Lulzim Basha: Po pres arrestimet para zgjedhjeve

Lulzim Basha u shpreh në #DritaremeRudinën, në Vizion Plus, se ndonëse objektivi i tij ishte largimi i kryeministrit Rama, ai i shërbeu interesit të vendit duke bërë një marrëveshje, që rrëzoi gjysmën e kabinetit:

“Larguam një tufë ministrash që ishin bërë gati të suleshin me lukuninë e administratës mbi votën e shqiptarëve, krijuam një klimë të re në raport me qytetarët.

Ata kanë më shumë besim te procesi, zyrtarët që kishin ndërmend të abuzonin po struken e do të struken dita-ditës.

Nja 30 drejtorë të mëdhenj e të mesëm janë shkarkuar, disa janë proceduar penalisht. Do të doja të shihja më shumë të arrestuar.

Ministri i Brendshëm po bën maksimumin dhe shpresoj  që drejtori i Policisë t’i përgjigjet sipas ligjit , e jo sipas urdhrave nga politika.

Po pres arrestimet, sepse disa e kanë vendin me masa sigurie, sepse Kodi Penal e parashikon që ata shkojnë minimalisht 1 vit prapa hekurave për abuzimin me detyrën në funksion të votës.

I bëj thirrje Shtetit të zbatojë Kodin Penal që i çon prapa hekurave ata që sjellin apo marrin kartat e identitetit, ata që cenojnë votën, ata që premtojnë e mashtrojnë për votën”, tha Basha.

SHKARKO APP