Lufthansa i “hedh sytë” Shqipërisë

Shqipëria, Bullgaria dhe Rumania janë tregjet kryesore ku do të fokusohet gjigandi gjerman i qiellit, Lufthansa. Këtë deklaratë e bëri vetë zv/presidentja e kompanisë për Europën, Heike Birlenbach.

“Pritet një rritje e madhe në Bullgari, Shqipëri dhe Rumani, kështu që ne po mbikqyrim me vëmendje atë çfarë po ndodh në këto vende në terma të rritjes së kapacitetit”- nënvizoi ajo. Duke shtuar se “këto tregje janë të rëndësishme për ne, janë tregjet ku do të vendosim fokusin”.

Ndër të tjera, përfaqësuesja e “Lufthansa”-s, argumentoi se rritja e numrit të pasagjerëve në këto tre shtete është më e lartë se në vendet e tjera të Europës qendrore dhe Lindore.

Për këtë arsye, kompania ka gati një plan të gjerë investimesh në rajon. Ky plan ka filluar të aplikohet me aeroportin e Sofies, ku një investim prej 30 milionë eurosh pritet të rrisë me 60% aktivitetin e kompanisë në vend.

Gjatë kohëve të fundit, shumë kompani ajrore kanë shprehur haptazi interesin për të hyrë në tregun shqiptar ose për të zgjeruar aktivitetin. Pak kohë më parë, kompania low-cost, transavia, degë e gjigandit “Air France-KLM” njoftoi se do të nisë fluturimet nga aeroporti “Nënë Tereza” drejt atij të Amsterdamit dhe Parisit duke filluar prej datës 10 maj të vitit të ardhshëm.

SHKARKO APP