Lule apo lekë për mësuesit?

Nga Sidorela Lepuri

Tashmë çdo 7 mars, është kthyer në një ditë feste, në atë që quhet festa e mësuesit. Për t’u kthyer paksa në retrospektivë, pikërisht më 7 marsin e vitit 1887, aty e ka zanafillën kjo datë. Ishte 7 marsi i vitit 1887 kur në qytetin e Korçës u hap mësonjëtorja e parë shqipe, duke shënuar hapjen e një kapitulli të ri për arsimin në Shqipëri, e jo vetëm.
E kështu që prej asaj date, për dekada me radhë deri në ditën e djeshme, ne përkujtojmë çdo 7 mars si ditën e vetme në të cilën shprehim mirënjohjen tonë për të gjithë ata mësues që na mësuan A, B, C-në e parë e me radhë shkronjat e alfabetit për të vazhduar më pas ato me mësues që na edukuan në gjimnaz, universitet e më tej në rrugën e dijes që çdokush ka zgjedhur individualisht.
Mirënjohja për to është e pafundme, sigurisht. Por ndonjëherë kaq është shumë pak, të jesh mirënjohës nuk mjafton. Duhet diçka më shumë përtej kësaj…
E këtu pa dashur mësuesit degëzohen. Të parët janë ato mësuesit që profesionit i janë përkushtuar me gjithë qenien e tyre pa lodhur, pa përtesë, madje as lodhja e viteve nuk i ka trembur për t’i devijuar kësaj rruge dhe misionit të tyre në përçmimin e dijes dhe edukimin e brezave me radhë. Dhe këto e meritojnë denjësisht emrin që mbajnë. Dhe pastaj vinë ata kategoria tjetër, që për njëmijë apo më shumë arsye të tyre, mbeten si në dritëhije mes të parëve, ata që profesionit i mëshojnë në mënyrë mekanike, vetëm për të përmbushur detyrimet mësimore ndaj institucionit që i përkasin duke siguruar në këtë mënyrë jetesën e tyre. Një rrogë e mirë, pak orë mësimi duke riprodhuar tekstet, dhe kaq mbyllet e gjitha. Ky degëzim përbën diferencë edhe në urimet e ditës së djeshme, në dhuratat simbolike e me radhë. Dikush zgjodhi të uronte ditën e 7 marsit mësuesin, pedagogun e tij me një urim të ndjerë, dikush tjetër preferoi një buqetë me lule si shenjë mirënjohje dhe respekti, dikush diçka simbolike dhe domethënëse, dhe dikush tjetër ia la zgjedhjen në dorë mësuesit…
Dhe midis cikleve të arsimit qëndron ndryshimi në dhuratën apo urimin e ditës së djeshme. Janë gjithmonë fëmijët e edukimit fillor që i sheh teksa rendin dyqaneve të luleve, me ekzaltimin e shprehur në fytyrë për t’i dhuruar mësuesit buqetën e parë të luleve. Më të rriturit janë disi indiferentë, dhe selektivë. Lule apo diçka tjetër? Lule apo lekë? Pyetja e përhershme që duket se mundon çdo ditë të 7 Marsit nxënësin, studentin e me radhë. Dje mes atyre që uruan, falën dashuri, shprehën mirënjohjen ashtu sikurse edhe tradita e kërkon, dhuruan buqeta lulesh, kishte edhe nga ata që “dhuruan” lekë me justifikimin se kështu është më mirë, dhe se mësuesit mund të blejnë vetë atë çfarë dëshirojnë. Po ti çfarë i dhurove mësuesit/es tënde?
Lule apo lekë?

SHKARKO APP