Lush Gjergji, Kleriku që njohu shqiptarët me Nënë Terezën

Njerëzit që i duhen shoqërisë/Nga Entela Binjaku

Presidenca e Republikës së Shqipërisë ka bërë traditë vlerësimin e figurave që në kohë e në fusha të ndryshme, i kanë shërbyer kombit dhe vendit. Në shumicën e rasteve këto figura gëzojnë një popullaritet dhe vlerësim të atillë në opinion falë punës dhe kontributit të dhënë sa që miratimi ndaj vlerësimit të tyre është jo vetëm i menjëhershëm, por edhe është pritur nga opinioni shqiptar. Shoqëria jonë ka shumë nevojë të njohë vlerat e personaliteteve që e kanë lartësuar kulturën kombëtare, veçanërisht në këto kohë kur besimi tek këto vlera është mjaft i lëkundur. Vendosja bri njëri-tjetrit të këtyre figurave ka krijuar ndonjëherë idenë e atij mikro-mjedisi që shoqëria e jeton çdo ditë, ku njerëzit e vlerave vlerësohen po njëlloj sa ata njerëzit që kanë me pak punë e me shumë shërbim ndaj pushtetit. Në opinion ekziston edhe një qëndrim sipas të cilit këto personalitete nuk jetojnë më, ose vlerësohen vetëm pas vdekjes dhe se në radhët e tyre ka më pak njerëz që jetojnë. Kjo rrethanë u krijua nga kushtet politike dhe shoqërore të vendit tonë, pasi kur ata jetonin e kontribuonin me dinjitet për kulturën dhe prosperitetin e vendit tone, këto procedura nuk praktikoheshin, kësisoj lista e personaliteteve të popullit shqiptar shtohet çdo ditë si më atë të motive të shkuara, ashtu dhe më të kohëve aktuale. Nisma për të propozuar vlerësimin e figurës të Dom Lush Gjergjit, biografi kompetent dhe i shkëlqyer i Nënë Terezës, nisi dhe u lind edhe mbi këtë sfond. Që nga shtatori i vitit të kaluar kur mbarë opinioni përkujtonte largimin nga jeta të Nënë Terezës, lindi ideja për ta sjellë në kujtesë figurën e saj përmes vlerësimit të njerëzve që kanë punuar pranë saj apo i kanë shërbyer njohjes së Nënë Terezës në hapësirat shqiptare përmes punës së tyre dokumentuese. Figura e Dom Lush Gjergjit ishte një simbol i kësaj pune. Argumentet në mbrojtje të këtij propozimi lidheshin dhe përforcoheshin me nevojën për të vlerësuar njerëzit që kane punuar krah Nënë Terezës dhe që me përulësi i kanë shërbyer njohjes së punës së Saj, në këtë vit jubilar për Shqipërinë dhe Kosovën në pritje të shenjtërimit më 4 shtator. Në këtë nismë u bashkuan njerëz me personalitet të spikatur intelektualë, shoqata nga Shqipëria, nga diaspora dhe nga Kosova, njerëz që shprehën kënaqësinë që po mbështesnin këtë propozim. Në një ditë të shënuar siç është 8 Maji, “Dita Ndërkombëtare e Nënës” Presidenti i Republikë së Shqipërisë kishte bujtur në shtëpinë e tij institucionale politikanë e diplomatë, njerëz të besimeve, qytetarë të angazhuar në jetën publike të vendit para të cilëve ai shpalli dhe dekorimin e Dom Lush Gjergjit me “Urdhrin e Kalorësit të Skënderbeut”.

FJALIMI

Testamenti shpirtëror i Nënë Terezës

Nga Dom Lush Gjergji*

“I nderuari President i Republikës së Shqipërisë, zotëri Bujar Nishani. Të nderuar pjesëmarrës, bijë dhe bija shpirtërore të Nënës Terezë. Në jetën time, pata hirin e Zotit, rastin, mundësinë dhe privilegjin e jashtëzakonshëm, që për afro 28 vite ta njihja për së afërmi Nënën Terezë; të shoqërohesha me të, të takohesha, të bisedoja, bashkëpunoja, lutesha, udhëtoja, vizitoja vende të ndryshme të botës, prej Qytetit të Amshuar, Romës, në Shkup, Prishtinë, Zagreb, Oslo, Budapest, Bukureshti, Kalkutë, e shumë e shumë qendra tjera botërore. Me Nënën Terezë ndihesha dhe vërtet isha i lumtur, i sigurt- si fëmija me Nënën, duke parë, përjetuar dhe mësuar kulturën e jetës, qytetërimin e dashurisë. Apo siç e kam definuar: “DASHURINË NË VEPRIM”.

Qysh nga takimi im i parë me Nënën Terezë, në Romë, në vjeshtën e vitit 1968, e deri te “kthimi në Shtëpinë e Atit”, më 5 shtator 1997, pata gëzimin, harenë, lumturinë, që të isha me Bijën, Motrën, Nënën, të Lumen Nënën Terezë, së shpejti edhe me Shën Terezë Bojaxhiun- Shenjtëreshën e Dashurisë. Gjatë kësaj kohe kam depërtuar në jetën dhe veprën e saj kaq madhore, të papërsëritshme, unike, që si pikënisje dhe pikarritje kishte gjithmonë binomin: ZOTIN – DASHURI dhe VËLLAN apo MOTRËN – NJERI.

Nëpërmjet Saj, mësova, dëgjova, përjetova shumëçka, mbi të gjitha, Zemrën e saj të madhe, kujdesin, dashurinë për të “varfrit ndër më të varfër”, të përbuzurit, të braktisurit, njerëzit në buzë të vdekjes, të gërbulurit. Me një fjalë, për të gjithë ata që askush nuk i donte, bile nuk kishin fuqi as t’i shikonin, përpos Zotit dhe Nënës Tereze.m Nga vëllai i saj, Lazër Bojaxhiu, kushëriri dhe moshatari i saj- kompozitori Lorenc Antoni, nga vetë Nëna Terezë, kam mësuar për jetën dhe fëmijërinë, rininë e saj në Shkup, në Prizren, në Letnicë, për familjen e madhe dhe të bekuar Bojaxhiu, babën Kolë, nënën Drane lindur Bernaj-Bojaxhiu, për motrën Age, për famullinë e “Zojës Ndihmtare” në Prizren, famullinë e “Zemrës së Krishtit” në Shkup, për shkollën fillore katolike “Zemra e Krishtit”. Po ashtu, në Shkup, për shtegtimet e saja të shumta në Letnicë, sidomos prej vitit 1912 e deri më 14 gusht 1928, kur ra vendimi jetësor para Trupores së “Zojës Cërnagore”: “Dua të bëhem motër misionare për t’i ndihmuar të varfrit e botës”.

Deshi Zoti, që shpëtova shumëçka nga harresa, ndoshta edhe shkatërrimi, për familjen e saj në Prizren dhe në Shkup, për familjen e cila e rriti dhe edukoi për bamirësi, flijim, dhurim, mikpritje, me ndjenja të thella bujare kombëtare shqiptare; për dy famullitë që kishin edukuar prindërit e saj, pastaj edhe atë, për thirrjen e saj të jetës së kushtuar Zotit, Kishës, Njeriut. Mblodha dhe botova dëshmitë, fotografitë, dokumentet e panjohura dhe të pabotuara për traditën, kulturën, qytetërimin, krishterimin tonë të lashtë apostolik, për martirizimin shumëshekullor ndër ne, që e kishte prekur edhe këtë familje të shquar dhe të bekuar, me vdekjen – helmimin e babës Kolë; për kontekstin jetësor, familjar, famullitar të krishterë dhe kombëtar shqiptar, që e qiti në dritë dhe e rriti Gonxhen tonë, për të qenë dhe mbetur përgjithmonë Nëna jonë Terezë, legjenda mahnitëse e Dashurisë në veprim anë e kënd botës.

Me 15 libra që ia kushtova Nënës Terezë, të botuara në 35 gjuhë të botës dhe në miliona kopje- së paku e mbajta të gjallë këtë histori, që ishte mrekullia e dashurisë flijuese, dhuruese, në shërbim të pashoq në botën mbarë. Dikur profesoresha e historisë dhe gjeografisë, u bë histori mahnitës e bamirësisë dhe mëshirës, ndërsa Kalkuta, “oqeani i mjerimit” dhe varfërisë, vend përkushtimi, shërbimi, dashurie flijuese dhe dhuruese, duke na bërë edhe ne disi protagonistë të kësaj aventure hyjnore dhe njerëzore, në kohë dhe në hapësirë.

Kështu, shpresoj dhe uroj, që Nëna Terezë të jetë mishëruar në mendjet dhe zemrat tona, si frymëzim i pashtershëm jete dhe veprimi në stilin e saj tashmë të njohur, të çmuar dhe nderuar ndër ne dhe në botë.

Ditët e kaluara së bashku në Oslo për marrjen e Shpërblimit “Nobel” për Paqe (10 dhjetor 1979), salikimi shtetëror në Kalkutë (13 shtator 1997), Lumturimi i saj në Romë, (19 tetor 2003), janë çaste kulmore, para-shijim i “parajsës”, ku çdo shqiptar, çdo njeri vullnetmirë, ndihej dhe ishte i lumtur, sepse Nëna Terezë kishte dëshmuar bindshëm fuqinë e fesë dhe frymëzimin e dashurisë pa asnjë dallim dhe përjashtim.

“Zoti, sot e do botën nëpërmjet teje dhe meje, na fton dhe na dërgon që të jemi Dashuria e tij, Drita e tij, Ngushëllimi i tij, jeta e tij në botën e sotme”, na porositi Nëna Terezë. Dua ta përfundoj këtë paraqitje – përkujtim, nderim dhe falënderim me tri thënie të saja, testament shpirtëror për të gjithë ne, si dhe për mbarë njerëzimin:

“Pa dashuri dhe flijim jeta s’ka kuptim”./“Vetëm Dashuria do ta shpëtojë botën”./“Veprat e Dashurisë janë vepra të Paqes”.

Deri tash, kudo ndër ne, kemi shprehur dhe treguar nderimin, falënderimin, dashurinë ndaj së Lumes Nënës Terezë. Tash e tutje duhet të shtojmë edhe një element të ri: uratë apo lutjen nëpërmjet Asaj drejtuar Zotit, Krijuesit dhe Shpëtimtari tonë, sepse tashmë ajo është dhe mbetet Mbrojtësja dhe Avokatja, Përfaqësuesja më e mirë dhe më e dashur para Hyjit për ne. Prandaj, Bijën, Motrën, të Lumen, Shën Terezën tonë duhet ta imitojmë në jetë dhe në veprimtari. E Lumja Nëna Terezë, lute Zotin për ne dhe për botën mbarë. Amen.

*Fjalimi i mbajtur në ceremoninë e vlerësimit nga Presidenti me “Urdhrin e Kalorësit të Skënderbeut”.

SHKARKO APP