Lista e PS, cilët bëhen deputetë për herë të parë?
Nga lista shumëemërore e Partisë Socialiste të propozuara për zgjedhjet e 25 qershorit dhe bazuar në rezultatet e vitit 2013, pritet që të paktën 25 deputetë të ulen për herë të parë në kuvend. Kështu:
Në qarkun e Tiranës ku garohet për 34 mandate, PS në vitin 2013 fitoi 17 mandate. Bazuar në këto rezultate, në parlamentin e ardhshëm do të ulen të paktën 4 deputetë të rinj: Elona Gjebrea, ish zv/Ministre e Punëve të Brendshme; Ogerta Manastirliu, ish-ministre e Shëndetësisë; Klotilda Ferhati, anëtare e Këshillit Bashkiak Tiranë dh Sadi Vorpsi, ish-Prefekti i Tiranës.
Në qarkun e Durrësit ku garohet për 14 mandate, Partia Socialiste në vitin 2013 fitoi 6 mandate. Nëse arrihet i njëjti rezultat, do të kemi të paktën katër deputetë që ulen në kuvend për herë të parë: Milva Ekonomi, Ministre e Ekonomisë; Ilir Ndraxhiu, sipërmarrës, Roland Xhelilaj, ish-prefekt i qarkut Durrës dhe Jurgis Çyrbja, jurist dhe pedagog.
Në qarkun e Gjirokastrës ku garohet për 5 mandate, Partia Socialiste, në vitin 2013, arriti të fitonte 3 prej tyre. Bazuar në këtë rezultat, në kuvend do të kemi tre deputetë të rinj: Bledar Çuçi, ish ministër i Çështjeve Vendore; Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës dhe Flamur Golemi, mjek dhe kryetar i PS-së në Gjirokastër.
Në qarkun e Korçës, ku partitë garojnë për 11 kandidatë, Partia Socialiste në zgjedhjet e fundit ka fituar 6 mandate. Nëse arrin të ruajë të njëjtin rezultat, në kuvendin e ardhshëm do të kemi 3 deputetë të rinj: Niko Peleshi, ish-zëvendëskryeministër; Elisa Spiropali, ish-Drejtoreshë e Përgjithshme e Doganave dhe Edlira Bode, mjeke.
Në qarkun e Fierit ku garohet për 16 mandate, Partia Socialiste, në vitin 2013, fitoi 9 prej tyre. Bazuar në këto rezultate, në kuvendin e ardhshëm pritet të ulen për herë të parë Ismet Beqiraj, pedagog në Fakultetin e Shkencave dhe Tatjana Piro, sipërmarrëse dhe këshilltare në Këshillin Bashkiak Lushnje.
Në qarkun e Vlorës ku garohet për 12 mandate, Partia Socialiste fitoi 6 mandate në vitin 2013. Nëse arrihet i njëjti rezultat, të paktën 3 deputetë do të jenë për herë të parë pjesë e kuvendit: Vilma Bello, pedagoge; Alket Hyseni ish-drejtor i Drejtorisë së Pastrimit të Parave dhe Vullnet Sinaj, sipërmarrës.
Në qarkun e Elbasanit, ku garohet për 14 mandate, PS në vitin 2013 fitoi 6 prej tyre. Nga 6 kandidatët e parë në listën e Elbasanit, vetëm një prej tyre është prurje e re: Arben Kamami, mjek.
Në qarkun e Beratit garohet për 7 deputetë dhe PS fitoi 4 në zgjedhjet e 2013-ës. Bazuar në këto rezultate, të paktën dy do të jenë deputetë të rinj: Adnor Shameti, jurist dhe Fadil Nasufi, ish-kryebashkiak dhe prefekt i qarkut të Beratit.
Në qarkun e Shkodrës, nga 11 mandate, Partia Socialiste në vitin 2013 fitoi 4 mandate. Bazuar në këtë rezultat, në parlamentin e ardhshëm do të kemi të paktën dy deputëtë të rinj: Senida Mesi, administratore në Universitetin “Luigj Gurakuqi” dhe Luan Harusha, ish-kryetar i njërës prej komunave në Shkodër.
Në qarkun e Lezhës ku garohet për 7 mandate, PS arriti të fitojë vetëm dy të tilla në vitin 2013. Bazuar në këtë rezultat, dy mandatet e Lezhës i shkojnë Lindita Nikollës, ish-ministre dhe Pjerin Ndreut, deputet. Nëse PS arrin të marrë mandatin e tretë, fitues do të jetë Gjetan Gjetani, drejtues në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtëshme.
Në qarkun e Kukësit ku garohet për 3 mandate, PS në vitin 2013 arriti të merrte vetëm një. Bazuar në këtë rezultat, mandati në zgjedhjet e 25 qershorit i shkon Mimi Koledhit, ministre e Mbrojtjes. Nëse PS arrin të fitojë një mandat të dytë, fitues është Safet Gjici, sipërmarrës, që do të ulet për herë të parë në kuvend.
Në qarkun e Dibrës, ku garohet për 6 mandate, Partia Socialiste fitoi vetëm 2 mandate. Nëse arrihet i njëjti rezultat, nga qarku i Dibrës do të ketë vetëm një deputet të ri në kuvend: Almira Xhembulla, prurje nga shoqëria civile./Exit/