Loja e mesazheve të ISIS
Nga Skënder Minxhozi/
Prej ditësh mediat shqiptare dhe ato të rajonit (por edhe shtypi europian), i kanë dhënë jeohën disa mesazheve video apo në rrjetet sociale, që Shteti Islamik ka hedhur në drejtim të gadishullit ballkanik. Ka qenë një përzierje fytyrash, gjuhësh dhe kërcënimesh, të cilat transmetoheshin në cilësi të lartë figure, të përkthyera dhe me përpunim grafik për t’u pasur zili edhe nga studiot profesionale. Në to shfaqen dy shqiptarë, një imam nga Pogradeci dhe një i ri nga Gjilani. Edhe ata të përzgjedhur me kujdes, në mënyrë që mesazhet e tyre të sensibilizojnë të dyja anët e kufirit shqiptaro-kosovar.
Kur lexon reagimet që pasuan video-mesazhin e ISIS në shqip, kupton se qëllimi është arritur. Zhurma që shkaktuan mesazhet qe e madhe. Në Javanews.al kemi qenë ndër të parët që kemi publikuar fillimisht videon në fjalë, e më pas një dialog me Almir Dacin përmes rrjetit Facebook. Kemi marrë reagime të ndryshme nga lexuesit, tek të cilët dilema nëse është më mirë ose më keq përhapja e këtyre informacioneve, është gjithmonë e pranishme. Kemi vepruar ashtu si shumë media të tjera në Shqipëri dhe Kosovë. I kemi publikuar, në respekt të misionit të informimit të paanshëm e objektiv.
Përtej rolit të mediave, në këtë luftë propogandistike që zhvillohet në distancë prejmijëra kilometrash, qëndron objektivi i vërtetë i kësaj beteje mediatike. Që është ai i përzgjedhjes së mesazheve nga Shteti Islamik, për pjesë të ndryshme të botës, sidomos Europës, për faktorizimin e ideve dhe të qëndrimeve të tij. Ballkani është një portë preferenciale e ISIS drejt kontinentit të vjetër. Artikulli i sotëm i “Welt am Sontag” e nënvizonte më së miri këtë rrethanë. Për pasojë, nuk ka pse të habitemi që në internet apo Youtube shfaqen fytyra deri dje aninome, me mesazhe kërcënuese të tipit “Bëni gati arkivolet”. Strategjia e ISIS është e bazuar në një pjesë të mirë mbi intimidimin e publikut, por në fund të fundit kjo është një luftë nervash. Në të cilën ne shqiptarëve na takon të jemi të durueshëm dhe të qetë.
javanews.al