Ligji për energjinë diellore, Nika: S’janë nxjerrë aktet nënligjore, i pazbatueshëm

Pas miratimit të ligjit “Për prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme” nuk janë nxjerrë aktet nënligjore, që do e bënin të zbatueshëm”. Situata denoncohet nga drejtori i organizatës EcoAlbania, Olsi Nika, duke shtuar se kjo është një domosdoshmëri për krijimin e burimeve alternative të prodhimit të energjisë në vend.

“Ne jemi duke e monitoruar se si po aplikohet ky ligj. Në fakt ende nuk kanë të gjitha aktet nënligjore të cilat do ta bëjnë ligjin të zbatueshëm në kontekstin shqiptar, dhe kjo ka qenë edhe një pengesë përse Shqipëria në fakt nuk është orientuar drejt burimeve alternative të përftimit të energjisë. Për momentin pas ligjit janë ndërtuar edhe strukturat që do ta zbatojnë ligjin në nivelet e larta të vendimmarrësve dhe të qeverisjes, pra ka një departament, një drejtori brenda ministrisë së Energjisë për burimet e rinovueshme dhe procesi është duke ecur, por për fat të keq me hap të ngadaltë”, tha drejtori i EcoAlbania.

Sipas Nikës edhe dhënia e lejeve të reja të ndërtimit, duhet të pasohet me detyrimin për përdorimin e materialeve, që garantojnë përdorimin efiçent të energjisë.

“Një ndërtim i ri që do të bëhet në Bashkinë Tiranë, te pjesa e planifikimit duhet t’i përmbahet rregullave të cilat duhet të vendosen në bazë të ligjit nga Bashkia Tiranë. Godina që do të ndërtohet për ambiente banimi duhet që të jetë eficiente për sa i përket energjisë, duke filluar që nga hidroizolimi, termoizolimi e kështu me radhë. Këto janë gjëra në fakt të reja për mënyrën e qasjes qoftë edhe nga ndërtuesit, megjithatë ky është një investim i cili ta kthen përfitimin mbrapsht në një kohë shumë të shkurtër”, tha Nika.

Aktualisht prodhimi i energjisë është i varur tërësisht nga burimet ujore, ndërkohë që nisur nga potenciali që ofron vendi ynë, energjia e diellit është një nga alternativat më të mira për diversifikimin e burimeve.

SHKARKO APP