Lirimi i 7 kuksianëve, Basha: Drejtësi gjysmake! Qëndresa të vazhdojë

Pas vendimit të Gjykatës së Apelit në Shkodër, për të liruar 7 nga 11 të arrestuarit e protestës së 31 marsit në ”Rrugën e Kombit”, ka reaguar kreu i PD-së, Lulzim Basha, i cili vendimin e lirimit e quan fitore të protestës së qytetarëve.

Megjithatë, për Bashën kjo është një drejtësi gjysmake dhe përmend ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri për të argumentuar mendimin e tij.

“Por, kjo drejtësi gjysmake është në fakt padrejtësi, sepse 4 kuksianë mbahen në qeli, ndërkohë që trafikanti ndërkombëtar i drogës Sajmir Tahiri është në Parlament. Ky është thelbi i regjimit të Edi Ramës: burg për popullin që ngrihet kundër grabitjes, liri për kriminelët që mbajnë Edi Ramën me paratë e drogës dhe vota të blera”, vijon ai.

Kreu i demokratëve bën thirrje që protesta dhe qëndresa qytetarë të vazhdojë. “Nga fati i kësaj beteje varet e ardhmja europiane e Shqipërisë. PD është në krah të njerëzve, është në krah të popullit”, mbyll reagimin e tij Lulzim Basha.

 

SHKARKO APP