur se pas disa kohësh, pasi të bëhej i njohur nga reportazhet e luftës, do ta kishte të hapur terrenin e politikës. Shkrimi i letrave mbeti një nga pasionet e tij më të mëdha deri në fund të jetës.

SHKARKO APP