Lutje Zotit!
Fejton/Nga Hyskë Borobojka
Kur dëgjoj e shikoj ata që kanë fituar titullin “VIP-a”, që kanë ndërtuar e jetojnë në vila e palate lluksoze, të ndërtuara buzë detit e rrëzë malit, që kanë grumbulluar prona e kanë hapur biznese kudo dhe lozin me para, jo me njëqind, njëmijë, por me miliona lekë, evro e dollarë e udhëtojnë me makina lluksoze, vështroj veten time, e shumë të tjerë si unë, që vazhdojmë të ushqehemi me listë të bakalli i lagjes. Në vënd të marrim përpjetë mirëqënjes nga premtimet e shumta të “Rilindjes së re”, e cila ka marrë revan e po ecën me “hapa vigane” drejt “mirqënjes e përparimit”, marrim rrokullimën tatëpjetë. Sukseset e përparimet e kësaj “Rilindjeje të re” më kujtojnë këngën e zavallit Teme, kur këndonin “Temja ka pallat të lartë”, “Zavalli Teme s’ka pallat të lartë, por një kasolle me kashtë, kokën brenda b…jashtë”. “Temja ka kalë me shalë”. Zavalli Teme s’ka kalë me shalë, por me nder, një gomar të çalë”.
Për të shpëtuar nga ky fukarallëk, që s’ka të sosur një çerek shekulli tranzicion, ngrita duart lart e iu drejtova Zotit të madh e të plotfuqishëm, që të më ndihmonte e të më tregonte se si të shpëtoja njëherë e mirë nga fukarallëku e të mos i bija më në qafë bakallit të lagjes, që më mban gjallë me listë. Dhe Zoti i madh dhe i plotfuqishën lart në qiell, edhe vonon, por nuk harron, më pyeti se çfar kërkoja prej tij unë, njeriu i vogël, i botës së madhe. I thshë se më ka këputur në mes varfëria dhe dua të hyj në radhën e tyxharëve.
-Ka shumë rrugë të drejta, të shtembra e me kthesa!
Dhe më renditti disa prej tyre. Rruga e parë ishte të bëhesha deputet. Ky titull i lartë më krijonte mundësitë, që të hyja në radhën e të pasurve, pse jo edhe të milionerëve, pasi veç rrogës së majme nga shteti ynë i varfër, përfitoja edhe të tjera dhurata e yshyre, të hapja biznese, të ndërtoja pallate e vila që kur t’i shihnin bota t’u loste tepeleku i kokës. Ky proposim i të Plotfqishmit lart në qiell ishte i mirë, por që të bëhesha “Baba i Kombit” nuk ishte punë e lehtë, pasi duheshin para për të shpërblyer votuesit. Ndërsa xhepi im ka qëlluar i shpur. Një e keqe tjetër, që më detyronte të moi i hyja lumit në këmbë, ishte se nga lufta politie që bëhet këtu poshtë ku jemi, disa deputetë e kanë pësuar nga plumbi e disa të tjerë nga përplasjet e përmbysjet nga makinat dhe autorët e vërtetë të këtyre krimeve edhe sot e kësaj dite nuk janë zbuluar e gjetur, veç dyshimeve e hamendjeve
Monopati i dytë, o njeri i vogël i botës së madhe, më sugjeroi i Plotfuqishmi sipër në qiell, është të bëhesha ministër, pasi do të kisha shumë përfitime, aq sa s’do ta dija ku fillonin e ku mbaronte pasurija. Po të arrija të fitoja këtë post të rëndësishëm do më jepej mundësia të jepja sa të lodhesha tendera abuzive e do fitoja para me grusht. Por edhe ky monopat m’u duk i vështirë, pasi që të gëzosh këtë post të lartë, duhet të jesh veqil e mashë i kryeministrit. Mjafton që gabon e nuk kalon në urën e tij, që të qorollisesh e të largohesh pa çak pa bamb nga kabineti i tij, që të puthesh me Milon.
-More njeriu i vogël i botës së madhe, bëju kusar, hajdut- më sugjeroi Zoti në qiell.
Ky propozim në fillim m’u duk me vend e më kujtuan fjalët e një kënge të vjetër: “Punë të mirë ka hajduti”. E vërteta është se hajdutët fitojnë ,para, jo me grusht, por me lopatë e zhduken në drejtim të paditur. Ata grabisin bankat, bizneset e mëdhej, u venë gjoba bizneseve, marrin pëng fëmijet e “ Vip-ave” dhe i detyrojnë: “O dërgoni kaq e aq milionë lekë, evro apo dollarë, përndryshe pengun do ta bëjmë pastërma për dimër. Por dardha e ka bishtin prapa. Hajdutët e kusarët janë shtuar aq shumë, sa nuk le Laroja të hajë Baloja. Ka dhe një rrezik tjetër. Të zënë e të prangosin. Për këtë të fundit, një miku im më këshilloi të mos qederosesha e te mos trembesha fare, pasi edhe në të prangosshin sot, zerë lulen e avukatëve dhe të nxjerrin nesër pa u hapur mirë dita, për të filluar radhë të re.Mirë e kishte ai, po kush ma heq frikën se mund të jem i vetmi që ta pësoj. Pastaj kam edhe një frikë tjetër. Po u bë reforma në drejtësi, do më kapin si miun në çark. Përsëri miku më këshilloj që të mos trembesha fare, pasi për këtë reformë ka disa vjet, hiq e mos këput, por siç tregojnë bathët e priftit, s’ka për t’u bërë.
Një variant tjetër që t’i thosha fukarallëkut rri me shëndet, zoti i madh e i plotfuqishëm më blatoi të bëhesha vrasës me pagesë apo “killer” si i thonë tani. Nga ky “profesion do të fitoja shumë. Kush dëshironte që kundërsharin apo “armikun” e tij ta dërgonte në botën tjetër, të lidhte një kondratë me mua, duke ma mbushur thesin me para. Unë do të kryeja detyrimin e kontratës së lidhur me të, do pasurohesha dhe mund të largohesha në “drejtim të paditur” të bëja qejf sa lodhesha me paratë e fituara.
Rrugët, monopatet e shtigjet për t’u pasuruar janë të shumta e të shumllojshme. Me paratë e gabitura mund të hapja një kazino me lodrat e fatit (më falni) kumarrit e mund të fitoja aq shumë sa, të majmesha për vete e të shpërbleja edhe ata që s’më kanë rënë më qafë e s’më kanë gjurmuar, por më kanë ndihmuar për mbarëvajtjen e këtij biznesi kaq fitimprurës.
Zoti i madh me “këshilloi” shumë forma e marifete për ta hequr qafe fukarallëkun, që po më merr frymë.. Më sugjeroi që të mundoheha të bëhesha avukat ose gjykatës, se delja gjithnjë i fituar. Kush nuk i ka parë si ishin dje këta mbrojtës të drejtësisë?! Udhëtonin me biçikleta e më këmbë, kurse tani i sheh me vetura të bukura e vila si t’i duash e ku t’i duash. Avukati ka përvojë të madhe në zanatin e tij. që e ka përfituar kur ishte hetues në kohën e diktaturës, kur gjente faje atje ku s’kishte e sot të kërkojë pafajsi për klientin e tij kur është mbytur deri në grykë me faje e krime. Ndërsa gjyqtarit po i rrëfeve paranë, tregon kulturën e të rjep lëkurën.
E vërteta është se të gjitha sugjerimet e rrugët e të Plotfuqishmit në qiell për t’u berë i kamur, ishin të shumta, ndësa unë i bëra një kërkesë tjetër. Të kapërceja ylberin, që të më kthente nga gjinia mashkullore në atë femërore. Të më bënte një femër të bukur, shtatselvi e belgargi, me buzë joshëse si leng qershije, me gjoks të mbushur. Për ta ekspozuar si duhej e kur duhej do ta kisha merak vete. Të më qindiste aq të pamshme sa për të më puthur në buzë, një drejtues emisioni duhet të digjej e të duronte trembëdhetë vjet. Kur të arrija majën e bukurisë do të shpallja me bujë. Kush ka dëshirë të madhe të martohet, me mua duhet të derdhe në llogarinë time një meleard, jo gorrica fice në shëndre, por dollarë. Jam në pritje, do ma plotësojë këtë dëshirë Zoti i madh dhe i plotfuqishëm sipër në qiell?!