Lojë luftash SHBA-Rusi
Kur gjërat bëhen serioze, Pentagoni thërret menjëherë atë “birin e k…”, Buffin. Dhe ai ngrihet në fluturim, i mbajtur prej krahëve të tij të mëdhenj. E bën që nga koha e konfliktit në Vietnam, e ka vazhduar në kohën kur ishte një përplasje mur me mur, me sovjetikët, më tej në shkretëtirën irakene kundër njësive të Sadamit, pa harruar stuhinë e goditjeve për të dëbuar Osama bin Ladenin nga malet e Afganistanit, në Tora Bora. Një jetë në shërbim të superfuqisë. Dhe tani BUffi, bombarduesi i paperëndueshëm strategjik B-52, është sërish në veprim, për t’u dhënë një sinjal rusëve në një qiell gjithnjë e më të populluar.
NATO-ja, që nga dita e hënë, ka nisur manovrat në Arktik, me 150 avionë. Misione stërvitorë, për të testuar sistemet mbrojtës me përfshirjen e shumë vendeve, anëtarë të aleancës, por edhe neutralë. Si për shembull Suedia. Një shfaqje që ka patur kundërshfaqjen e vet në anën tjetër të gardhit. Ministri i Mbrojtjes i Rusisë, ka organizuar ushtrime gjigandë, me qindra mjete. Eshtë e mundur që mjetet e tij po testojnë lëshimin e raketave nga bregu, në drejtim të shënjestrave në det. Dhe kjo është vetëm antipasta e asaj që do të shohim – dhe nuk do të shohim – duke filluar nga gjysma e parë e qershorit, gjithmonë në zonën skandinave.
Burime zyrtarë nga SHBA kanë konfirmuar se disa avionë B-52 do të nisen nga një bazë amerikane dhe do të mbërrijnë në një hapësirë detare pranë brigjeve suedeze, ku do të lëshojnë mina detare. Secili avion mund të transportojë lloje të ndryshme, duke krijuar zona përjashtimi, një tapet i paprekshëm për kundërshtarë të mundshëm që do të tentonin të shkelnin zonën.
Janë të shumta domethëniet e kësaj lëvizjeje. Shtëpia e Bardhë vë në veprim një armë strategjike, e cila për shumë vite ka mbetur në hangar, por është sërish shumë vdekjeprurëse dhe e fuqishme. Aleanca zgjeron marrëdhëniet ushtarake me një shtet neutral, pra është një nismë edhe strategjike. Në fund, profili i misionit ka një aspekt specifik, i lidhur me ndërfutje të mundshme të rusëve me nëndetëse. Një prani e cila është denoncuar me zë të lartë nga Stokholmi, dhe që më pas është ridimensionuar. por gjithësesi, një sinjal tensioni, në një zonë ku sot ka pikëprerje të shumë interesave. Eshtë kufiri nervoz, bashkë me Arktikun, i Luftës së Re të Ftohtë.
Një prej objektivave të stërvitjeve do të jetë kundërvënia ndaj një pushtimi të mundshëm në jug të Suedisë. Super fortesa nuk do të jetë e vetme. Manovra “Balltops” do të përfshijë 50 luftanije, po kaq avionë dhe 4500 ushtarakë. Një armë strategjike që padyshim nuk i ka shpëtuar syrit të rusëve, gjithnjë e më e pranishme në territoret perëndimore.
Për B-52-shët ka punë boll. Disa ditë më parë, një cift prej tyre është parë në Jordani, në një demonstrim se cfarë është në gjendje t’i bëjë një kundërshtari potencial. Gjithcka është e dokumentuar prej fotove të shpërndara nga zyra e marrëdhënieve publike të Pentagonit, me qëllim që askujt të mos i shpëtojë impakti. Edhe pse është e qartë që në konfliktin aktual siriano-iraken, përdorimi i një bombarduesi duket problematik. Komanda qendrore, duke marrë parasysh rekomandimet e Shtëpisë së Bardhë, u ka vënë limite sulmeve për të reduktuar sa më shumë dëmet në popullsinë civile. Një histori e ndryshme nga ajo e vitit 1972, kur NIksoni dhe Kisingeri përdorën edhe inkursionet në Hanoi për të mbërritur në përmbylljen e negociatave të paqes me Vietnamin e Veriut. Ishte operacioni Linebacker II. Një përdorim cinik dhe shkatërrimtar, me pasoja të rënda edhe për civilët.
Ndryshojnë skenarët, por jo nevojat. Për këtë arsye, B-52 është gjithmonë gati. Dhe Pentagoni jo vetëm ruan flotën e tij, por ka edhe shumë rezerva, një depozitë gjigande avionësh të ruajtur me naftalinë në shkretëtirën e Arizonës. Prej këtu doli disa muaj më parë Ghost Rider, një ekzemplar i rivënë në shërbim nga teknikët dhe i dërguar për të zëvendsuar një mjet që u shkatërrua pas një zjarri.
Një provë eficence, për t’iu përgjigjur sfidave të shumta që presin ende B-52-shin, të cilit ia kanë zgjatur jetën. Në kohë të vështira nuk hidhet poshtë asgjë, sidomos nëse nuk gjen një alternativë. Dhe për momentin, Pentagoni vijon t’i besojë Buffit, “një bir k…, i madh, i shëndoshë dhe i shëmtuar”.
Guido Olimpio – "Corriere della Sera"