Lumturimi i Nënë Terezës, Veliaj dhe Noizy shërbejnë drekën për njerëzit në nevojë
19 Tetori është një ditë shprese për të gjithë njerëzit në nevojë në kryeqytet. Në Ditën e Lumturimit të Nënë Terezës, Bashkia e Tiranës shtroi një drekë të veçantë për personat në nevojë që frekuentojnë qendrat e saj sociale, në shenjë falenderimi e promovimi të vlerave të shpirtit bujar dhe ndjenjës së shpresës.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i shoqëruar edhe nga këngëtari i njohur Noizy, shërbeu drekën në mjediset e Qendrës Sociale “Të Qëndrojmë së bashku”, në Kombinat, nga ku edhe përcolli mesazhin për më shumë solidaritet me njerëzit në nevojë.
Veliaj theksoi se vepra e Nënë Terezës, na frymëzon për më shumë dashuri ndaj atyre që janë në vështirësi. “Jam shumë i lumtur që jam sot bashkë me Noizyn në ditën e Nënë Terezës, për t’u shërbyer atyre që nuk kanë të gjitha mundësitë që ndoshta ka shumica e Tiranës, që janë të moshuar dhe fëmijët i kanë larg. Në ditën e Nënë Terezës, mënyra më e mirë për ta përkujtuar atë është duke u shërbyer atyre që janë më nevojtarë. Sot bëmë diçka të vogël me dashuri të madhe, që shpresoj se do të kopjohet nga të gjithë. Besoj se kjo energji dhe kjo dashuri që na frymëzon vepra e Nënë Terezës, të lërë një impakt në qytetin tonë dhe në çdo cep të Tiranës ku ka nevojë për më shumë solidaritet”, tha Veliaj.
Bashkia e Tiranës ka ngritur aktualisht 7 qendra sociale ku ofrohet një vakt i ngrohtë dhe kujdes shëndetësor. “Kemi 7 qendra sociale ku shërbejmë ushqim, ku kemi kujdes shëndetësor, kujdes psikologjik dhe për të gjithë ata njerëz që e kuptojnë që në Shqipëri jo çdo gjë është perfekte kanë një mundësi konkrete se si mund të shërbejnë dhe se si mund të kontribuojnë”, shtoi Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj u bëri thirrje bizneseve dhe qytetarëve që të kontribuojnë duke ndihmuar personat në nevojë apo duke punuar si vullnetarë në dobi të komunitetit. “Jemi gjithmonë duke kërkuar vullnetarë, ata që si Noizy, si Valbona, japin nga koha e tyre për të shërbyer. Unë besoj se Shqipëria bëhet më e mirë kur jo vetëm i kritikojmë problemet, por kur shikojmë një mundësi se si ta zgjidhim dhe se si të ndihmojmë me një problem. Shpresoj që jo vetëm në 7 qendrat tona, por edhe në qendra të tjera sociale dhe në punë që kemi në komunitet, të kemi sa më shumë vullnetarë që siç thoshte Nënë Tereza, ne ndoshta nuk bëjmë dot të gjithë gjërat të mëdha, por mund të bëjmë shumë gjëra të vogla me dashuri të madhe”, u shpreh kryebashkiaku.
Këngëtari i njohur Rigels Rajku, ose siç njihet nga të gjithë Noizy, përshëndeti këtë nismë të kryetarit të Bashkisë së Tiranës për të qenë pranë shtresave në nevojë, ndërsa u bëri apel të rinjve për më shumë solidaritet dhe kujdes për të moshuarit. “Dua të falenderoj Erionin që më dha mundësinë që të shërbeja. Është kënaqësi shumë e madhe sepse të moshuarit kanë nevojë për ne dhe ne kemi nevojë për ta, pavarësisht rrethanave të jetës për disa prej tyre. Ndjesia është shumë e mirë, shumë e veçantë. Gjërat materiale shkojnë e vijnë, ndërsa veprat që bëjmë për njerëzit në nevojë mbeten. Ndaj falenderoj Erionin që më dha këtë mundësi”, tha Noizy.
Nëpërmjet programeve të ndryshme sociale, Bashkia Tiranë, ofron një paketë të kompletuar shërbimesh në mbështetje të gjithë atyre personave që janë në vështirësi. Përmes mensave sociale, që janë kthyer në një vatër familjare dhe të shpresës, ofrohet një vakt i ngrohtë, në veçanti për të pastrehët, të moshuarit e vetmuar apo për familjet me të ardhura minimale etj. Gjithashtu, në qendrat sociale të ngritura në zona të ndryshme të kryeqytetit, ofrohet edhe këshillim ligjor dhe psiko-social për këdo.