LGBT: Lëvizje mendjehapur?
Lajme E Mërkurë, 21 Prill 2021 14:45
Nga Arian Galdini/ Po lexoja sot një komunikim për shtyp të LGBT ku ndër të tjera më ra fortësisht në sy motoja e përzgjedhur për aktivitetet e paralajmëruara prej tyre sot e në vijim në të cilën provokativisht shpallej: “Flije Mendjen! Disa njerëz janë gay”. Nëse sjellim në vëmendje të gjitha debatet e vona por edhe ato më të hershme mes përfaqësuesve të LGBT dhe përfaqësuesve ‘Etikë’, besoj askush prej nesh nuk ka mëdyshje kujtese lidhur me akuzat e tejrrahura që lgbtistët u bëjnë etikëve parreshtur për homofobi dhe fanatizëm. Sigurisht që akuza të tilla janë hileqare dhe etikët nën efektin e thirrjeve apo deklaratave idiote të atyre që vetëkonsiderohen si ‘konservatorë’ por që në fakt janë mirëfilli injorantë e të patakt, nuk është se kanë bërë përpjekje serioze për tiu kundërkthyer me argumenta. Ka një numër të madh rrugësh, alternativash, doktrinash, besimesh si ushqim argumentash për etiket që tu kundërpërgjigjen këtyre akuzave në mënyrën më civile, humane dhe të ndjeshme, porse në gjykimin tonë rruga më e mirë është që të nxjerrin në pah thjeshtësisht atë që lihet qëllimisht mënjanë a shpërfillet arbitrarisht nga vetë akuzatorët lgbtistë: realitetet themelore të modernitetit. Shqipëria ka një shoqëri që tashmë është hapur plotësisht ndaj modernitetit, e si e tillë është një shoqëri me tensione të forta e në rritje. Sociologu i Universitetit të Bostonit Peter Berger na shpjegon se: “Moderniteti progresivisht cënon ambjentet sociale të cilat mbështeten tek ‘të mara si të mirëqena’. Për shkak të disa prej proçeseve e tij më bazale (sikurse janë migrimi masiv, komunikimi masiv dhe urbanizimi, etj) individi është gjithnjë e më tepër në përballje me besime, vlera dhe stile jetese të ndryshme, ndaj edhe është i forcuar që të zgjedhë mes tyre. Moderniteti i problematizon besimet pikërisht për shkak të nivelit të lartë të pluralizmit që ai krijon.”
Ndërsa një shoqëri hapet ndaj modernitetit dhe fillon e bëhet gradualisht apo me shpejtësi ‘moderne’, pa asnjë diskutim kjo shoqëri do të paketohet me njerëz, individë të cilët mbartin besime dhe vlera gjerësisht dhe thelbësisht të ndryshme apo të kundërta që gjithësecila duhet të vihet në pyetshmëri. Dhe pika e fortë e njëkohësisht pikëlidhja e këtij sistemi nuk qëndron tek fakti nëse biem të gjithë në një mendje me njëri-tjetrin, por tek përkushtimi ynë i përbashkët që asnjëherë të mos i barabitim mosmarrëveshjet apo kundërshtitë, me fanatizmin. Kam droje se nisur nga mënyra e ndërkalljes me argumenta apo pa argumenta, gjatë këtyre javëve, ky model shoqërie po refuzohet nga lëvizja LGBT. E nuk po refuzohet deri në pikën normale të mosdakordësimit apo mosaprovimit me kritikët e tyre. Por lgbtistet po shkojnë tutje duke e barazvleftësuar mosdakortësinë dhe mosaprovimin e kritikëve të kësaj levizjeje me fanatizmin. Madje duke mbërritur deri aty sa të shohim lgbtistë që çdo pyetje që u bëhet mbi parimet dhe ortodoksinë e parimeve të tyre ta konsiderojnë si fjalim urrejtjeje dhe homofobi. Një lëvizje vërtetësisht moderne, për përkufizim, do të duhet të mirëpresë që të jetë në pyetshmëri. “Të jesh në pyetshmëri për besimet e parimet e tua – shkruan Berger- është një konseguencë e të jetuarit në shoqëri plurale dhe të larmishme.”
Etikët, kërkohet që tu përgjigjen të gjitha llojeve të pyetjeve të përfytyrueshme apo të papërfytyrueshme lidhur me qëndrimet, besimet e parimet e tyre. Madje bëjnë mirë që të mirëpresin që bindjet e tyre të dyshohen, testohen, sprovohen kudo formalisht dhe informalisht, në debate univesitare, akademike, privatisht apo në nivel debatesh publike në TV, gazeta, blogje, rrjete sociale, etj. Do të uroja që askush prej nesh të dëshironte që kjo gjë të ndalet. Në fakt, në këto kohë që jetojmë sot, etikët e gjejnë veten shpesh herë dhe vijueshmërisht nën trysninë për ti mbrojtur pikëpamjet e tyre për shkak të relativizmit kultural mbizotërues dhe efekteve të shumëkahshme të modernitetit. Ndërkohë nën dritën e kësaj kuptueshmërie të shpjeguar më sipër të modernitetit, le të kqyrim taktikën ‘nëse nuk je dakort me ne, ne do të bindim gjithkënd se ti je prapanik’ të përdorur nga LGBT në përpjekjet e saj për tu rritur në rëndësi e peshë në shoqërinë shqiptare gjatë këtyre viteve. A përputhet dhe përshtatet kjo taktikë me një botë në të cilën lgbtistët duhet me mirësjellje dhe mirëkuptim ta ri-artikulojnë vetëveten si vetëm njëri prej besimeve, bindjeve, vlerave apo mënyrave të jetesës mes shumë e shumë të tjerëve? A pret kjo lëvizje që të jetë në pyetshmëri, dmth që ti bëhen pyetje serioze mbi parimet, vlerat apo gjithçka ata bëjnë, besojnë, flasin, shkruajnë apo kërkojnë? Me pak fjalë, a janë ata me të vërtetë një lëvizje moderne?
Themeluesi i Young Gay America (Të Rinjtë Gay Amerikanë), bashkëautori i XY Survival Guide (Guida e Mbijetesës XY), Michael Glatze i cili ka qenë aktivist LGBT, ka jetuar për shumë e shumë vite si një homoseksual i deklaruar publikisht, është një njohës i mirë i limiteve të dashurisë së kësaj lëvizjeje me modernitetin, e që njihet së fundmi si ish aktivisti LGBT i cili ka filluar ta pyesë vetveten për rrënjët e homoseksualitetit të tij shkruan: “ Në një komunitet gay ka qenë gjithnjë një mirëkuptim që ‘ti nuk i vë kurrë në pyetje apo diskutim dëshirat e tua seksuale për seksin e njëjtë.’ Menjëherë sapo ti i bashkohesh klubit, ky mirëkuptim kthehet në një rregull. Në të vërtetë është rregulli nr 1. Ti mund të vësh në pyetje, të diskutosh, të ekzaminosh gjithçka tjetër dhe rrënjët e gjithçkaje tjetër, por jo dëshirën apo rrënjët e dëshirës tënde për seksin e njëjtë. Ironikisht, është OK që ‘të drejtët’ të venë në pyetje heteroseksualitetin e tyre. Por unë, më në fund mbërrita në kuptueshmërinë se unë mund ta vë në pyetje homoseksualitetin tim gjithashtu.”
Për shkak të këtij qëndrimi por edhe për shkak se më vonë ai u konvertua dhe u deklarua heteroseksual, në një shkrim pro-LGBT të botuar në New York Times, Glatze u përshkruajt plot pathos nga autori, si forma më fyese e herezisë moderne. Ngase i druhen një agresiviteti dhe etiketimi të tillë publik, shumë etikë ndihen ekstremisht të demotivuar për të debatuar apo ngritur pyetje mbi idetë e bindjet e tyre për homoseksualitetin. Sjellim në kujtesë këtu edhe debatin e para pak javëve në gazetën MAPO mes Kristi Pinderit dhe Enkel Demit, ku i pari nuk la gjë pa i thënë e shprazur Enkelit duke i hyrë deri edhe në bindjet politike, fetare madje edhe në shtratin familjar.
Sidiqoftë rasti i Glatze dhe thellënjohshmëria e tij për refuzimin e LGBT për të qenë në pyetshmëri, për tu diskutuar, ekzaminuar, sikurse çdo grup, komunitet apo strukturë tjetër në shoqëri, është shtysë që edhe në këtë Shqipërinë tonë kaq të trazuar, ne ta zhbëjmë drojen tonë për ta zhvilluar lirshëm dhe shëndetshëm krejt natyralisht këtë debat. Të pyesësh, të dyshosh, të vësh në diskutim, të ekzaminosh supozime, pandehma, besime, bindje, vlera, mundësi, madje edhe ato më populloret, është një kërkesë themelore e modernitetit të vërtetë pluralist. Dhe duket e vështirë për të kuptuar përse kjo kërkesë nuk duhet të jetë e aplikueshme edhe për lëvizjen LGBT, sikurse aplikohet për gjithkënd e gjithçka tjetër. Kur etikët akuzohen nga lgbtistët për homofobi dhe fanatizëm, përmbajtja e këtyre akuzave nënkupton se ata mbartin ide e pikëpamje që nuk janë të mirëpritura në botën moderne. Ama, etikët mjafton që të nxjerrin në pah, në mënyrë civile e humane, se vetë kuptueshmëria që kanë lgbtistët për modernitetitn është e mangët, e gjymtë. Lëvizja LGBT po punon fort për të ndërtuar të njëjtin koncept mbi atë lloj shoqërie në të cilën prej kohësh ka qenë vetë e pamirëpritur. Kësisoj nuk mundet të mos e mbyllim pa i ballafaquar lgbtistët me vetë natyrën e motos së tyre: Flijeni mendjen. Ka shumë njerëz që nuk janë gay.