‘Liberali Rama’ dhe rreziku i ‘shtetit libertin’

Nga Alfred Lela

Skandalet po bëhen natyra e gjërave: nga Dibra në Sarandë, nga Shkodra në Vlorë, ngjarje të bujshme e shpërthejnë sipërfaqen e brishtë të informacionit. Autoritetet shtetërore kanë ngecur në rrjetën e gjerë të mbrapshtive, kundërvajtjeve, ligjshkeljes, hedonizmit e më radhë.

Shteti nuk i duron dhe as i mban dot veset e pushtetit.

Po t’ia fillosh nga ngjarja më e fundit elektorale, zgjedhjet për pushtetin vendor të para një viti, të kujtohen tiradat e kryeministrit për ‘budallenjtë e opozitës’ dhe ‘qibarët’ e Rilindjes. Shukri Xhelili, ish-kryetari socialist i bashkisë Dibër, për të përdorur fjalët e kryeministrit, qëlloi më ‘pehlivan’ se ai tjetri. Shtrembërimi nuk prodhohet kurrë nga dëshira e një burri (jeta është e shkurtër dhe dëshirat pa kufi), por nga qëndrimi që mbajmë për to. Moralizëm shterp është të thuash se dëshirat nuk janë dhe të dënosh çdo shprehje të tyre, ndërkohë që është thuajse kriminale që të kryqëzosh të tjerët për dëshirat e tua. Bashkëshortja e Shukri Xhelilit ishte lajmi i dytë i madh në skandalin e Dibrës: Qëndrimi i saj në mbrojtje të të shoqit, dëshmoi se si shoqëria jonë ka kalcifikuar hipokrizinë dhe misogjeninë edhe te vetë femrat. Me një logjikë të duralumintë, e lidhur ndoshta edhe me biznesin e saj, zonja fajësonte 20-vjeçaren. Duke harruar se i shoqi ishte 35 vjet më i madh dhe njeriu më me pushtet në krahinë.

Çfarë përpjekje e dështuar e Teftës për të qenë ‘Hillary’ në krah të ‘Billit’ të saj dhe çfarë antihistorie me dëshirë të njëanshme, që nuk prodhon dot asnjë Lolitë, kjo e Dibrës!

Në Sarandë, eliksiri i pushtetit derdhet jo nëpërmjet seksit, por drogës: Klement Balili, drejtori i Transportit në qytet, një emërim preferencial në një ‘vend pëllumbash’, sipas raportimeve të mediave greke, të cilat e pagëzojnë si ‘Eskobarin e Ballkanit’, mbante lidhje të forta në trafikun e drogës dhe njëkohësisht me pushtetin. Trafikantët e drogës nuk janë një habi; shndërrimi i tyre në zyrtarë shtetërorë dhe përdorimi i kanaleve zyrtare për trafik në anë tjetër, po. Por sërish, lajmi i kësaj ngjarjeje gjendet te lajmi i dytë: ngathtësia (lexoje si mosdëshirë) e autoriteteve shqiptare për t’u vënë në lëvizje pas sinjaleve që erdhën nga vendi fqinj. Balili u bë kështu i disati i dyshuar i madh, që ‘u humbet’ radarëve të policisë.

Me gjurmë dhe shije policie, vjen edhe skandali i përgjimeve. Në këtë rast, ministria që drejtohet nga Tahiri, e implikoi veten me anë të kontradiktave dhe paqartësive. Pas raportimeve të shërbimit sekret shqiptar për prokurorin e Përgjithshëm, fantazma e një pajisjeje përgjuese filloi të shfaqet në media, pasi kish kaluar në fillim nga Facebook-u i ish-kryeministrit Berisha. Socialistët janë kapur tashmë në rrjetën e akuzave që ngritën vetë para 4 vjetësh kundër demokratëve: përgjimeve të paligjshme. Mungesa e transparencës bërtet komplot dhe çdo përgënjeshtrim në mungesë të saj, thekson amatorizëm. Nëse kryeministri Rama nuk e ka nën kontroll institucionin e SHISH, le ta ketë. Nuk mund të kërkohej asgjë më shumë dikur për Berishën, që të mos mund të kërkohet sot për Ramën – me kushtetutë, Visho Ajazi është në varësi të kryeministrit. Por, shefit të qeverisë i duhet ta bëjë këtë betejë ballazi dhe jo në prapaskenë.

Krupa përmbyllet në Shkodër. Raporte të dokumentuara mediatike japin pamje të tmerrshme të jetës së fëmijëve në jetimoren e qytetit. Dhunë fizike e psikologjike shoqëruar rregullisht me ngacmime seksuale dhe akses te kanale pornografike. Pamjet bëhen tragjike nëse konsideron moshën e të dhunuarve dhe faktin se disa prej dhunuesve janë nëna. Nëse provohet në gjykatë se të miturat e jetimores janë përdorur si prostituta shëtitëse që merreshin nëpër shtëpi fundjavave për eksperimente seksuale, ja ku e keni parabolën biblike të Sodomës e Gomorrës.

Përmbledhtazi, këto janë skandale të një jave. Do të ishin shumë edhe sikur të shtriheshin në harkun kohor të një viti. Ndërkohë, këto janë vetëm ç’ka arritur, rastisur apo guxuar të dalë në sipërfaqe. Si përballë një ajsbergu, shoqëria gjendet gjithmonë në 1/8 e një të panjohure, ku numri i madh është gjithmonë i pazbuluari.

Moda politiko-mediatike e don që gishti i fajit dhe dekori i mallkimit të drejtohet nga i pari i vendit. Shoqëria si mbrujtëse e asaj që ndodh, nuk përmendet thuajse kurrë. Megjithatë, faji i kryeministrit Rama dhe shoqërisë, takohen diku. Qeveria Rama, pavarësisht kursit retorik ku dominon ‘grushti dërrmues i Reformacionit’ dhe gjuha e ashpër e ndëshkimit, ka krijuar një zonë neutrale libertinazhi apo një ndjesi shkujdesjeje; në mos ndaj kundërvajtjeve e antiligjit, të paktën ndaj personazheve, të cilat bartin spikama që shoqëria i njeh si të tilla. Kjo e ka banalizuar të keqen. Qelbi i gjithë kësaj mblidhet dhe herë pas here, koha në të cilën jetojmë, e cila përshkruhet si e ‘industrisë së informacionit’ i shpërthen.

Kryeministri duhet ta kthejë penelin në kamxhik: Kësaj here kundër të vetëve dhe jo kundërshtarëve, siç bën rregullisht. Retorika ‘fajin e ka Saliu’ apo gogoli i bëmave dhe ‘antihistorisë së SHQUP’, kundërshtohet nga Rilindja e fundosur nën peshën e bëmave të shukrinjve dhe bandillëve të tjerë. MAPO

SHKARKO APP