Lobimi rus për daljen e Serbisë në Adriatik

Nga Nuri Dragoj

(Lexoni nga numrat e kaluar)

Kur Vjena kundërshtonte pretendimet serbe për Shqipërinë
Arkivat e huaja për Shqipërinë e 103 viteve më parë

Më 2 nëntor 1912, ambasadori britanik në Rusi, G. Buchanan, pati një bisedë të shpejtë në Shën Petërburg me ministrin e Jashtëm rus Sazanov. Folën vetëm për krizën ballkanike. Gjatë atij takimi, Buchanan e kishte pyetur ministrin rus, se çfarë mendonte për Maqedoninë. Dhe ai ishte përgjigjur:

– Lidhur me territorin e Maqedonisë mendoj, se Serbia dhe Bullgaria, mund të lejohen të zgjedhin sipas pretendimeve që kanë. Ndërsa grekët do të marrin Kretën, Epirin dhe Thesalinë. Ai pohonte se kishte dëgjuar që Austria do të pranonte lëshimin e Sanxhakut për Malin e Zi. Ndërsa Shqipëria do të bëhej një provincë autonome turke. Por në lidhje me Shqipërinë, duhet të kemi parasysh dy elemente, – tha ai.

– Çfarë elementesh? – e pyeti ambasadori britanik.

– Shqipëria duhet të kufizohet sa të jetë e mundur me zonat bregdetare. Ajo nuk duhet të ketë shtrirje të gjerë në brendësi të Gadishullit.

– Po më tej? – e ripyeti ambasadori.

Ministri rus hapi duart sikur donte të thoshte: “më tej nuk di ç’të them”. Por pastaj ndërroi mendim dhe u përgjigj:

– Meqë Italia dhe Austria janë dy fuqitë më të interesuara drejtpërdrejt për Shqipërinë, ato mund të këshillohen së bashku për zgjidhjen sipas vijave të marrëveshjes së tyre të vitit 1904, por ….

Ministri Sazanov e ndërpreu mendimin e tij, duke mos qenë i sigurt, nëse duhej t’ia thoshte këtë gjë ambasadorit britanik.

– Por, çfarë? – pyeti sërish ambasadori.

– Asnjëra prej tyre nuk duhet të ëndërrojë ndonjë formë të protektoratit mbi Shqipërinë, – shtoi ministri rus.

Buchanan e vështroi me kujdes, duke i ngulur sytë te pjesa e rralluar e flokëve, ku dukeshin aty këtu shtëllunga thinjash të bardha. Për të thuhej gjithmonë, se ishte shumë kontradiktor. Çdo debat diplomatik midis ambasadorësh, pozitiv apo negativ, nuk e përfundonte kurrë. Sazanov kishte dy vjet që shërbente si ministër i Jashtëm i Rusisë. Për të thuhej se kishte rrugë të gjatë përpara, meqenëse Cari e kishte me sy të mirë. Por Cari konsideronte mik shtëpie edhe ambasadorin britanik, Buchanan. Ndonëse caresha nuk fliste mirë për diplomatin anglez, përsëri Cari ia dëgjonte vazhdimisht fjalën. Në fakt, Buchanan kishte 2 vjet që punonte si ambasador në Shën Petërburg. Lidhjet e tij me Carin i kishte forcuar, sidomos pas vitit të parë të detyrës. Në vitin 1908, ai ishte emëruar ministër fuqiplotë në Hagë dhe 2 vjet më vonë, për punë të mirë, u transferua si Ambasador i Britanisë së Madhe në Rusi. Gjatë kësaj periudhe, detyra e tij e fshehtë ishte, që të takohej e të organizonte reformatorët liberalë. Ky urdhër i fshehtë i ishte sugjeruar nga Qeveria Liberale e Londrës.

Në fakt, që të dy gëzonin mirëbesimin e Carit, prandaj flisnin pa doreza me njeri – tjetrin. Ndërsa kur ishte fjala për çështje thelbësore, të dy kufizoheshin. Trembeshin, mos ndonjëri prej tyre mund të dekonspironte tjetrin te Cari i Rusisë. Biseda po shkonte drejt fundit dhe britaniku e vështroi në sy, në një mënyrë të tillë, sikur donte t’i thoshte: “Çfarë keni ndonjë merak tjetër për krizën ballkanike”? Pastaj Buchanan u bë gati të ngrihej, pasi orari i takimit ishte tejkaluar. Ministri rus gjatë dhënies së dorës i tha:

– Mendoj se Serbisë i duhet dhënë patjetër një dalje në Adriatik, pikërisht në Shëngjin!

Britaniku tundi kokën, për t’i thënë se e kishte kuptuar mjaft mirë. Por tjetri nuk ia lëshoi dorën dhe shtoi:

– Në rast se Austria nuk do ta pranojë këtë zgjidhje, e vetmja alternativë do të ishte, që Serbisë t’i lejohet të dalë në atë det, diku më në jug, ndoshta në Vlorë. Mirëpo, kjo do ta bënte konfigurimin territorial të saj, shumë të pakënaqshëm.

– Ju do ta pranonit këtë alternativë? – e pyeti Buchanan.

– Unë mund ta pranoj këtë alternativë vetëm nëse do ta pranonte Serbia, – përfundoi ai. Të dy u ndanë pa shtuar asgjë tjetër.

Pranë fuçisë së barutit

Prej vitesh Jugosllavia ishte mësuar me psikologjinë e padronit, i cili shfrytëzon popuj të vendeve të tjera për begatinë e vet. Pas shpërthimit të murit të Berlinit, ajo do të shpërbëhej brenda disa muajve. Kjo tregoi se ishte një shtet butaforik, që kishte përfituar nga miqësia me rusët, për të grabitur dhe shfrytëzuar territoret e popujve të tjerë. Aq e dukshme ishte kjo psikologji bajraktari, saqë ish-presidentit të Serbisë, Milosheviç, i dukej padrejtësi e madhe që populli i Kosovës të kërkonte të drejtën e vetë. Të merrte frymë lirisht në tokën e të parëve.

Milosheviçi ushtroi një gjenocid të ashpër ndaj shqiptarëve. Por me sa duket, ky diktator, nëpërmjet këtij veprimi barabar po kërkonte fundin e vet. Vendet demokratike të botës, SHBA, Britania dhe forcat e NATO-s, do të nisnin bombardimin mbi kryeqytetin serb, nga ku dilnin përditë urdhra tinëzarë të Milosheviçit për dëbimin e shqiptarëve. Pas bombardimeve erdhi urdhër – arrestimi dhe gjyqi i Milosheviçit. Pastaj vdekja e tij në burg dhe fundi i epokës së robërimit kosovar.

Më vonë Kosova do të fitonte pavarësinë dhe vendosi institucionet e veta. Ndërsa kasta pasardhëse e Milosheviçit do të vazhdonte të bënte deklarata, se gjoja Kosova ishte akoma pjesë e Serbisë. Por një histori e tillë kishte marrë fund me Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Ndërkohë, akti i bashkimit të saj me Shqipërinë mbetej thjesht çështje kohe.

Më 5 nëntor të vitit 1912, ministri i Jashtëm britanik për Beogradin kërkoi një takim me Kryeministrin Pashiç. Por ai ishte nisur drejt Shkupit. Mbase për të qetësuar popullsinë vendëse. T’i siguronte ata, që bashkëjetesa me serbët do të sillte veç avantazhe pozitive. Por nuk përjashtohej mundësia, që vizita e Pashiçit në Shkup të ishte organizuar me qëllim. Ai dëshironte t’i shmangej bisedës me ministrin britanik në Beograd, për çështjen e pushtimit të territoreve shqiptare. Megjithatë, Ralph Pageti do të pritej atë ditë në Ministrinë e Jashtme të Serbisë, nga Jovanoviç.

Britaniku ishte ngarkuar të realizonte patjetër një takim me përfaqësuesit e lartë serbë. Ndaj gjatë takimit me Jovanoviçin e pyeti:

– Nga njoftimet që kam marrë prej të dërguarit me punë të Serbisë në Londër, Grujiç*, duket se ai ka përdorur një gjuhë, që për çështjen e Sanxhakut nuk lë asnjë vend për kompromis. Ju, keni dijeni për këtë gjë?

 Jovanoviçi tundi kokën, sikur donte të thoshte se kishte dijeni. Por në fund të fundit, ç’rëndësi kishte, se çfarë nuk u pëlqente britanikëve në ligjëratën e të dërguarit të Serbisë në Londër. Prandaj, Pageti u hodh drejt e në temë.

– Dua t’ju pyes: a i pasqyron drejt gjuha e zotit Grujiç ndjenjat e qeverisë serbe?

Në vend që të çuditej, Jovanoviç qëndroi shumë i qetë. Përpara se të përgjigjej, ai i ra me gisht një filli të bardhë që i kishte rënë në kostumin e tij të zi.

– Tani është absurditet t’i referohesh statuskuosë së vjetër, – tha ai me zë të ngadaltë, sikur po tregonte një histori dhe vazhdoi më tej: – Sukseset e papara të ushtrisë serbe, kanë sjellë një rend tërësisht të ri. Do të ishte mirë, që secili ta kuptonte këtë fakt. Nuk ka arsye, që Austria dhe Serbia të mos arrijnë në një marrëveshje lidhur me Sanxhakun.

– Si mund të arrihet kjo? – pyeti britaniku.

– Gjithçka do të varet nga mënyra se si do t’i qaset Austria kësaj çështjeje. Në rast se ajo dëshiron një pjesë të Sanxhakut, mund të gjendet gjuha. Besoj se nuk do të ketë kundërshtime për t’i lëshuar Austrisë një pjesë të vogël territori. Në rast se ajo do të kishte synime të tjera, duke i hedhur sytë deri në Selanik, punët ndryshojnë. Për më tepër, nëse do të orvatej të pengonte Serbinë për një dalje në Adriatik, atëherë ne do të rrëmbenim armët. Do të derdhnim edhe pikën e fundit të gjakut për të mbrojtur të drejtat. Ky opinion ishte edhe në Beograd. Aty thuhej hapur, se Austria mund të hynte në Sanxhak vetëm duke kaluar mbi kufomat e tyre.

Pasi tha disa fjalë mbi marrëdhëniet Serbi – Austri, britaniku e ripyeti Jovanoviçin, se çfarë kuptohej me termin “Serbia e Vjetër”. Sekretari i jashtëm serb mori në dorë një hartë të Ballkanit dhe hoqi një vijë të paqartë, që nënkuptonte kufirin e “Serbisë së vjetër”. Ajo vijë ishte konfuze dhe e pakuptueshme për britanikun. Kalonte nga kufiri serbo – bullgar, në drejtimin jugperëndimor drejt Përlepit, pastaj vijonte në skajin verior të Liqenit të Ohrit, deri në Durrës dhe Adriatik.

– Kjo do t’i japë Serbisë pothuajse 40 milje të bregdetit, duke përfshirë edhe Portin e Shëngjinit, – tha Sekretari i Jashtëm serb.

– Po shtetet e tjera të Ballkanit, çfarë do të pretendojnë në këto rrethana? – e pyeti Pageti.

Dhe Jovanoviç nuk nguroi të përgjigjej:

– Mali i Zi kërkon një pjesë të Sanxhakut, qytetin e Shkodrës dhe një shtrirje të madhe të kufirit të tij drejt Lindjes.

– Po grekët? – e ripyeti britaniku.

– Për grekët nuk jam i sigurt çfarë pretendimesh kanë. Por mendoj se ata do të kërkojnë Thesalinë dhe Epirin. Megjithatë, kërkesat e Greqisë nuk kanë shumë rëndësi për ne. Ata me të drejtë kanë kërkuar që Selaniku t’u takoj atyre. Mirëpo, Serbia dhe Bullagria, mesa di unë, kanë ndërmend që Selanikun t’ia dorëzojnë Britanisë së Madhe.

– Po Bullgaria? – pyeti sërish Paget.

– Bullgaria do të marrë atë që do të mbetet prej Maqedonisë, deri në kufirin me Serbinë. Do të marrë dhe Rumelinë, me përjashtim të një rripi të ngushtë që përfshin Bosforin, Stambollin dhe Dardanelet, të cilat duhet të kthehen në territor asnjanës.

Pasi e dëgjoi me kujdes, britaniku vuri re, se në rrëfimin e serbit nuk flitej asgjë për pjesën nga Adriatiku deri në Liqenin e Ohrit. As për disa zona në jug, të cilat i përkisnin tërësisht Shqipërisë. Pageti, gjatë bisedës së tij, nuk e përmendi fare emrin e Shqipërisë. Ai tha vetëm këto fjalë:

– Më duket se mbetet një sasi e madhe territori ndërmjet Adriatikut dhe Liqenit të Ohrit. Gjithashtu edhe një pjesë e madhe në jug? Do të isha i kënaqur të merrja vesh, se çfarë do të bëhet me to?

– Unë mendoj se u takon Fuqive të Mëdha të gjejnë ndonjë mënyrë për ta përdorur atë, – përfundoi Jovanoviç.

Ai fliste për copëtimin e trojeve shqiptare me aq lehtësi, sikur përgatitej të ndante në disa pjesë një portokalle. Gjithsesi britaniku e kishte kuptuar se Jovanoviç, përveç sinqeritetit reflektonte edhe një dozë naiviteti, kur besonte se shkërmoqja e asaj pjese të perandorisë osmane mund të ishte aq e lehtë.

Duke i qepur me tinëzi territoret shqiptare brenda hartës së të tyre, shtetet fqinje kishin planifikuar gjakderdhjen e madhe të kombit shqiptar. Ai, po vihej nën gijotinën e historisë për t’u copëtuar prej europianëve. Pikërisht në Londër, ku thuhej se ndodhej epiqendra tradicionale e humanizmit botëror. Në fakt, gjatë atyre ditëve, në kancelaritë ballkanike dhe europiane nuk pati asnjë zë që të rikonfirmonte përpjekjet e bëra për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Madje, në Vlorë vazhdonte përgatitja nga ana e komisionit të ngritur për të. Ishte ngjarje e madhe.

Më 2 nëntor 1912, R. Paget kishte dërguar një letër për Sër Artur Nicholson*. Ministri i jashtëm britanik për Beogradin, sqaronte pozitën e vështirë të Austrisë përballë Serbisë, në lidhje me Sanxhakun. Kishte dhe pretendime për toka të tjera, që ajo i kishte pushtuar me luftë pas tërheqjes së turqve. Diplomati britanik parashikonte se zgjidhja e vetme midis Austrisë dhe Serbisë mbetej lufta. Por nuk duheshin nënvleftësuar as intrigat, pasi dihej që pas serbëve gjendeshin përherë rusët. Një rrezik më vete për Austrinë, sipas R. Paget, përbënte mundësia e marrjes së bregdetit lindor prej serbëve, të cilëve “Austria, as nuk mund t’u besojë, as nuk mund t’i sundojë tërësisht”.

Sinjale për mbajtjen e konferencës së dhunës

Një problem i shtruar shtrembër nuk mund të kishte shpresë për zgjidhje. Prandaj, Konferenca e Ambasadorëve që po përgatitej në Londër, ishte para së gjithash konferenca e forcës dhe dhunës. Rusia e kishte kthyer çështjen e okupimit të Shqipërisë nga Serbia në një çështje nderi. Prej këtij vendimi varej dinjiteti i ardhshëm i saj, ndërsa vendet e Aleancës Ballkanike po përgatisnin stomakët për të përtypur territore të tjera shqiptare. Më 9 nëntor, ambasadori britanik në Itali, R. Rodd, takoi kryeministrin Giolitti* në Romë. Ai ishte kthyer disa ditë më parë, pasi kishte përfunduar marrëveshjen e paqes me Turqinë. Giolitti ishte mjaft i qeshur dhe sytë i ndrinin nga kënaqësia për rezultatet e arritura në bisedimet që kishin lidhje me paqen e rajonit ballkanik.

 – Mua më kanë kritikuar mjaft për dekretin e aneksimit, por siç rrodhën ngjarjet doli për mirë, – tha ai. Ambasadori Rodd pohoi me kokë, duke iu përgjigjur entuziazmit të kryeministrit me një buzëqeshje miqësore.

– Tani na ka mbetur vetëm një pikë e errët në lidhje me aspiratat e Serbisë, për të marrë një port detar në Adriatik, – tha Giolitti dhe e ndërpreu mendimin.

– Cili është gjykimi i qeverisë suaj për këtë çështje? – e pyeti ambasadori, ndonëse e dinte fare mirë, që Italia mbështeste vazhdimisht Austrinë.

– Italia do të qëndrojë në anën e vetos austriake. Mendoj se Fuqitë e Aleancës së Trefishtë duhet të qëndrojnë së bashku për realizimin e autonomisë së Shqipërisë. Nuk mund t’i hiqej asnjë zonë nga bregdeti shtetit që duam të krijojmë vetëm pse i bëhet mirë Serbisë.

Më tej, duke folur për marrëveshjen e Italisë me Austro-Hungarinë në vitin 1901, Giolitti tha se Italia e shtronte çështjen kështu: Nëse ndonjë shtet tjetër do të përfitonte pjesë të territorit shqiptar, atëherë edhe Austro – Hungaria do të kërkonte një pjesë për vete. Kjo nuk i shkonte aspak për shtat Italisë.

– Prandaj, –shtoi ai, – është në interesin tonë që të mbajmë qëndrim për integritetin e Shqipërisë.

 Midis të tjerave, duke renditur shtetet dhe Fuqitë e Mëdha, sipas qëndrimit pro dhe kundër Serbisë, ai tha se Gjermania do të mbështeste Austrinë, por me një kusht! Vetëm në rast se Rusia do të ndërhynte për të mbështetur Serbinë dhe Lidhjen Ballkanike. Atëherë, për Aleancën e Trefishtë pritej të ndodhte një “casus foederi”. Në atë moment, britaniku e ndërpreu duke i sugjeruar:

– Më duket e pakonceptueshme një punë e tillë. Në rast se do të kapërcehen të gjitha vështirësitë, përse duhet të përplasen Fuqitë e Mëdha?

– Edhe unë ashtu mendoj, – tha kryeministri italian. – Pikërisht kjo është pikëpamja ime dhe Serbia duhet të kënaqet, duke pasur dalje për në Egje. Ajo mund të përdori në Adriatik një port të Malit të Zi, pas një bashkimi doganor.

Disa orë më vonë ambasadori britanik u takua me homologun e tij rus të Romës, i cili sapo kishte marrë direktivat nga Moska. Rusia nuk do ta braktiste Serbinë në vështirësitë e saj. Pra, ato ditë ngado që të ktheheshe, Ballkani kishte rezervuar një shfaqje lufte me thyerje shpatash.

FUND

SHKARKO APP