Ligje farsë apo të vërteta?

 

Fatmir Merkoçi.

Nëse është i vërtetë, është mjaft i thjeshtë për t'u zbatuar. Mirëpo shtetarët tanë po mbushin emisione të tëra duke kërkuar kush e kush të fitojë pikë në popull. Intriga e politikës ka arritur deri aty sa, në mënyrën më të pacipë, kërkojnë që dekriminalizimi të bëhet me ligj. Pyetja më lind vetëvetiu. Përse duhet ky ligj?

Dihet mjaft mirë tashmë se emërimet për deputet, funksionar të lartë të shtetit, i bën kryetari i partisë. Edhe punonjësit e administratës po partia i emëron. Kryetari dhe partia janë ata që zgjedhin dhe caktojnë kandidatët, pra janë ata që duhet ta ndalojnë idividin e inkriminuar që të bëhet pjesë e listave të vetë ata bëjnë.

Në këto kushte, ligji del jashtë funksionit të tij. Mirëpo kryetarët dhe partitë e dinë mjaft mirë se sa borxhe u kanë këtyre njerzve të inkriminuar. Këta njerëz janë ata që mbulojnë fushatat, janë ata që fusin duart dhe në kutitë e votimit. Janë ata që blejnë dhe komisionerët, pra janë bërë domosdoshmëria e çdo partie.

Kërkesa për të miratuar një ligj për këtë çështje tregon hapur se krimelët janë bërë pjesë integrale e politikës shqiptare. Kjo vërteton se partive dhe kryetarëve u duhet një ligj për t’i anashkaluar këta njerëz. Them për t’i anashkaluar, pasi këta njerëz janë bërë pjesë integrale e partive dhe, si pasojë, edhe e politikës shqiptare. Mesa duket, partitë nuk kanë forcë për t’i larguar.

Po e keqja nuk mbaron edhe nëse miratohet ky ligj. Kjo kategori njerëzish do të mbetet brenda partive. Do të kalojnë në skalionin e dytë, duke emëruar besnikët e tyre. Kjo do jetë edhe më e rrezikshme. E them këtë, pasi nuk do ketë më asnjë arsye për t’i drejtuar gishtin një deputeti, ministri apo funksionari të lartë si njeri të inkriminuar.

Ky ligj do të jetë një fasadë e shëmtuar për të treguar se politika e administrata u spastrua pas tij. Morali në kētë rast duket se nuk ka asnjë funksion në politikën shqiptare.

Dekomunistizimi

Një tjetër çështje që ka hapur debat. Edhe për këtë kërkohet një ligj. Ndryshe nga dekriminalizimi, në dekomunistizim përfshihet ligji i lustracionit, si dhe ai i dosjeve. Nëse i marrim veçmas, shohim se të gjitha postet shtetërore, politikën, pushtetin gjyqësor, e ka pushtuar ish-nomeklatura e vjetër ose pasardhësit e tyre.

Nëse për dekriminalizimin Kuvendi e miraton ligjin me dakortësinë e të gjitha palëve, për dekomunistizimin nuk mundet ta gjejë, pasi pjesa më e madhe e deputetëve duhet të largohen nga politika, administrata shtetërore, Gjyqësori, shoqatat etj. Pyetja bëhet më e thjeshtë: A mundet që këta njerëz të bëjnë një ligj për të larguar veten e tyre? Kjo është, sa paradoksale, qesharake, aq dhe hipokrite. Tashmë duket qartazi se askush nga këta nuk është i interesuar për këtë ligj.

Aktualisht, mazhoranca, e cila i ka votat, nuk mundet ta bëjë, për vetë prejardhjen e saj. Opozita, duke e ditur se ligji nuk ka gjasa të miratohet, nxjerr pretendimin e ndryshimit kushtetues. Këtu hyn në lojë ligji tjetër, ai i dosjeve.

Hapja e dosjeve

U bë më se një çerek shekulli që për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit flitet e përflitet. Çudia është se kërkesën për hapjen e dosjeve e ka bërë gjithmonë opozita dhe, kur bëhet pozitë, ajo hesht për këtë ligj. Kjo është kthyer në një lojë fëmijësh “e ka kush e ka”.

Hapja e dosjeve e bashkëpunëtorve të Sigurimit nuk kërkon vetëm ligj, vullnet politik. Ajo kërkon moral. Po si mundet të flitet për moral me të pamoralshmin? Nëse në politikën shqiptare do të ekzistonte morali, sot nuk do të ishim në këtë diskutim. Shohim se dhe me këtë ligj po luhet e po kërkohet që të jetë një ligj fasadë. Them kështu, pasi vetë ligjvënësit tanë kërkojnë që të marrin copa ligjesh sa andej-këndej, duke e keqpërkthyer dhe duke e quajtur si ligj evropian. Në fakt, nuk është asgjë më shumë se sa një paçavure shqiptare.

Shqipëria ka kapacitetet e saj. Ne mundemi dhe duhet t’i bëjmë vetë ligjet tona. Kjo do të bëjë që dhe kuptimi, interpretimi dhe zbatimi i tyre të jetë real dhe funksional. Në të gjitha rastet kur ligjet kanë ardhur si pasojë e importit të tyre, gjithmonë ka pasur e ka probleme. Kjo gjë është e dukshme që me ligjin themelor të vëndit, Kushtetutën, nga e cila burojnë të gjitha ligjet e tjera.

Politikës sonë nuk i intereson as dekriminalizimi, as dekomunistizimi, as lustracioni e as hapja e dosjeve. Politikës dhe atyre që e kanë privatizuar dhe e kalojnë me trashëgimi tek pasardhësit e tyre, i interesojnë ligje të pazbatueshme. Ata duan ligje vetëm për të thënë se kemi ligj. Për të trumbetuar se “e bëmë spastrimin e politikës dhe administratës shtetërore, tashmë askush nuk mundet të na gjykojë e aq më tepër të na akuzojë për gjëra të tilla”.

Të hapësh dosjet do të thotë që njerëzit e përfshirë në to të kërkojnë falje publike, t'u kërkojnë ndjesë viktimave të tyre. Por dhe fëmijët apo familjarët e tyre duhet të distancohen nga prindërit apo familjarë, të cilët janë pjesë e këtij grupimi, duke i dënuar veprimet e tyre. Të largohesh nga politika, administrata, Gjyqësori dhe nga çdo veprimtari që ka të bëjë me interesin e publikut, kërkon ndërgjegje dhe qytetari.

Sigurimsat nuk e kanë një gjë të tillë, pasi, po ta kishin, nuk do të ishte nevoja e hapjes së dosjeve. Nuk do të kishte nevojë të investohej për të zbuluar sigurimsat. Duke parë me gjakftohtësi këto nisma, them se më shumë kemi të bëjmë me një propogandë mediatike, me një lumë akuzash të ndërsjellta politike, se sa me bërjen e një ligji të zbatueshëm. Dosjet e Sigurimit kanë dhe pozicionet e tyre.

Në periudhën e diktaturës dihej se partia ishte mbi të gjithë, pra dhe mbi Sigurimin. Ndoshta dosjet e komiteteve të Partisë së Punës janë më kompromentuese se vetë dosjet e Sigurimit. Askush nuk flet për këto dosje. Askush nuk thotë se përse për këto dosje heshtet! Ligji për arkivat e ka tejkaluar afatin e tij ligjor, çka do të thotë se ligjërisht asgjë nuk e pengon një gjë të tillë.

Ligji dhe morali

Janë hedhur mjaft projektligje për këtë çështje. Janë marrë modele të shteteve të ndryshme, kryesisht të atyre gjerman e italian. Çudia më e madhe ndodh se nuk merret mendimi i asnjë shqiptari, i asnjë shtrese shoqërore, aq më tepër e shtresës, e cila në atë kohë quhej "e deklasuar". Me këtë ligj, çuditërisht, merren ata, që nuk kanë qënë të prekur nga fenomeni, merren ata, të cilët, pas miratimit të tij, mundet të rezultojnë me dosje. Në këtë këndvështrim, ky ligj nuk mundet të jetë një ligj që pastron politikën, administratën, Gjyqësorin etj. nga kjo situatë.

Duke parë e analizuar në tërësi problemin, na lind e drejta të themi se çështja është më e lehtë për t’u zgjidhur. Ligji formulohet duke marrë në konsideratë, doket, zakonet, traditën, sipas gjëndjes shoqërore e zhvillimit të vetë kohës. Ligji nuk është tabu. Ai bëhet i zbatueshëm atëherë kur vetë ligji kthehet në ligj moral.

Tek ne kjo mënyrë e ligjit nuk njihet. Tek ne njihet vetëm ligji i cili bëhet vetëm për të përmbushur disa kritere të Europës dhe jo në pak raste ligji bëhet dhe për të luftuar kundërshtarin politik. Ka ardhur koha që shqiptarët të shohin një ligj dhe një zbatim të tij, jo si hakmarrje, por si zbatimi i një të drejte të mohuar prej më shumë se dy dekadash. Shpresa vdes e fundit!…

 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com në 2 Prill 2015

SHKARKO APP