Lulëzon tregtia me Kinën, rritje 13.3% e importeve

Mallrat kineze po depërtojnë fuqishëm në tregjet shqiptare.

Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se gjatë pjesës së parë të këtij viti, importet kineze janë rritur me 4.4 miliardë lekë kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë, një ritëm rritje që është i njëjtë me atë më partnerin tonë të parë kryesor, Italinë.

Mallrat kineze mësyjnë në tregjet shqiptare.

Dashuria mes Shqipërisë dhe Kinës është rikthyer fuqishëm këtë vit me gjallërim të tregtisë mes dy vendeve.
Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave dëshmojnë se tregtarët shqiptarë kanë shmangur tregtinë me rajonin dhe po importojnë mallra nga Kina e largët.

Në 6 muajt e parë të këtij viti, importet nga Kina arritën vlerën e 21.6 miliardë lekëve, me rritje 4.4 miliardë lekë në harkun kohor të një viti, një ritëm rritjeje që është i njëjtë me atë të partnerit tonë të parë kryesor Italinë.
“Në muajin Qershor 2015, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Qershor 2014 janë: Kina me 13,3 %, Greqia me 7,2 % dhe Italia me 1,7 %.

Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Serbia me 27,7 %, Maqedonia me 4,1 % dhe Turqia me 1,3 %”, theksohet në raportin e fundit të INSTAT për Tregtinë e Jashtme.

Cmimet e ulëta pavarësisht cilësisë janë arsyeja kryesore e rritjes së importeve nga Kina.

Për shkak të nivelit të ulët të jetesës, por edhe kujdesit me shpenzimet, gjë që është reflektuar në rënien e konsumit, qytetarët shqiptarë kanë rritur kërkesën për mallra kineze, çka është reflektuar te rritja me ritme galopante e importeve kineze.

SHKARKO APP