Luan Rama: Policia mbron strukturat kriminale në Lezhë
Nënkryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama denoncoi incidentet e ndodhura gjatë ditës së sotme. Ai akuzoi direkt kreun e Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe Kryeministrin Edi Rama.
Deklarata e plotë për median e Nënkryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama
Dëshiroj të tërheq vëmendjen e opinionit publik, por ndërkaq edhe vëmendjen e institucioneve që monitorojnë procesin zgjedhor, pasi në disa zona zgjedhore në Qarkun e Durrësit ka një përshkallëzim dhe rritje të ndërhyrjes së grupeve të organizuara kriminale që ushtrojnë presion mbi votuesit, në afërsi apo brenda qendrave të votimit.
Më alarmante është situata në zonën e Shijakut e cila është totalisht jashtë kontrollit të strukturave të Policisë së Shtetit. Atje strukturat e policisë janë inekzistente. Grupet e armatosura, që lëvizin me mjete të blinduara, me targa false dhe me suport politik nga individë të spikatur të Rilindjes, vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi qytetarët.
Ne kemi vënë menjëherë në dijeni të gjitha trupat monitoruese në vend. Kemi vënë në dijeni edhe misionin vëzhgues të OSBEODIHR-it, ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë dhe ambasadorë të tjerë të vendeve anëtare të BE-së, për të tërhequr vëmendjen te situata shumë e rëndë që është aktualisht në zonën e Shijakut. Tërheqim vëmendjen, sepse atje mund të përshkallëzohet veprimi i grupeve kriminale dhe pasojat pastaj mund të jenë shumë më të rënda se kaq.
Ndërkaq e njëjta situatë vazhdon të jetë edhe në Qarkun e Lezhës, ku grupe kriminale vazhdojnë të lëvizin lirë nëpër zonat zgjedhore pa pasur asnjë pengesë nga strukturat e Policisë së Shtetit.
Është skandaloze, është gjithashtu alarmante, që strukturat e Policisë së Shtetit nuk kanë asnjë komunikim me ministrin e Brendshëm. Dhe ministri i Brendshëm nuk ka asnjë autoritet për të kërkuar zbatimin e ligjit nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë. Një strukturë që është totalisht jashtë autoritetit dhe jashtë kontrollit të ligjit.
Prandaj i ftoj qytetarët me shumë përgjegjësi të shmangin të shmangin rënien në provokime të këtyre grupeve kriminale dhe me vendosmëri të vazhdojnë të marrin pjesë në procesin e votimit, sepse vota e tyre është padyshim ndëshkimi i parë ndaj kësaj situate kriminale të krijuar në vend. Ndëshkim tjetër fillon më datë 26, sepse janë evidentuar të gjitha këto grupe kriminale dhe njerëzit që i suportojnë bashkë me përfaqësues të strukturave të policisë dhe do të përgjigjen ligjërisht një më një të gjithë ata njerëz që kanë kontaminuar dhe kanë krijuar probleme dhe vazhdojnë të krijojnë probleme për procesin zgjedhor. Shqipëria nuk mund të jetë më vendi peng i bandave, i krimineleve dhe i trafikantëve të drogës.
Keni denoncuar për herë të dytë, keni evidentuar dhe keni drejtuar dhe gishtin ndaj elementëve të caktuar. Si e parashikoni pjesën tjetër të ditës?
Po, kam denoncuar dhe vazhdoj të denoncoj. Një drejtor i përgjithshëm i policisë që është i pandehur, që është person nën akuzë për shkak të një vepre penale dhe të shkeljes së ligjit, nuk ka rrugë tjetër vetëm se t’ju shërbejë atyre që e mbajnë në pushtet për të bërë atë që po bën në fakt një pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit që është nën urdhrat e grupeve kriminale. Kjo është dokumentuar dhe është demonstruar në Lezhë, është dokumentuar dhe po ndodh në Shijak, është dokumentuar dhe ka ndodhur edhe në zona të tjera të vendit dhe është kjo arsyeja që unë ftoj qytetarët të jenë të vëmendshëm dhe të vendosur, sepse vota e tyre është padyshim më e fortë se sa vota e armëve që kanë grupet krimininale.
Në asnjë vend tjetër normal, në asnjë vend tjetër evropian, në asnjë vend tjetër të BE-së, nuk do të mund të guxonte të rrinte në detyre një drejtor i përgjithshëm i policisë që është nën akuzë dhe që është marrë i pandehur. Kjo ndodh në Shqipëri, sepse frymëzimin këta e gjejnë të thirrja e Kryeministrit që u tha policëve: hiqni uniformat dhe merrni vota për PS-në. Dhe ata këtë gjë po bëjnë. Ftoj personat e përgjegjshëm, oficerë policie që dinë se çfarë është ligji dhe që zbatojnë ligjin, të distancohen nga veprimet e papërgjegjshme të disa drejtuesve të tyre. të distancohen nga bashkëveprimi me grupet kriminale dhe t’i shërbejnë zbatimit të ligjit, t’i shërbejnë detyrës dhe misionit të tyre kushtetuese për të garantuar rendin dhe sigurinë publiken vend.
https://www.facebook.com/levizjasocialisteperintegrim/videos/1614526041893981/