Liri Belishova, 90 vitet e gruas që sfidoi diktaturën

Vuajtjet e diktaturës nuk e mposhtën, ose ndoshta ishin ato vuajtje që i dhanë edhe më shumë forcë për të qëndruar. Si një dëshmi e gjallë e viktimave të sistemit, por edhe të atyre që me zell luftuan për ta sjellë në pushtet atë. Në 90 vitet që i rëndojnë tashmë në supet e kërrusura, Liri Belishova e gjeti kohën e saj për t’i kërkuar falje popullit shqiptar, edhe pse ajo vetë – partizania që luftoi për çlirimin e vendit, deputetja e qeverisë komuniste –do të shndërrohej në armiken e kësaj të fundit e për këtë do të syrgjynosej prej sistemit, ku ajo vetë militoi. 

Vuajtjet e diktaturës nuk e mposhtën, ose ndoshta ishin ato vuajtje që i dhanë edhe më shumë forcë për të qëndruar. Si një dëshmi e gjallë e viktimave të sistemit, por edhe të atyre që me zell luftuan për ta sjellë në pushtet atë. Në 90 vitet që i rëndojnë tashmë në supet e kërrusura, Liri Belishova e gjeti kohën e saj për t’i kërkuar falje popullit shqiptar, edhe pse ajo vetë – partizania që luftoi për çlirimin e vendit, deputetja e qeverisë komuniste –do të shndërrohej në armiken e kësaj të fundit e për këtë do të syrgjynosej prej sistemit, ku ajo vetë militoi.

Në thuajse një shekullin e saj të jetuar vitet i kanë lënë gjurmët…dëgjimi e ka humbur pak kthjelltësinë, ndërsa një prej syve i është dëmtuar qysh në kohën e demonstratave të para në Tiranë edhe shëndeti është rënduar, por kthjelltësia e mendjes i mposht të gjitha.

E ulur në radhët e para të karrigeve në sallën e madhe të Akademisë së Shkencave, ka mbledhur fuqitë për të qenë e pranishme në promovimin e librit “Gruaja që sfidoi diktaturën”, një monografi e studiuesit Halil Rama, që vjen pikërisht për ta nderuar Belishovën në ditën kur ajo mbush plot 90 vjeç.

“Janë 90 vjet që rëndojnë…është gati një shekull. Kam shumë dhimbje, fatkeqësisht, megjithatë jam e lumtur që Shqipëria po shkon drejt Europës dhe jo vetëm Shqipëria, por edhe Kosova” –kështu shprehet ajo për gazetarët që e pyesin për të marrë një rrëfim prej saj.

Nuk e ka humbur ndjenjën e qytetares së angazhuar politikisht as sot, pas jetës së mbushur plot dhimbje, jo vetëm fizike në internimin e egër, por edhe ato shpirtërore që kulmojnë me vdekjen e së bijës, Drita Çomo.

Mallëngjehet kur sheh se si sallën e kanë mbushur personalitete të kulturës dhe politikës, për ta nderuar.

Ish-presidenti Alfred Moisiu, i pranishëm në ceremoninë jubilare në Akademinë e Shkencave, e kujton Belishovën si një bashkudhëtare të rinisë në ëndrrat për lirinë e zhvillimin e vendit.

 “Liria ka qenë një nga ato vajzat që kur shpërthenin demonstratat në Tiranë ishte e para që merrte pjesë dhe ajo ka humbur edhe një sy në demonstratat e asaj kohe… Ai brez mbeti i zhgënjyer”,kujton Moisiu.

Për historianin Paskal Milo, edhe ai i pranishëm në ceremoni, Belishova është produkt i historisë, i një historie jo pak të trazuar si ajo e Shqipërisë.

“Është një personalitet politik që ka përjetuar kalvarin e politikës shqiptare në mënyrën më ekstreme të mundshme, megjithatë në përfundimin  e kësaj beteje me sfidat e historisë, por edhe me jetën, në perëndim të jetës biologjike të saj, mund të themi që është një heroinë” -është shprehur Milo.

Liri Belishova ishte një nga figurat më simpatike, më të mençura, më fisnike dhe një nga udhëheqëset kryesore të LANÇ-it dhe të pasluftës…Kështu e përshkruan Halil Rama, autori i monografisë “Gruaja që sfidoi diktaturën”.

Ai sjell kujtimet e atyre që e kanë njohur. Një grua stoike, e ka quajtur një nga bashkëpunëtorët e saj më të ngushtë të 23 viteve të fundit, Kryetari i OBVL-së, Rrahman Parllaku. Sipas z.Parllaku, Belishova kishte cilësi të rralla kulturore, komunikative e propagandistike, bindëse. Ishte e aftë të bisedonte bindshëm me njerëz të natyrave dhe karaktereve të ndryshme. E edukuar në një mjedis familjar atdhetar dhe në ambient qytetar si Tirana, ajo kishte aftësi bindëse të çuditshme. Agjitatore e jashtëzakonshme, e tipit të ri antifashist, Liria e kuptonte me lehtësi hallexhiun nga fshati, qyteti apo aleatët e huaj. Ajo nuk ishte e nënshtruar dhe nuk ndjente komplekse inferioriteti ndaj askujt.

Ndërsa prof. dr. Ana Lalaj, që ka trajtuar shkencërisht më mirë se kushdo historinë e LANÇ-it dhe të Pasluftës, në referatin e saj e sheh jetën dhe veprimtarinë e Belishovës në tri kohë. Ajo është një legjendë në kufirin e tri kohëve. Në kohën tonë moderne të globalizmit nuk bëhet fjalë për legjenda. Megjithatë, ato ekzistojnë, pavarësisht heshtjes dhe indiferencës së opinionit publik. Një protagoniste me një jetë të jashtëzakonshme është edhe Liri Belishova. Ajo është padyshim një nga figurat e shquara të historisë shqiptare, të viteve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, të periudhës së pasluftës dhe viteve të demokracisë e pluralizmit politik në Shqipëri.

“Portreti i saj është ai i një gruaje emblematike, të edukuar, të shkolluar, të përkushtuar dhe të kulturuar në shkallën më sipërore. Si e tillë, ajo zë vendin e merituar në panteonin e nderit të kombit shqiptar…Ajo është shquar për pjesëmarrje aktive në demonstratat dhe në të gjitha format e veprimtarisë antifashiste ilegale. Si bijë e denjë e një familjeje me tradita të shquara atdhetare, u bë një nga veprimtaret më të shquara antifashiste të Shqipërisë” -e përshkruan Halil Rama, që e cilëson Belishovën si protagoniste me një jetë të jashtëzakonshme.

Arsimin e mesëm, Liri Belishova e kreu gjatë periudhës së Luftës Antifashiste në Institutin Femëror “Nana Mbretneshë”, dega normale, ndërsa pas çlirimit, studimet e larta i kreu për shkenca politike-sociale në Moskë, në periudhën 1951-1954. Ka marrë pjesë në Lëvizjen Antifashiste që në demonstratat e rinisë në prill të vitit 1939. Është përjashtuar nga shkolla për aktivitet antifashist më 1941 dhe 1943. Ajo kontribuoi në Luftën Antifashiste dhe pas çlirimit. Në saje të punës dhe përpjekjeve arriti të bëhet një nga drejtueset e larta të Partisë Komuniste Shqiptare, duke besuar se ajo përfaqësonte interesat e popullit e të atdheut. Por pikërisht kur konstatoi devijimin nga kjo devizë, ajo u përball egërsisht me udhëheqjen e nomenklaturës komuniste, nga e cila edhe u dënua e u trajtua mizorisht. Liri Belishova ka qenë deputete e Kuvendit të Shqipërisë që nga 1947 deri më 1961 në të gjitha legjislaturat. Më pas provoi trajtimin e keq në kampet e internimit, si shumë kundërshtarë të sistemit të asaj kohe. Nuk u ligështua dhe me fillimin e proceseve demokratike u përfshi për të dhënë ndihmesën e saj nëpërmjet Organizatës të Bashkuar të Veteranëve të LANÇL (OBVL), në interes të atdheut.

Duke shtrënguar fort në duart e rrudhur që i mbajnë vitet mbi dhe nën lëkurë, lulet e ditëlindjes së saj të nëntëdhjetë, Belishova i cilëson nëntë dekadat e jetuara si të mjegulluara nga fati, por një fat që nuk e mposhti dot qëndresën e saj…

SHKARKO APP