Lista e PD, Ilir Kulla: Basha bëri bastin e karrierës. Mark Marku: Hoqi kundërshtarët e tij
Në emisionin e sotëm “Studio e Hapur” në Neës24, u diskutuan listat e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike. Sipas shefit të departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit, Mark Marku, Lulzim Basha, me emrat që zgjodhi hoqi kundërshtarët e tij.
“Heqja e tyre ka probleme, dhe nuk është problemi pse ka qëndruar Berisha, edhe pse mund të kemi 100 vërejtje për të. Por nuk ka njeri që të thotë se nuk është politikan i zoti, dhe e njeh politikën mirë. Mendoj që zgjedhja e Bashës ka qenë e gabuar. Ai ka hequr kundërshtarët e vet,” tha ish-deputet i PD-së.
Ndërsa analisti i çështjeve të sigurisë, Ilir Kulla, tha se Basha bëri bastin e karrierës së vet. Por sipas Kullës, Basha do të paguajë faturën e humbjes.
“Basha ka bërë bastin e karrierës së vet. Bashën e kanë marrë gjithmonë njerëzit lehtë, por gjërat i kanë shkuar mirë. Që kur u bë ministër transportesh, pastaj ministër i jashtëm, pastaj kryetar bashkie, dhe po me mbështetjen e Berishës, është në krye të PD-së dhe po provon të bëhet kryeministër në stilin e vet. Nëse në këtë stil i duhet të sakrifikojë 60% të listës, atëherë ai e bën. Por asnjë nga këta që ka folur, nuk ka drejtë të flasë, përveç disa figurave që ia vlejnë. Por Lulzim Basha do paguajë faturën e vet të humbjes,” tha Kulla.