Ligj i ri për punësimet e “PAK”- Kaçori: Detyrim për bizneset, gjoba s’do shkojë më në buxhet

Çdo biznes apo institucion shtetëror ka detyrimin ligjor, që në çdo 25 punonjës të punësojë një person me aftësi të kufizuar, ndërkohë që gjobat që vendosen për moszbatimin e tij tashmë nuk do të derdhen në buxhetin e shtetit, por do t’i shkojnë personit që duhej të ishte punësuar”.

Lajmi është bërë me dije nga drejtoresha e Zyrës së Punës për Tiranën, Marisa Kaçori, e cila gjatë një interviste në studion e “TV SCAN” tha se aktualisht po punohet mbi draftin, duke zgjidhur dhe ngërçin për vjeljen e gjobave të vendosura ndaj institucioneve shtetërore.

“Janë bërë disa drafte dhe akte nënligjore, në mënyrë që të rregullojmë dhe sistemojë këtë. Ka pasur një ngërç në raport me gjobën që duhet të marrë subjekti dhe me derdhjen e gjobës në buxhetin e shtetit. Pra në qoftë se ai nuk punëson nga 24 persona, një me aftësi të kufizuar, gjobitet nga inspektoriati i punës dhe më pas ka detyrimin të derdhë një gjobë nëse atë person nuk e punëson. Kjo e ardhur që nuk do të shkojë në buxhetin e shtetit do t’i shkojë direkt personit me aftësi të kufizuar që ndërkohë nuk është punësuar. Megjithatë për këtë do të kemi mundësi të flasim në vazhdimësi, sepse janë ende në përpilim të gjitha aktet nënligjore në zbatim të kësaj”.

Në fakt ngërçi në punësimin e PAK nuk është vetëm nga subjektet private por edhe nga institucionet shtetërore, të cilët gjithashtu kanë detyrimin që në 25 të kenë të punësuar një me aftësi të kufizuar. Në ndryshimet ligjore është parashikuar ndonjë penalitet për këto institucione që nuk e zbatojnë këtë detyrim?

“Penaliteti qëndron për të gjithë, dhe nuk është vetëm për subjektet private. Por po themi që subjektet private janë pjesa më dërrmuese e atyre që nuk e zbatojnë”

Përgjithësisht është pak e vështirë vjelja e gjobës nga institucionet shtetërore?

“Vjelja e gjobës është një ngërç që do të rregullohet në vazhdimësi”.   

Kaçori komentoi dhe strukturën e re të qeverisë, sipas së cilës sektori i punësimit i është bashkëngjitur Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

“Sigurisht që e shikoj pozitive për sa kohë politikat vetë, çështja e financimit dhe e rritjes së fondeve apo parja e sa mund të jetë mundësia për t’i dhënë atyre subjekteve ndoshta një subvencion, apo një pagë më të lartë punëkërkuesve të papunë që janë të përfshirë në këto programe, çështja e rritjes së subjekteve, duke pasur parasysh që ke politikat ekonomike dhe zhvillimin ekonomik të vendit, për mua është shumë pozitive sepse janë të ndërlidhura secila me njëra tjetrën. Kanë mundësi që të marrin një lloj zgjidhje brenda për brenda pa pasur përplasje ndoshta nga një institucion në tjetrin, për të kërkuar mbështetje.”

Sipas drejtoreshës së punësimit, sikurse ka ndodhur vitet e fundit, buxheti për programet e nxitjes së punësimit për vitin e ardhshëm do të rritet.

SHKARKO APP