Lufta e qenve

Nga Ilir Levonja/Prej datës 19 gusht në kinematë e Amerikës, po shfaqet një film me titullin War Dogs. Ose lufta e qenëve. Nuk është se ka kapur majat. Por as pa të fare nuk ka kaluar. Mua përshembull, më ndali një kolege. Dhe midis të tjerave më pyeti se a ishte e vërtetë ajo që kishte ndodhur në vëndin tim. Filmi kështu, thotë, ndërtuar mbi një ngjarje reale. Bëhej fjalë për Gërdecin. E si mund të harrohet për ne shqiptarët ajo e shtunë marsi, e 2008-tës. Gjithsesi, filmi është i përqëndruar në mashtrimin e madh, që dy të rinj i bëjnë Pentagonit. Duke i përlarë një kontratë të majme, treqind milonë dollarë për të blerë dhe pajisur me armë, aleatët amerikanë në lindjen e mesme. Po aty bën pjesë edhe Shqipëria ime. Kjo është një e vërtetë e pamohueshme. Ndërtimi i socializmit…, forcimi i vendit, bërja e tij një kështjellë të pamposhtur në brigjet e adriatikut,

na ktheu edhe në hambar të barotit dhe predhave. Nga ana tjetër, krejt të papërgatitur. Si dhe për shkak të tensioneve politike të vazhdueshme. Divizionet, brigadat, repartet, pavarsisht se çfarë mbartnin depot e tyre ishin kthyer në një pranverë të punëve të errta. Kjo falë edhe 1997-tës, luftrave të shpërbërjes së Jugosllavise. Dhe dërrmës për tu pasuruar brenda natës.

Janë disa paralele që hiqen me vendet e rajonit, duke filluar që nga prishja e Bashkimit Sovjetik.

Megjithatë, demokracitë e rajonit tonë mbeten akoma në kushtet e brishta. Krahasuar me demokracitë e tjera. Dhe për më tepër, akoma të paçliruara nga doktrina e të ashtuqujtuarve baballarë të vendit. Filmi është i gjithi një sarkazëm e stilit amerikan, karshi sigurise, mbarëvatjes. Apo edhe seriozitetit të Pentagonit. Megjithëse ka edhe pëshpëritje se është një nga ato lojra t e trukura që nuk u mësohet kurrë e vërteta. Dhe që ashtu vdesin.

Pjesë e pragmatizmit amerikan.

Por prapë, neve na ka cëmbitur. Dhe si për dreq, na ka afruar me ato vende ku sa më shumë përpiqet inteligjenca ta largojë shqiptarinë. Dyfish e tërheq injoranca, dyfish e shtynë andej, nga gëlon rëra dhe bestytnitë e shoqërisë patriarkale.

Me Afganistanin, Irakun, Sirinë etj.

Sot vendi ynë është konkurent në tregjet e drogës. Kur një qeveri shpalli dëshmorë e trofe me shpërbërjen e një vatre si Lazarati. Dhe kjo e gjitha një çudi që nuk e di se çfarë emri t’i japësh.

Sot një shtetar i yni, në darkë mohon që në Shqipëri kultivohen kanabasi etj. Në mëngjes çon policinë diku, në prezencën e një gazetari të huaj. Dhe pret, shkatërron djeg, masive bimësh në fjalë.

Sot kryeministri i vendit i kënaqej filmit Lufta e qenëve. I kënaqej pamasë, Luftës së qenve. Ndërkohë që aty përflitet Shqipëria, jo kundërshtari i tij. I kënaqej si qen, kur i lehnin qentë.

Në një provincë të vendit, palët habiten me rezultatin e zgjedhjeve.

Se si blejnë me pak para një familje votash. Një fis të tërë. Një katund. Dhe i kënaqen çudisë së tyre.

Sot një qeveri e tërë. Dhe një turmë e tërë rektorësh, bëjnë makinacione llotarish të drejtash studimore. Si e si të shpien kontigjente me shumicë tek universitetet private. Duke nëmur, pjerdhur, rrënuar, maskaruar etj…, univeristetet shtetërore.

Ndërkohë që ua kanë kyçur pagesën fëmijëve të tyre nëpër universitetet më të mira të botës.

Duke i dhënë më shumë pushtet absurdit të çudisë së tyre.

Që është as më shumë e as më pak një luftë qenësh.

Sot një nënë shqiptare i lutet Zotit që fëmijës së saj, vajzës apo djalit. T’i dali llotoja e Amerikës. Ndërsa një baba e bën me vrap socialist a demokrat. Ose e shtyn të hapi një parti. I këshillon për së pari politikën. Se ndryshe nuk rregullohet në punë. Nuk ka të ardhme.

Sot në vendin tonë shpallet menjëherë në kërkim një pedagoge që mori 100 euro. Si pjesë e çudisë, mendësisë, shitblerjes së gjithçkaje të mundshme. Ndërsa dekorohet, lartohet e i jepen poste në qeveri, atij që vjedh miliona në tendera. Atij që shfrytëzon për prostitucion gruan apo vajzën e kushuririt. Atij që vret, pret. Dhe që publikisht kërcënon si njërin apo tjetrin krah.

Filmi Lufta e qenve?

A nuk është kjo e gjitha një luftë qensh.?!

Do ja shohën fundin vitin që vjen. Me njerëzit e lidhur staneve ku kultivohet kanabisi. Me aeroplanët mushkonja që bien sa në Divjakë. Dhe sa në Lezhë.

SHKARKO APP