Llazari dhe pazari me administratorët tanë
Albanian Stories
Nga Rudina Xhunga –
Llazari është administratori i pallatit ku banoj. Pas një viti, në dilema dhe pakënaqësi nga administratori i vjetër, pas shumë mbledhjesh, ku i jepej vërejtje dhe kërkohej ndryshim i gjendjes së një pallati të ndërtuar bukur, por të pamirëmbajtur, banorët vendosën më në fund , ta marrin vetë në dorë situatën. Derisa një ish-ushtarak, pensionist, ardhur nga emigracioni, pranoi të bëhej ai, administratori i ri. E njëjta pagesë mujore, por gjithçka tjetër, ndryshe. Qysh të nesërmen u shfaqën letrat në ashensor, ku shkruhej numri i celularit dhe nevoja për bashkëpunim. Vetë ai, zotëria me flokë të thinjur, mori furçën në dorë dhe nisi lyerjen e hyrjes.
Ngjyra rozë e zbardhur, mbushur me grafite e sharje kalamajsh, u zëvendësua me bojëra , për të cilat ranë dakord më parë të gjithë, aq sa të gjithë bien dakord. Por ai ia doli. Telat e ish-llambave u zëvendësuan me abazhurë, lule në hyrje, sistemim i parahyrjes, dikur lulishte, tani instalacion me bishta cigaresh, e njëjta pastruese, por tjetër nivel pastërtie. Në shkallë gjen vendin ku të lësh faturat e secilit dhe të shënosh pengesat dhe mungesat. Edhe ashensori sillet ndryshe. Të zbret në kat, kur ikin dritat, sepse kishte nevojë për ndërhyrje. Të duket sikur jeton në një pallat tjetër. E gjitha kjo ndodhi pasi banorët i lanë dilemat vjeçare; po hoqëm këtë që kemi, kush do e marrë? Sepse është gjithmonë një tjetër që e merr. Nuk ke si ta dish, si do të jetë ai, vetëm po dyshove e nuk ndryshove. Nuk ke si ndryshon, po nuk lëvize, po nuk provove, po nuk besove se ke votë në komunitet dhe mund të jesh ti vetë, ndryshimi. Është po kaq e thjeshtë edhe me deputetët, ministrat, qeveritë. Ata që dalin përditë, ekraneve, pozojnë dhe bërtasin, zihen dhe bëjnë sikur, në debate, janë të plotfuqishëm , sipas të pafuqishmëve, të pazëvendësueshëm , veç me njëri-tjetrin, derisa vijnë zgjedhjet. Ata që i zgjedhin, nuk e dinë fuqinë e votës, fuqinë e ndryshimit, që vjen prej shumicës së heshtur. Ata as që besojnë te vetja. Sepse idealizojnë pushtetin. Sepse nuk e kuptojnë që pushteti janë ata vetë, në të vërtetë. Pushteti që cakton administratorët. Ata që na qeverisin janë thjesht administratorë të pallateve tona, të parave tona, rregullatorë të ligjeve, sipas së cilave zhvillohet shoqëria jonë. Janë si administratori i pallatit tim; nuk bënte, e ndërruam. Nuk ka afat kohor për ta, ka vetëm përkohshmëri. Rezultatet iu zgjasin kohën e pushtetit. Kaq është e gjitha. Nëse ti shikon administratorin e pallatit tënd, që befas ka makinë të mirë, që e parkon në trotuarin ku luajnë fëmijët e tu, dhe nuk vjen më me biçikletë si atëherë kur e nisi, që ka pallto të shtrenjtë, që trash zërin, kur të takon, që s’të takon hiç, po të çon ndihmësin, që nuk të ngre telefonin, kur mbetesh në ashensor, që nuk mbledh pagesën nga të gjithë, se nuk ia japin, por i shton pagesën atyre që paguajnë, çfarë bën ti? E ndërron.
E zëvendëson me një tjetër. Pa u menduar dy herë. ( Ky nuk është rasti im, por çdokujt mund t’i ketë ndodhur). Pse qenka ndryshe, kur një ministër nuk denjon të të dëgjojë, ty dhe kë ka nevojë për ndihmë, ose ka ide apo bashkëpunim për të ndarë? Kur puna e tij është dukshëm e padukshme, sepse jeta jote është vështirësuar, nuk është përmirësuar, qyshkur ai administron. Nëse ty të janë shtuar privimet, ndërsa atij përfitimet, nëse i sheh makinën nga i zbret roja, që i çon fëmijën në një kopësht të shtrenjtë, të papërballueshëm për rrogat e administratës, nëse i sheh fotografitë në rrjete sociale të bashkëshortes që pozon mirëqenien, e pamundur nga dy rroga shqiptare, mos e mendo dy herë. Ai po shpërdoron besimin që i ke dhënë ti, të administrojë, duke të futur dorën në xhep. Jeta jote është më e keqe, sepse është përmirësuar vite drite larg teje, e tija. Ai të duket i rëndësishëm? Po, sepse është pushteti yt, që e ka bërë të tillë. Ia ke dhënë ti. Ti mund t’ia marrësh. Nëse bashkë me ata shumë të pakënaqur si ty, bëheni të vetëdijshëm për fuqinë që keni dhe vendosni ta ndërroni, nuk ka njeri t’ju ndalojë, është thjesht çështje kohe, jo pamundësie. Ti mund ta heqësh atë, të zëvendësosh çdokënd që nuk të shërben siç të ka premtuar, kur donte votë dhe besim. Mos dysho kurrë te vetja. Mos idealizo, kupto se do rregullosh jetën tënde, po ngrite zërin dhe jo po shtrove kurrizin. Mos u bëj konsumues i telenovelave e hoqi, s’e hoqi, e prishi, e ndau, e takoi, hëngrën darkë. Ato janë për të përgjumur gjumashët. Për të të bërë të mendosh se është diku lart e larg teje zgjidhja. Në fakt, zgjidhja je ti. Je ti që vendos të ndërrosh administratorin e pallatit, ku banon, dhe pikë.
MAPO