Luisa Gega, para garave në Doha e sigurtë për Olimpiadën “Rio 2016”

Atletja shqiptare Luiza Gega është gati për të nisur sezonin në një nga eventet më prestigjiozë të “mbretëreshës së sporteve”. Diamond League çel sezonin për 2015 në Doha të Katarit dhe aty do të jetë edhe atletja shqiptare, e cila  do të konkurrojë këtë të premte në garën e saj të preferuar atë të 1500 metrave. Gara vlen për pikët kualifikuese për Olimpiadën “Rio 2016”, ku Luiza Gega do të jetë me siguri të plotë dhe do ta kapë normat, sipas trajnerit të saj, Taulant Stërmasi, që bën të ditur se rezultatet e saj janë shumë më të mira se një vit më parë, edhe pse 2014 ishte një vit jashtëzakonisht i suksesshëm për 26-vjeçaren, e cila e mbylli atë duke zënë vendin e 6-të në botë në garat për sallat e mbyllura si dhe theu disa rekorde kombëtare, në 1500, 800 dhe 500 metra.  Trajneri i saj, Taulant Stërmasi bëri të ditur se Luiza ka zhvilluar një fazë përgatitore shumë të suksesshme, pasi është stërvitur gjatë dimrit në Tenerife të Spanjës dhe në periudhën Prill-Maj në Dardhë të Korçës dhe është gati për të dhënë më të mirën këtë të premte në Diamond League, kompeticion ndër më prestigjiozët e atletikës dhe ku mund të marrin pjesë vetëm atletët që renditen ndër 10 vendet e para të botës.

SHKARKO APP