Lumi Vjosë po arrin në pikën maksimale, shkon në 9 metra. Përmbytje në Fier, Memaliaj dhe në Vlorë
Reshjet intensive të shiut vijojnë që prej ditës së martë.
Lumi Vjosë ka shkuar në nivelin 9 metra në urën e Mifolit, Novoselë. Situata është rënduar duke shkaktuar rrezik për banorët që jetojnë aty pranë dhe tokat bujqësore.
Bashkia e Vlorës, në bashkëpunim me strukturat përgjegjëse të emergjencave civile, Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura, ka angazhuar të gjitha kapacitetet e nevojshme në terren dhe ndodhet në gatishmëri të plotë për të asistuar banorët, si në rast nevoje për evakuim, ashtu edhe për marrjen e masave të duhura për shpëtimin dhe sigurinë e bagëtive.
Bashkia u bën thirrje banorëve të ndjekin me përpikëri udhëzimet e strukturave në terren dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e rrezikuara, deri në normalizimin e situatës.
Prurje të shumta ka pasur edhe në Memaliaj, ku niveli ka shkuar 7.5 metra.
Mësohet se nga reshjet e dendura, janë përmbytur 100 hektarë tokë. Ndërkaq, 14 banesa janë përmbytur nga uji. Përmbytje ka në tokat në Bishan dhe Fitore.
Si pasojë e prurjeve të lumit ka prezencë uji edhe në Stacionin e Pompimit te Kafaraj, Njesia Administrative Frrakull, nga ku bëhet edhe furnizimi me ujë i qytetit të Fierit.
KOHA JONË SONDAZH

